Ndërsa lufta në Iran vazhdon mes vështirësive të paparashikuara dhe kostove gjithnjë e më të larta, në Shtetet e Bashkuara po rindizet një debat i ashpër mbi atë se kush e shtyu vërtet Uashingtonin drejt këtij konflikti të ri në Lindjen e Mesme.
Stephen M.Walt, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit dhe një zë autoritar që ka kontribuar për vite me radhë si kolumnist në revistën Foreign Policy, e shtron këtë pyetje në një analizë të fundit në këtë revistë.
Walt, që e tronditi botën akademike në vitin 2007 me studimin mbi Lobin Izraelit – i atribuon një përgjegjësi specifike këtij grupimi për përfshirjen e SHBA-së në luftën kundër Teheranit. Sipas profesort Walt, ky fenomen nuk duhet parë si një çështje feje apo etnie, pasi lobi nuk përkon domosdoshmërisht me të gjithë komunitetin hebraik amerikan.
Siç e ka argumentuar ai shpesh edhe në analizat e tij për Foreign Policy, sondazhet e viteve 2002-2003 treguan se ky komunitet ishte më pak në favor ndaj ndërhyrjes në Irak sesa popullsia e përgjithshme.
Madje, sot shumë hebrenj amerikanë janë pozicionuar hapur kundër konfliktit. Organizata si J Street, Jewish Voice for Peace dhe New Jewish Narrative e kanë dënuar publikisht luftën.
Fokus i vërtetë i analizës mbetet një koalicion ndërpartiak – ku bëjnë pjesë si hebrenj ashtu edhe sionistë të krishterë – qëllimi i të cilëve është ruajtja e një “marrëdhënieje të veçantë” midis SHBA-së dhe Izraelit, që garanton ndihmë ushtarake dhe mbrojtje diplomatike pavarësisht veprimeve të Tel Avivit.
Walt argumenton se përgjegjësia kryesore i takon presidentit Donald Trump dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu, por vëren se asnjë udhëheqës nuk vepron në vakuum.
Ai vëren se administrata Trump është e mbushur me figura të lidhura thellësisht me lobin: Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Jared Kushner, Steve Witkoff, Ambasadori Mike Huckabee dhe Shefja e Shtabit Susie Wiles.
Ai përmend gjithashtu ndikimin e Miriam Adelson, donatores më të madhe të Trump. Për vite me radhë, organizata si AIPAC, FDD dhe ZOA kanë punuar sistematikisht për të demonizuar Iranin dhe për të sabotuar çdo përpjekje për ulje tensionesh, duke e shtyrë Trumpin të shkatërronte marrëveshjen bërthamore (JCPOA) në vitin 2018, pavarësisht se Teherani po i përmbushte angazhimet e veta.
Në shkrimet e tij të fundit për Foreign Policy, Walt ka theksuar se ky lloj lobimi e bën praktikisht të pamundur për çdo president amerikan që të ushtrojë presion real mbi Izraelin. Kjo e ka lejuar Netanyahut të ndjekë një politikë të pamatur në të gjithë rajonin, duke përfshirë sulme në Gaza, Liban, Siri dhe së fundmi në Iran.
Profesori i njohur paralajmëron se derisa SHBA-ja të krijojë një marrëdhënie “normale” shtetërore në vend të asaj “të veçantë”, Amerika do të vazhdojë të duket më shumë si një ngacmuese e pamëshirshme sesa si një fuqi globale e përgjegjshme./tesheshi.com/