Operacioni që mund t’iu shpëtojë nga tensioni i lartë…

Tensioni i lartë i gjakut, i njohur ndryshe si hipertensioni, mbetet një nga problemet më serioze dhe të përhapura shëndetësore në botë. Ai shpesh vepron në heshtje, duke dëmtuar organizmin me kalimin e kohës dhe duke rritur ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe dështim të veshkave.

Për shumë pacientë, shkaku i saktë i tensionit mbetet i panjohur, duke i detyruar ata t’u nënshtrohen trajtimeve me ilaçe gjatë gjithë jetës. Shpesh, mjekët e krahasojnë këtë gjendje me fryrjen e tepërt të një tullumbaceje: sa më shumë rritet presioni, aq më i madh është rreziku i dëmtimit.

Por një studim i fundit i realizuar nga studiuesit e Universitetit Queen Mary të Londrës, Spitalit Barts dhe Spitalit Universitar të Kembrixhit, ofron një perspektivë të re premtuese.

Shkencëtarët kanë zbuluar se te një numër i madh njerëzish, hipertensioni shkaktohet nga gunga të vogla në gjëndrat mbiveshkore. Këto gjëndra, të cilat ndodhen mbi veshka, prodhojnë hormonin aldosteron, i cili rregullon nivelet e kripës dhe ujit në trup.

Kur këto gunga prodhojnë tepricë aldosteroni, trupi mban më shumë kripë se sa duhet, duke çuar në një hipertension të rëndë që shpesh nuk i përgjigjet medikamenteve standarde.

Deri më sot, identifikimi i këtyre gungave ishte jashtëzakonisht i vështirë, pasi ato janë shumë të vogla për t’u dalluar nga skanimet e zakonshme. Megjithatë, ekipi kërkimor përdori një metodë të re përmes skanimit CT me Metomidat, një substancë e specializuar që ngjitet pas qelizave që prodhojnë aldosteron.

Gjatë këtij procesi, zonat problematike dallohen qartë, duke u lejuar mjekëve të shohin saktësisht se ku e ka origjinën problemi. Në studimin e botuar në revistën Nature Medicine, u analizuan 128 pacientë dhe rezultatet ishin mbresëlënëse: te dy të tretat e tyre u vërtetua se teprica e hormonit vinte nga një gungë e vetme në njërën prej gjëndrave.

Pas heqjes së këtyre gungave përmes operacionit, shumica e pacientëve arritën të stabilizonin tensionin dhe të ndërprisnin përfundimisht përdorimin e ilaçeve.

Drejtues i studimit, profesori Morris Broën, u shpreh se këto gunga janë anashkaluar për dekada sepse ishin praktikisht të padukshme, por me këtë metodë të re imazherike mjekët mund t’i gjejnë dhe t’u ofrojnë pacientëve një kurë përfundimtare.

Vlerësohet se rreth 1 në 20 persona me tension të lartë mund ta kenë këtë shkak të fshehur. Ky zbulim shënon një hap të rëndësishëm për mjekësinë moderne, duke e kthyer hipertensionin nga një sëmundje kronike në një problem që mund të zgjidhet në mënyrë të shënjestruar, duke përmirësuar rrënjësisht cilësinë e jetës për miliona njerëz. /tesheshi.com/

Leave a Comment