Raportet e fundit të inteligjencës amerikane paralajmërojnë se Irani nuk ka gjasa ta hapë Ngushticën e Hormuzit së shpejti, pasi kontrolli i tij mbi një kalim kyç për naftën botërore ofron të vetmin levë të vërtetë mbi Shtetet e Bashkuara, thanë për Reuters tre burime të njohura me çështjen.
Inteligjenca sugjeron se Teherani mund të vazhdojë të bllokojë ngushticën për të mbajtur çmimet e energjisë të larta dhe për të ushtruar presion mbi Presidentin e SHBA-së Donald Trump për të gjetur një rrugëdalje të shpejtë nga lufta gati pesë-javore që mbetet e papëlqyeshme tek votuesit amerikanë.
Raportet gjithashtu japin indikacione se lufta, e cila kishte për qëllim shkatërrimin e fuqisë ushtarake të Iranit, në fakt mund të rrisë ndikimin e tij rajonal duke demonstruar aftësinë e Teheranit për të kërcënuar një portë kyçe.
Trump po përpiqet të minimizojë vështirësitë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e naftës botërore. Të premten, ai la të kuptohej se mund të urdhërojë forcat amerikane ta rihapin atë.
“Me pak më shumë kohë, ne mund ta HAPIM lehtësisht NGUSHTICËN E HORMUSHIT, TË MARRIM NAFTËN DHE TË BËJMË PASURI”, njoftoi ai në rrjetin e tij social Truth Social.
Megjithatë, analistët kanë paralajmëruar prej kohësh se një përpjekje për të përdorur forcën kundër Iranit, i cili kontrollon njërën anë të ngushticës, mund të jetë e kushtueshme dhe ta tërheqë SHBA-në në një luftë të zgjatur tokësore.
“Në një përpjekje për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve të shkatërrimit në masë, SHBA-të i kanë dhënë Iranit armë për shkatërrim masiv”, tha Ali Vaez i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), një organizatë për parandalimin e konflikteve.
Teherani, shtoi Vaez, e kupton se aftësia për të prishur tregun botëror të energjisë me kontrollin e tij mbi ngushticën është “dukshëm më e fuqishme se edhe armët bërthamore”.
Qëndrimi i Trump-it mbi pjesëmarrjen e mundshme amerikane në rihapjen e kalimit ka ndryshuar. Nga njëra anë, ai e bëri përfundimin e kontrollit iranian të ngushticës një parakusht për një armëpushim, por më pas u bëri thirrje vendeve të Gjirit Persik dhe aleatëve të NATO-s që të ndihmojnë në rihapjen e saj. /tesheshi.com/