Izraeli shkel brenda pak orësh armëpushimin, vazhdon rrafshimin e Libanit

Pavarësisht njoftimit bujshëm për një armëpushim dyjavor midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuar nga Pakistani, Izraeli ka bërë të qartë se operacionet e tij ushtarake në Liban nuk do të ndalen.

Ndërsa bota priste një ulje të tensioneve pas deklaratave të Donald Trump, ushtria izraelite ka shtuar sulmet kundër Hezbollahut, duke lënë pas rrënoja dhe një bilanc tragjik që rëndohet orë pas ore.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi prerazi se armëpushimi i fundit arritur midis SHBA-së dhe Iranit, “nuk e përfshin Libanin”. Ky qëndrim bie ndesh me deklaratat e kryeministrit pakistanez, Shehbaz Sharif, i cili pohoi se akordi përfshinte një ndalim të menjëhershëm të luftimeve “kudo, përfshirë Libanin”.

Megjithatë, për Tel Avivin, fronti verior konsiderohet një konflikt i veçantë dhe i izoluar nga marrëveshjet e arritura me Teheranin. Në terren, dhuna nuk ka njohur ndëprerje. Sulmet e fundit izraelite kanë shkaktuar të paktën katërmbëdhjetë të vrarë në zona të ndryshme të vendit.

Në Saida, një goditje vdekjeprurëse mbi një makinë shkaktoi tetë viktima, ndërsa operacionet në jug dhe sulmet me dronë në Qana dhe al-Qleileh shtuan numrin e jetëve të humbura.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) lëshuan urdhra të njëpasnjëshëm evakuimi për banorët e periferive jugore të Bejrutit dhe qytetit të Tiros, duke i paraprirë bombardimeve që i rrafshuan lagjet duke lënë pas re gjigante tymi.

Mes këtij kaosi, presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka lëshuar një apel urgjent për komunitetin ndërkombëtar. Duke përshëndetur në parim armëpushimin SHBA-Iran, Aoun kërkoi me ngulm që vendi i tij të përfshihet në këtë “paqe rajonale”, në mënyrë të qëndrueshme.

Ai theksoi se Libani do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të siguruar që marrëveshja të mos mbetet e kufizuar vetëm te Irani, ndërkohë që popullsia libaneze po përballet me pikën e saj të rrënimit.

Për civilët, konfuzioni është vdekjeprurës. Autostradat drejt jugut u bllokuan nga njerëz që shpresonin të ktheheshin në shtëpi, vetëm për t’u përballur me predhat izraelite.

Me mbi 1.1 milion njerëz të zhvendosur dhe një situatë ku Izraeli as nuk ishte pjesë e tryezës së bisedimeve të fundit, Libani mbetet viktima kryesore e një lufte që nuk po ndalet, pavarësisht premtimeve të Uashingtonit. /tesheshi.com/ 

Leave a Comment