Pse gurët e tëmthit vlejnë më shumë se ari…

Nëse dikush do të pyeste se cili është nënprodukti më i vlefshëm i industrisë së mishit, shumë pak njerëz do të thoshin gurët e tëmthit të lopës. Por e vërteta është se ato vlejnë sot më shumë se ari.

Për mijëra vjet, gurët e tëmthit të lopës janë përdorur në mjekësinë tradicionale kineze për të trajtuar të gjitha llojet e sëmundjeve serioze, duke përfshirë hipertensionin dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Ndërsa sot popullata kineze vuan nga një shkallë goditjesh në tru 3 herë më të lartë se ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kërkesa për gurë në tëmth është më e lartë se kurrë më parë, dhe po kështu ka ndodhur edhe me çmimin e tyre.

Sipas Wall Street Journal, në vitin 2025, çmimi i gurëve të tëmthit të lopës u rrit në 5.800 dollarë për ons (28.4 gram), ose 2 herë më të shtrenjta se ari. Të shitura nën emrin  Niu Huang  (牛黄), gurët e tëmthit të gjedhit përdoren kryesisht në formulimin e  Angong Niuhuang Wan, një ilaç tradicional i përshkruar për gjendje të rënda neurologjike si goditjet në tru, komat febrile, çrregullimet e vetëdijes, etj.

Problemi i gurëve në tëmth te lopët ka qenë gjithmonë mungesa e tyre. Mundësitë e formimit të gurëve në tëmth te lopët rriten me moshën, por shumica e thertoreve në mbarë botën preferojnë të therin bagëtinë në mosha më të reja për të përmirësuar efikasitetin.

Mungesa dhe çmimet në rritje të gurëve në tëmth, kanë nxitur trazira në rajonet e rritjes së bagëtive si Brazili, Australia dhe Teksasi në SHBA. Kohët e fundit, incidentet e kontrabandës së gurëve të tëmthit dhe grabitjeve janë shtuar në Bahetus, Brazil.

Persona të armatosur sulmojnë fermat e bagëtive jo për të vjedhur kafshët, por çdo gur tëmthi që mund të gjejnë. Po ashtu është shtuar kontrabanda e gurëve të tëmthit nga punonjësit e thertoreve.

Ashtu siç kërkesa për diamante natyrale çoi në krijimin e diamanteve të prodhuara në laborator, edhe studiuesit kinezë kanë zhvilluar gurë të tëmthit të “kultivuar” që riprodhojnë pjesërisht efektet neurombrojtëse dhe hepatombrojtëse të produktit natyror, me një profil të kontrolluar toksiciteti.

Gurët natyrorë ende konsiderohen standardi i artë, por këto alternativa sintetike, të rritura në laborator, mund të parandalojnë disi rritjen e mëtejshme të çmimeve. Është interesant fakti që në Kinë është rritur edhe kërkesa për gurë të tëmthit njerëzor, ku çmimet për një gur të vetëm shkojnë deri në 1.270 dollarë.

Çmimi i gurëve varet nga madhësia e tyre dhe karakteristikat e tjera, por në përgjithësi, sa më të mëdhenj të jenë gurët, aq më i lartë është çmimi i tyre. Dhjetëra reklama me gurë të tëmthit njerëzor në shitje janë identifikuar vetëm në një platformë online. /tesheshi.com/

Leave a Comment