Donald Trump po vë sërish në pikëpyetje një nga shtyllat e rendit perëndimor: praninë e Shteteve të Bashkuara në NATO. Nuk është hera e parë, por sot konteksti është i ndryshëm, me luftën në Ukrainë, konfliktin me Iranin dhe mosbesimin në rritje ndaj aleatëve evropianë.
Prandaj, pyetja nuk është më teorike: a mundet një president amerikan ta nxjerrë vërtet Uashingtonin nga Aleanca Atlantike? Kjo nuk është diçka e lehtë. Pas presionit gjatë mandatit të parë të Trump, Kongresi miratoi Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare në vitin 2024, duke kufizuar pushtetin e presidentit.
Largimi nga Aleanca, do të kërkonte miratimin e dy të tretave të Senatit ose një projektligj të miratuar nga Kongresi. Pra në teori asnjë president nuk mund të vendosë i vetëm. Megjithatë, në praktikë gjërat janë më të ndërlikuara.
Kushtetuta e SHBA-së nuk e sqaron në mënyrë të qartë se kush ka fuqinë për t’u tërhequr nga një traktat ndërkombëtar. Gjatë historisë, disa presidentë kanë braktisur marrëveshjet pa një votim parlamentar, duke hapur çdo herë një zonë gri që nuk është zgjidhur kurrë plotësisht.
Dhe në këtë terren të pasigurt, mund të zhvillohet një përplasje institucionale: Komandanti i Përgjithshëm kundër Kongresit, dhe ndoshta Gjykata e Lartë që thirret ta zgjidhë çështjen. Por formalisht argimi nga NATO është shumë më i thjeshtë.
Neni 13 i Traktatit parashikon që çdo vend mund të largohet me një njoftim zyrtar. Tërheqja hyn në fuqi pas dymbëdhjetë muajsh. Pra pa negociata, pa veto nga anëtarët e tjerë. Është një mekanizëm i drejtpërdrejtë, i konceptuar gjatë viteve të Luftës së Ftohtë për të garantuar sovranitetin kombëtar.
Por pikërisht këtu qëndron paradoksi: largimi nga NATO është relativisht i lehtë nga një perspektivë ndërkombëtare, por potencialisht i vështirë – dhe konfliktual – në nivel të brendshëm në Shtetet e Bashkuara.
Por ekziston një pikë edhe më e rëndësishme, që shpesh anashkalohet. Shtetet e Bashkuara mund ta dobësojnë Aleancën edhe pa u larguar zyrtarisht. NATO bazohet në një parim kyç, Nenin 5, i cili parashikon mbrojtje kolektive në rast sulmi.
Por kjo nuk është automatike. Çdo vend vendos vetë se si të ndërhyjë. Me fjalë të tjera, gjithçka varet nga vullneti politik – dhe besueshmëria. Një president skeptik, ose haptazi armiqësor, mund të qëndrojë në NATO, por ta dobësojë atë nga brenda : duke zvogëluar angazhimin ushtarak, duke ngadalësuar vendimmarrjen, duke hedhur dyshime mbi mbrojtjen amerikane.
Për aleatët evropianë, ky do të ishte një skenar pothuajse aq destabilizues sa një dalje zyrtare. Pasojat do të ishin të thella. Evropa do të ishte më e ekspozuar, veçanërisht në frontin lindor, ndërsa Rusia do të fitonte një avantazh të menjëhershëm strategjik.
Edhe Kina po vëzhgon nga afër situatën. Çdo çarje në sistemin e aleancës perëndimore është një mundësi e madhe gjeopolitike për të. Prandaj, përtej aspekteve ligjore, pyetja e vërtetë është politike. A mund t’i detyrojë Trump vërtet Shtetet e Bashkuara të dalin nga NATO?
Ndoshta, por jo pa pengesa dhe konflikte. Megjithatë, ai mund ta ndryshojë rrënjësisht funksionimin e Aleancës edhe duke mbetur brenda saj. Dhe për shumë vëzhgues, ky është një skenar që ka filluar tashmë. /tesheshi.com/