Eksplozivë pranë një gazsjellësi dhe një fushatë elektorale që po ndizet dhe që është përcaktuese për fatet e Evropës. Episodi i fundit vjen nga Beogradi, ku presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se policia ka zbuluar eksplozivë pranë një gazsjellësi që transporton gaz nga Rusia drejt Serbisë dhe Hungarisë.
Vuçiç shpjegoi se “dy pako të mëdha eksplozivi me detonatorë” u gjetën brenda disa çantave të shpinës në veri të Serbisë, në Kanjizë, “disa qindra metra larg gazsjellësit”. Gazsjellësi Balkan Stream është një zgjatim i gazsjellësit TurkStream dhe transferon gazin rus si në Serbi, ashtu edhe në Hungari.
Presidenti hungarez Viktor Orbán konfirmoi se dy udhëheqësit kanë biseduar dhe tha se ka thirrur një “këshill mbrojtjeje të jashtëzakonshëm” në Hungari, por nuk janë dhënë detaje se kush mund t’i ketë vendosur eksplozivët pranë gazsjellësit dhe pse.
Lajmi vjen në një moment kur integriteti i infrastrukturave të gazsjellësve është në qendër të kronikave. Naftësjellësi Druzhba, i epokës sovjetike, një naftësjellës i veçantë që transporton naftën ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë, ka qenë shkak i një përplasjeje të ashpër vitet e fundit midis Hungarisë dhe Ukrainës.
Naftësjellësi u dëmtua nga një sulm rus në fund të janarit dhe nuk është riparuar ende, por si Hungaria, ashtu edhe Sllovakia akuzojnë Ukrainën se po e përdor çështjen për qëllime politike.
Qeveria e Orbán-it ka pohuar vazhdimisht se Ukraina po përpiqet të shkaktojë një krizë energjetike në prag të zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit, në përpjekje për të dobësuar administratën e tij.
Ndryshe nga Hungaria, Serbia nuk është shtet anëtar i BE-së dhe është kandidate për anëtarësim. Beogradi është shumë i varur nga gazi rus. Ai importon rreth 6 milionë metra kub në ditë me rreth gjysmën e çmimit të tregut.
Por mbi të gjitha, incidenti ndodh një javë para se hungarezët t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare vendimtare, në të cilat pushteti i Orbán-it, që zgjat prej 16 vitesh, rrezikon të pësojë një sfidë të paprecedentë nga Péter Magyar, ish-zyrtar i njohur i partisë në pushtet Fidesz.
Zgjedhjet kanë vënë përballë dy vizione për të ardhmen e Hungarisë: Orbán dhe Fidesz kërkojnë të bindin votuesit se lufta në Ukrainë përfaqëson një kërcënim të rëndë për vendin dhe se Orbán është personi më i përshtatshëm për të menaxhuar këtë rrezik.
Ndërkohë, Magyar dhe partia e tij Tisza u bëjnë thirrje votuesve të përqendrohen te stanjacioni ekonomik, te përkeqësimi i shërbimeve sociale dhe te korrupsioni. Incidenti, i ndodhur ndërkohë që Orbán është në disavantazh në sondazhe, ka zgjuar një vëmendje intensive politike në të gjithë Hungarinë.
Të dielën, Magyar deklaroi në rrjetet sociale se ai dhe partia Tisza ishin paralajmëruar nga burime të ndryshme se diçka mund të ndodhte në Serbi rreth Pashkëve, “ndoshta duke përfshirë një gazsjellës”, dhe supozohet me ndihmën serbe dhe ruse.
“Dhe tani ky inskenim ndodhi”- deklaroi ai. Ai i bëri thirrje qeverisë së Orbán-it të ndalojë mbjelljen e panikut dhe shkaktimin e trazirave. “Hungarezët kanë çdo arsye të frikësohen se kryeministri në largim, duke ndjekur këshillat e agjentëve rusë, po tenton të mbjellë frikë te populli i tij përmes operacioneve me flamur të rremë”- pohoi ai.
“Dua gjithashtu të sqaroj se ai nuk do të jetë në gjendje të pengojë zgjedhjet e së dielës së ardhshme”- shtoi kryeopozitari. Fushata u intensifikua në shkurt, pasi Orbán pohoi, pa dhënë prova, se Ukraina po sabotonte sistemin energjetik hungarez dhe deklaroi se kishte dërguar trupa për të ruajtur infrastrukturat energjetike të vendit.
Gjithashtu, Orbán e ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për vonimin e qëllimshëm të riparimeve të naftësjellësit Druzhba, që daton në epokën sovjetike e që transporton naftë ruse në Hungari dhe Sllovaki përmes Ukrainës, dhe ka bllokuar dhënien e një huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën pikërisht për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve. /tesheshi/com/