Përgjigja e Iranit ndaj propozimit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës nuk është “pozitive”, tha një zyrtar i lartë iranian për Reuters të mërkurën, duke shtuar se Teherani po e studion ende propozimin.
Zyrtari tha se përgjigja e Iranit iu dorëzua Pakistanit për t’iu transmetuar Uashingtonit.
Irani ka studiuar propozimin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës dhe i konsideron kushtet e tij të tepërta, raportoi Press TV iranian të mërkurën, duke cituar një zyrtar i cili tha se Teherani do ta përfundojë luftën kur të vendosë dhe nëse kushtet e tij përmbushen.
Televizioni shtetëror iranian njoftoi se Irani ka pesë kushte për t’i dhënë fund luftës, të cilat i dërgoi përmes ndërmjetësve Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Donald Trump.
Pas shqyrtimit të propozimit 15-pikësh të Trump, të cilin e konsideruan “të tepërt”, ata u përgjigjën se do të diktonin kohën e përfundimit të luftës dhe paraqitën pesë kushtet e tyre:
Ndërprerja e “agresionit dhe vrasjes”;
Mekanizma konkretë për të siguruar që Irani të mos sulmohet përsëri;
Pagesa e dëmeve të luftës dhe dëmshpërblimeve;
Fundi i luftës në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës të përfshira në të gjithë rajonin;
Njohja dhe garancitë ndërkombëtare në lidhje me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Por kushtet nuk përmendin programin bërthamor ose zhvillimin e armëve bërthamore.
Pesë kushtet e Iranit u publikuan menjëherë pasi zyrtarët pakistanezë konfirmuan më parë se Irani kishte marrë propozimin prej 15 pikash të SHBA-së për t’i dhënë fund sulmit SHBA-Izrael.
Trump pretendoi se SHBA-të po negocionin një armëpushim me Iranin, duke thënë se Uashingtoni po fliste me “njerëzit e duhur” në Iran dhe se “ata janë shumë të etur për të arritur një marrëveshje”. /tesheshi.com/