Përplasja e kryeministrit Edi Rama me partnerët ndërkombëtarë pas votës kundër kërkesës së SPAK për ministren Belinda Balluku nuk është një episod i izoluar. Ajo tregon tensionin e vazhdueshëm mes Brukselit dhe Uashingtonit.
Rama tha të premten se nuk pranon të shihet me arrogancë “nga lart poshtë”. Por kjo frazë, e fortë në retorikë, ngre dyshime: a është mbrojtje e dinjitetit kombëtar apo një mënyrë për të shmangur kushtet e rrepta të integrimit?
BE-ja e ka vendosur korrupsionin në qendër të procesit të anëtarësimit. Vota kundër SPAK po shihet si pengesë serioze. Rama e relativizoi çështjen, duke thënë se nuk ka një akuzë të ngritur ndaj ish-ministres por vetëm një hetim.
Kjo mund të interpretohet si respektim i prezumimit të pafajësisë. Por po aq si mbrojtje e njerëzve të tij më të afërt. Mesazhi për Brukselin është i dyfishtë: Shqipëria nuk pranon të trajtohet si vend inferior, por as nuk është e gatshme të përmbushë pa kushte standardet e kërkuara.
Kjo lë hapësirë për dyshime mbi sinqeritetin e reformave. Ndërkohë, Uashingtoni po e fut Shqipërinë në lojën e energjisë. Projekti i Korridorit Vertikal dhe ideja e një terminali të gazit të lëngshëm, LNG, e vendosin vendin në një rol të ri gjeostrategjik.
Takimi i Ramës me ambasadoren amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e konfirmoi këtë . SHBA kërkon që Tirana të bëhet pjesë e zinxhirit të shpërndarjes së LNG-së amerikane në Europë. Për Ramën, kjo është një mundësi për të forcuar lidhjet me Uashingtonin dhe për të fituar peshë rajonale.
Por mbetet një dyshimi i fortë: a po përdoret Shqipëria si instrument i strategjisë energjetike amerikane, pa marrë parasysh kostot afatgjata për konsumatorët shqiptarë? Çmimi i lartë i LNG-së dhe rreziqet mjedisore të terminaleve lundruese janë paralajmërime që nuk mund të injorohen.
Projekti mund të duket si shans historik, por mund të kthehet në edhe në një barrë ekonomike dhe sociale. Pra loja e Ramës është e rrezikshme. Brukseli kërkon reforma të thella në drejtësi. Uashingtoni ofron projekte energjetike me ndikim strategjik, por me kosto të dyshimta.
Dhe kryeministri shqiptar përpiqet të shfaqet si lider që i sheh partnerët “në sy”. Por realiteti është se Shqipëria mbetet e varur nga mbështetja e tyre. Dyshimi kryesor është nëse ky balancim është në interes të vendit apo thjesht një taktikë për të fituar kohë. Pra një lojë për të shmangur presionin e Brukselit, duke u mbështetur te Uashingtoni si kundërpeshë.
Nëse Shqipëria arrin ta përdorë këtë lojë për të siguruar integrimin europian dhe rolin energjetik rajonal, mund të përfitojë. Por nëse kritikat e BE-së injorohen dhe mbizotërojnë projektet amerikane pa asnjë transparencë, rreziku është i madh.
Vendi mund të mbetet i përdorur si korridor energjetik, por i vonuar në rrugën e integrimit. Loja e Ramës midis Brukselit dhe Uashingtonit është një ekuilibër i brishtë. Retorika e dinjitetit, mund të shërbejë si mbulesë për kompromiset e vështira që po bëhen në prapaskenë. /tesheshi.com/