Studimi i ri zbulon një mekanizëm të ri që mund të ndryshojë trajtimin dhe të hapë rrugë për terapi të reja
Metformina është prej më shumë se gjashtë dekadash një nga ilaçet më të përshkruara për trajtimin e diabetit të tipit 2. Edhe pse përdoret çdo ditë nga miliona njerëz në mbarë botën, mënyra e saktë e veprimit të saj nuk ka qenë plotësisht e qartë deri së fundmi.
Një studim i ri i vitit 2025, i realizuar në Baylor College of Medicine në SHBA, sjell një zbulim të rëndësishëm: përveç ndikimit në mëlçi dhe metabolizëm, metformina vepron drejtpërdrejt edhe në tru.
Deri tani besohej se metformina ul nivelin e sheqerit në gjak kryesisht duke reduktuar prodhimin e glukozës në mëlçi, si dhe duke ndikuar në funksionin e zorrëve.
Por kërkimet e reja e vendosin trurin në qendër të kontrollit të metabolizmit.
“Ne kemi studiuar nëse dhe si truri kontribuon në efektin antidiabetik të metforminës”, shpjegon patofiziologu Makoto Fukuda.
Roli kyç i një zone të trurit
Studiuesit u fokusuan në një pjesë të trurit të quajtur hipotalamusi ventromedial, një zonë e rëndësishme për rregullimin e metabolizmit.
Aty u identifikua proteina Rap1, e cila luan rol në kontrollin e glukozës. Eksperimentet në minj treguan se metformina arrin në këtë zonë dhe “fik” këtë proteinë.
Kur u përdorën modele pa këtë proteinë, metformina nuk pati më efekt – një dëshmi e fortë se mekanizmi i saj përfshin drejtpërdrejt trurin.
Aktivizimi i neuroneve specifike
Studimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e neuroneve të quajtura SF1, të cilat aktivizohen kur metformina arrin në tru.
Ky zbulim hap rrugën për terapi më të sakta në të ardhmen, që mund të synojnë drejtpërdrejt këto mekanizma nervorë për të kontrolluar diabetin, transmeton Telegrafi.
