Kur ia behin krizat globale, qeveritë testohen jo vetëm për kapacitetin e tyre administrativ, por edhe për koherencën ideologjike. Lufta në Ukrainë dhe më pas tensionet në Lindjen e Mesme, kanë sjellë tronditje të forta në tregjet e energjisë dhe ushqimit, duke e vendosur Shqipërinë përballë një dileme të vjetër: të mbrojë konsumatorin apo të lërë tregun të vetërregullohet.
Në marsin e vitit 2022, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës dhe ushqimeve, qeveria ndërhyri duke ngritur Bordin e Transparencës. Ky mekanizëm, i kritikuar shpesh si paternalist, u justifikua si mjet për të frenuar abuzimet e tregut.
Por ndërhyrja e fundit, pas krizës së re në Lindjen e Mesme, ka nxitur reagime të ashpra nga importuesit e mëdhenj të naftës, të cilët paralajmërojnë pezullim të furnizimit nëse detyrohen të shesin nën kosto.
Kjo situatë ngre pyetjen thelbësore: a po vepron Rama si një udhëheqës i majtë, duke mbrojtur konsumatorin dhe shtresat në nevojë, apo si një menaxher pragmatist që kërkon të ruajë stabilitetin ekonomik pa cenuar interesat e biznesit?
Nga njëra anë, vendosja e çmimeve tavan dhe ulja e akcizës për karburantet janë masa tipike të një qeverie që synon të mbrojë qytetarët nga goditjet e tregut. Ministrja e Ekonomisë ka deklaruar se Bordi i Transparencës do të qëndrojë aktiv deri sa çmimet të rikthehen në nivelet e parakrizës, duke e paraqitur këtë si garanci për konsumatorët.
Kjo është një retorikë që tingëllon e majtë. Por nga ana tjetër, importuesit argumentojnë se metodologjia e përllogaritjes së çmimeve është e vjetruar dhe nuk reflekton kontratat aktuale me furnitorët. Ata paralajmërojnë humbje të mëdha dhe kufizim të furnizimit.
Nëse qeveria nuk arrin të gjejë një ekuilibër mes mbrojtjes së konsumatorit dhe mbështetjes së biznesit, rreziku është që masat të kthehen në bumerang, duke sjellë mungesa karburanti dhe tensione sociale.
Në këtë kontekst, pyetja “A do jetë këtë herë Rama vërtet i majtë?”, merr një domethënie politike. Një e majtë e vërtetë, do të vendoste interesin e qytetarëve mbi fitimin e kompanive, duke garantuar furnizim dhe duke subvencionuar diferencën e kostos.
Ndërkohë një qasje pragmatike, do të kërkonte kompromis me importuesit për të shmangur krizën e furnizimit. Historia e ndërhyrjeve të mëparshme, tregon se qeveria shqiptare shpesh reagon nën presionin e zhvillimeve të jashtme, më shumë sesa duke ndërtuar politika afatgjata për mbrojtjen e qytetarëve.
Nëse kryeministri Rama dëshiron të tregojë se është vërtet i majtë, ky është momenti për të kaluar nga retorika tek veprimi konkret: mbrojtje e konsumatorit, subvencionim i shtresave në nevojë dhe vendosja e një metodologjie transparente e të drejtë për çmimet në treg.
Në të kundërt, ekziston rreziku që Bordi i Transparencës të shihet si një fasadë politike, ndërsa qytetarët të vazhdojnë të paguajnë çmime më të larta se fqinjët dhe të mbushin serbatorët në Kosovë e Maqedoni./tesheshi.com/