Lufta thellon më tej përçarjen brenda republikanëve

Përçarja brenda lëvizjes konservatore amerikane ka arritur një pikë vlimi, teksa figurat më të njohura të krahut të djathtë, janë përfshirë në një “përleshje retorike” mbi rolin e Amerikës në luftën SHBA-Izrael-Iran.

Sipas raportimeve nga The New York Times, ky debat pasqyron një ndarje të thellë që po sfidon dekada të tëra mbështetjeje të palëkundur konservatore për shtetin hebre. Në qendër të konfliktit janë dy pole mediatike: podkasterja Megyn Kelly dhe prezantuesi Mark Levin.

Znj. Kelly ka argumentuar se lufta iu shit popullit amerikan nga “njerëz që mbështesin Izraelin”, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga Levin, i cili e quajti atë “me çrregullime emocionale”.

Ndërsa lufta ka hyrë në javën e tij të tretë, NYT vëren se “figurat kryesore të lëvizjes MAGA kanë sulmuar njëra-tjetrën gjithë zemërim mbi fillimin e konfliktit”. Donald Trump ka ndërhyrë duke marrë anën e Levin, duke deklaruar se kundërshtarët e luftës “nuk janë MAGA”.

Megjithatë, kjo nuk i ka heshtur kritikët. Tucker Carlson ka nisur një fushatë agresive kundër grupeve të lobimit si AIPAC, duke i cilësuar si “të neveritshme” sulmet ndaj Iranit. Ai pretendon se ky konflikt po ndodh kryesisht sepse “Izraeli donte që kjo të ndodhte”.

Por përçarja nuk kufizohet vetëm në media. Joe Kent, drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, dha dorëheqjen duke akuzuar administratën se hyri në luftë për shkak të “presionit nga Izraeli”.

Në krahun tjetër, mbështetësit e linjës së ashpër si Ben Shapiro i kanë quajtur kritikët “frikacakë”. Siç raporton New York Times, kjo situatë e dallon këtë konflikt nga luftërat e mëparshme në Irak apo Afganistan, të cilat gëzonin një unitet më të madh konservator.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë këmbëngul se baza mbetet e bashkuar rreth operacionit “Epic Fury”, tensionet në terren tregojnë të kundërtën.

Kjo përplasje pritet të kulmojë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Dallas, ku figura si Reza Pahlavi dhe Steve Bannon do të ndajnë të njëjtën skenë, duke dëshmuar se lëvizja është më e fragmentuar se kurrë mbi politikën e jashtme.

Efektet do të dihen me siguri në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor /tesheshi.com/

Leave a Comment