Të gjithë e dimë që kripa është “e keqe për shëndetin”, por zvogëlimi i konsumit të saj nuk është aspak i thjeshtë. Shpesh, për shkak të shijes apo zakonit, kemi tendencën ta shtojmë atë në gatimet tona të përgatitura në shtëpi.
Pra, kur një mjek ose nutricionist na sugjeron zvogëlimin e konsumit të kripës, mendojmë për kripën e shtuar në makarona ose sallatë. Dhe nuk shqetësohemi për kripën “e fshehur” që gjendet në bukë, mish të tharë dhe ushqime të paketuara.
Është pikërisht kjo kripë e fshehur që rrezikon të bëhet armiku ynë më i rrezikshëm. Natriumi, minerali që gjendet në kripën e kuzhinës, është një faktor rreziku për zhvillimin e presionit të lartë të gjakut. Presioni i lartë i gjakut, veçanërisht nëse nuk trajtohet, mund të çojë në ndërlikime serioze shëndetësore, duke përfshirë atakun në zemër, goditjen në tru, dështimin e veshkave dhe madje edhe demencën.
Këto sëmundje jo vetëm që prekin individët, por gjithashtu rëndojnë gjithnjë e më shumë kostot e kujdesit shëndetësor: ulja e konsumit të kripës është, pra, e dobishme për të gjithë.
Një studim i botuar në “Hypertension”, revistën e Shoqatës Amerikane të Zemrës, tregon se ulja e natriumit në ushqimet e paketuara përmirëson shëndetin kardiovaskular, duke parandaluar shumë vdekje nga ataku në zemër dhe goditja në tru.
Për të mbështetur këtë teori u analizuan dy studime evropiane, një francez dhe një britanik.Bageta është simboli thelbësor i Francës dhe një nga ushqimet më të konsumuara. Fatkeqësisht, megjithatë, vetëm ajo siguron një të katërtën e marrjes së rekomanduar ditore të kripës.
Prandaj, në vitin 2022, qeveria franceze dhe prodhuesit e bukës nënshkruan një marrëveshje vullnetare për të ulur përmbajtjen e kripës në bukë. Rezultatet: një rënie e vdekshmërisë dhe e shtrimeve në spital për sulme në zemër dhe goditje në tru. E gjithë kjo ndodhi pa e vënë re ndryshimin popullsia.
Në Mbretërinë e Bashkuar, një anketë vlerësoi se përmbushja e objektivave për reduktimin e kripës në ushqimet e gatshme do të ulte konsumin ditor me 17.5 për qind. Ky reduktim do të parandalonte mijëra atake në zemër gjatë dy dekadave të ardhshme, duke rritur vitet e jetës së shëndetshme dhe duke i kursyer sistemit shëndetësor rreth një miliard paund.
Ekspertët rekomandojnë pesë veprime për të ulur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare:
Së pari, zëvendësoni kripën me bimë aromatike, erëza, hudhër, spec djegës dhe fruta agrume. Së dyti shpëlajini perimet dhe bishtajoret e konservuara dhe hani më shumë produkte të freskëta. Së treti, lexoni etiketat e produkteve dhe zgjidhni ato me më pak kripë. Së katërti zvogëloni gradualisht kripën gjatë gatimit që të mësoheni me shijen. Së pesti, mos vendosni kripë ose salca të kripura në tavolinë, që edhe fëmijët të mësohen me shije natyrale. /tesheshi.com/