Vdiq apo u vra legjenda e futbollit?

Në kryeqytetin argjentinas, Buenos Aires, ka nisur gjyqi i ri mbi vdekjen e Diego Armando Maradonës, duke rikthyer në skenë dilemën e madhe: a ishte vdekja e tij një rezultat i pashmangshëm i stilit të jetesës, apo një krim i shkaktuar nga braktisja?

Pas anulimit të procesit të parë për shkak të një skandali etik – ku një gjyqtare po filmonte fshehurazi për një dokumentar – shtatë profesionistë të shëndetësisë përballen sërish me drejtësinë në San Isidro.

Prokuroria është e prerë në akuzën e saj: Maradona u la në mëshirë të fatit. Prokurori Patricio Ferrari deklaroi se mjekët dhe infermierët vepruan si “një bandë amatorësh” dhe me një “indiferencë kriminale”.

Sipas tij, cilido prej tyre që do të vendoste transferimin e Maradonës në një klinikë të specializuar, do t’i kishte shpëtuar jetën. Akuzat rëndojnë mbi neurokirurgun Leopoldo Luque, psikiatren Agustina Cosachov, psikologun Carlos Díaz dhe stafin infermieror, të cilët rrezikojnë nga 8 deri në 25 vjet burg për “vrasje me dashje”.

Pesë vjet më parë, pas një operacioni në kokë, Maradona u dërgua për rehabilitim në një shtëpi të marrë me qira në Tigre. Raporti mjekësor është rrëqethës. Ai vdiq nga arresti kardiak dhe edema pulmonare, por agonia e tij zgjati të paktën 12 orë.

Gjatë kësaj kohe, ai nuk u monitorua siç duhet, pavarësisht vuajtjeve nga sëmundje kronike të veshkave, mëlçisë dhe zemrës. Avokati i vajzave të tij, Fernando Burlando, ishte i shkurtër: “Diego Maradona u vra!”.

Në këtë gjyq të dytë, mbrojtja ka ndryshuar taktikë. Leopoldo Luque, i cili konsiderohet mjeku kryesor, ka deklaruar pafajësinë e tij duke hedhur dyshime mbi shkakun zyrtar të vdekjes. Ai pretendon se vdekja ishte e papritur dhe se ai nuk kishte përgjegjësi për kushtet e shtrimit në shtëpi.

Nga ana tjetër, avokatët e psikiatres Cosachov dhe psikologut Díaz, argumentojnë se mjekët u bazuan në informacione të gabuara nga infermierët, ndërsa këta të fundit pretendojnë se thjesht zbatonin urdhrat e mjekëve.

Ky proces i ri pritet të zgjasë të paktën tre muaj dhe pritet të dëshmojnë mbi njëqind e njezet persona. Ndërsa jashtë gjykatës mbështetësit demonstrojnë me flamuj dhe lot në sy, brenda sallës po kërkohet përgjigjja për pyetjen që mundon miliona njerëz: pse njeriu që bëri botën të dashurohej pas futbollit, u la të vdiste në vetmi dhe pa kujdesin minimal mjekësor?

Rrëfimet janë të ndryshme, por fundi është i njëjtë: një legjendë e shuar në rrethana që mbeten akoma një njollë e zezë për mjekësinë argjentinase. /tesheshi.com/

Leave a Comment