Ky fshat, jo më i njëjti pas xhirimit të filmit të famshëm

Kur Francis Ford Coppola zgjodhi fshatin kodrinor Savoka në Siçili për të xhiruar skenat kyçe të “Kumbarit” në vitin 1971, banorët vendas nuk e kishin idenë se jeta e tyre do të ndryshonte përgjithmonë.

Në atë kohë, Savoka ishte një vend ku koha kishte ndalur. Nuk kishte televizorë, as ujë të rrjedhshëm dhe njerëzit pinin ujin e shiut të mbledhur në sterna.

Për Enca Trimarkin, atëherë një rrobaqepëse 22-vjeçare, ardhja e trupës së xhirimit ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Ajo u përzgjodh si shoqëruese e nuses në skenën ikonike të dasmës midis Majkëll Korleone (Al Paçino) dhe Apolonia Vitelit.

“Ishte sikur kishin zbarkuar UFO-t”- kujton historiani vendas Salvatore Kolitore. Rrugët me gropa u rregulluan me nxitim dhe kisha lokale ofroi karriget e saj sepse nuk kishte mjaftueshëm pajisje për setin.

Xhirimet zgjatën vetëm pak javë, por kujtimet mbeten të gjalla. Vinçenco Paskuale, një tjetër vendas që luajti rolin e një prej vëllezërve të Apolonias, kujton një incident ku Al Paçino goditi kokën pas një shkalle hekuri brenda kishës së Shën Nikollës.

Pavarësisht gjakderdhjes, aktori qëndroi i qetë, duke treguar profesionalizmin që do ta bënte atë një legjendë të Hollivudit. Sot, pika qendrore e turizmit është “Bar Vitelli”, i vendosur në një ndërtesë të shekullit XV-të.

Është pikërisht vendi ku Majkëll Korleone i kërkoi pronarit dorën e vajzës së tij. Dikur një bar i thjeshtë ku pronarja Maria D’Arrigo u shërbente aktorëve djathë dhe verë shtëpie falas, sot ai është një destinacion popullor për turistët që duan të rijetojnë atmosferën e filmit.

Më shumë se 50 vjet më vonë, Savoka mbetet e lidhur ngushtë me filmin. Nga një fshat pothuajse i braktisur, ai tani pret mijëra turistë që vijnë me anije turistike nga porti i Mesinës.

Ky fluks ka sjellë mirëqenie, duke hapur biznese të reja si hotele butikë dhe dyqane suveniresh, por ka sjellë edhe sfida.

Në sezonin e pikut, rrugët e ngushta mesjetare bllokohen aq shumë sa vendasit duhet t’u bien borive të makinave për të kaluar mes turmave që bëjnë fotografi.

Për banorët si Enza, e cila tani është 76 vjeçe, filmi ishte një “dhuratë nga Zoti”. Megjithatë, ajo pranon se ndonjëherë është e lodhshme t’u japësh autografe turistëve të panumërt.

Pavarësisht romantizimit të stereotipave të mafies që solli filmi, për Savokan, “Kumbari” mbetet momenti që e nxori fshatin nga harresa dhe e vendosi në hartën e botës, duke e bërë atë të shkëlqejë nën dritën e përjetshme të kinematografisë. /tesheshi.com/

Leave a Comment