Nëntoka e qytetit të Napolit duket se është krijuar posaçërisht për të mbrojtur dhe fshehur bandat kriminale. Nën këmbët e banorëve të këtij metropoli mesdhetar, shtrihet një univers paralel që nuk është thjesht një rrjet kanalizimesh, por një gërshetim kaotik tunelesh, varresh të lashta dhe ujësjellësish.
Kjo botë e errët, e ndërtuar përgjatë mijëvjeçarëve, sot njihet si streha perfekte e “banda del buco” (banda e vrimave), e cila shfrytëzon zbrazëtinë e nëntokës napolitane për të goditur në zemër të institucioneve financiare.
Rasti më i fundit i grabitjes së bankës Crédit Agricole në Piazza Medaglie d’Oro, dëshmoi saktësinë e këtyre operacioneve. Grabitësit u zhdukën përmes sistemit të kanalizimeve, rreth pesë metra nën sipërfaqe, duke përdorur një rrjet kryesisht të paeksploruar që lidh pikat kyçe të qytetit. Që nga vitet 1970, këto lloj vjedhjesh janë bërë të zakonshme në Napoli.
Kriminelët gërmojnë tunele anësore me diametër vetëm gjashtëdhjetë deri në shtatëdhjetë centimetra, duke thyer muret e kanalizimeve kryesore për të dalë me saktësi kirurgjikale në dyshemetë e bankave apo dyqaneve të luksit.
Megjithatë, kanalizimet janë vetëm cipa sipërfaqësore. Më thellë, dhjetëra metra nën tokë, fshihet “Napoli Nëntokësor”, një qytet i vdekur që tregon historinë e çdo epoke.
Labirinti fillon rreth vitit 2500 Para Erës Sonë. me varret Materdei, për të vazhduar me grekët dhe romakët që gërmuan shtufin e verdhë vullkanik për të ndërtuar qytetin sipër. Kjo krijoi zgavra gjigante në formë kambane, të cilat më vonë u kthyen në rezervuarë gjigantë uji.
Romakët ishin të parët që ndërtuan rrugë të mirëfillta nëntokësore për qëllime ushtarake, një praktikë që u ringjall në shekullin e XIX nga Burbonët. Ata krijuan Galleria Borbonica, një tunel gjigant shpëtimi që lidhte Pallatin Mbretëror me Piazza della Vittoria.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo nëntokë i shpëtoi jetën mijëra civilëve, duke u shndërruar në strehë kundërajrore me tualete dhe ndriçim. Pas luftës, këto hapësira u braktisën, duke u kthyer në depo mbeturinash ku sot gjeologët gjejnë makina të vjetra dhe relikte të një epoke tjetër.
Sot, shëtitja në këtë rrjet mbetet një sfidë vdekjeprurëse për shkak të erës së keqe dhe rrezikut të përmbytjeve. Megjithatë, për sa kohë që nuk ekziston një hartëzim i plotë hetimor i këtij labirinti, nëntoka do të mbetet aleati më besnik i krimit,. një vend ku Napoli “gëlltit” provat dhe zhduk fajtorët pa lënë gjurmë. /tesheshi.com/