Bisedimet e drejtpërdrejta midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Pakistan përfunduan pa marrëveshje pas gati 21 orësh negociatash, transmeton Anadolu.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim tha se bisedimet në Islamabad dështuan për shkak të “kërkesave të tepruara amerikane”, të cilat penguan arritjen e një kornize të përbashkët mes dy palëve.

Ajo theksoi se delegacioni iranian ofroi vazhdimisht iniciativa dhe propozime të reja në përpjekje për ta çuar procesin drejt një marrëveshjeje, por “qëndrimi amerikan me kërkesa të tepruara” pengoi përparimin.

Agjencia shtoi se Pakistani bëri përpjekje që nga mëngjesi i së dielës për të organizuar një raund tjetër bisedimesh dhe për të shkëmbyer drafttekste, por negociatat përfundimisht u mbyllën pa rezultat.

Teherani refuzoi kërkesat e SHBA-së që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, programin bërthamor paqësor të Iranit dhe largimin e materialit bërthamor nga vendi, sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Fars.

Ajo shtoi se Washingtoni po përpiqej të arrinte përmes negociatave “atë që nuk arriti ta realizonte në luftë”.

Agjencia raportoi gjithashtu se delegacioni amerikan dukej se po kërkonte një arsye për t’u larguar nga tryeza e negociatave dhe nuk ishte i gatshëm të ulte kërkesat e tij, pavarësisht bllokimit të krijuar gjatë luftës me Iranin.

Nuk është shpallur ende asnjë datë apo vend për një raund të ri negociatash.

Bisedimet e Islamabadit u konsideruan si negociatat e drejtpërdrejta më të rëndësishme midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që nga viti 1979 dhe u zhvilluan mes një armëpushimi të brishtë dyjavor të shpallur më herët këtë javë.