“Nëna e Ujdive”: pse i vjen era Izrael riafrimit Tiranë-Athinë

“Medalja” kryesore me të cilën Partia Socialiste krenohej gjatë tetë viteve të saj në opozitë (2005-2013), ishte kundershtimi dhe padia në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë.

Në atë kohë, Edi Rama pozicionohej si gardiani i pakompromis i sovranitetit, duke denoncuar “gllabërimin” e qindra kilometrave katrorë det nga fqinji jugor. Sot, pas më shumë se një dekade në pushtet, ai patriotizëm i flaktë duket se është shkrirë nën diellin e një pragmatizmi transaksionist, që ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje.

Takimi i fundit në Athinë dhe deklaratat në Forumin e Delfit shënojnë një kthesë dramatike. Rama, i cili dikur derdhte vrer ndaj pretendimeve greke, tashmë flet për një “miqësi të veçantë” me Mitsotakis dhe premton zgjidhjen e çështjes së kufirit detar në Hagë brenda vjeshtës.

Por pyetja që lind natyrshëm është: Pse ky nxitim pikërisht tani? Pse kjo “pranverë” meteorologjike dhe diplomatike po vjen pas një dimri të gjatë e të acartë, të kulmuar me çështjen “Beleri”?

Përgjigjja nuk gjendet vetëm në korridoret e Tiranës apo Athinës, por në lojërat e mëdha gjeopolitike që po luhen në Mesdheun Lindor. Ky riafrim i befasishëm përkon me forcimin e aleancës trepalëshe Greqi-Qipro-Izrael (e mbështetur nga SHBA përmes formatit 3+1).

Kjo aleancë, e fokusuar në projektet energjetike si gazsjellësi EastMed dhe bashkëpunimin ushtarak, synon haptazi izolimin e Turqisë dhe mbrojtjen e interesave ekonomike në det.

Shqipëria duket se po tenton të bëhet pjesë e këtij ekuacioni. Pritja me nderime speciale që Rama mori në Izrael në janar, prezenca në rritje e kompanive izraelite në Zonën e Lirë Ekonomike në Kashar dhe dyndja e investitorëve izraelitë në bregdetin shqiptar, janë shenja të një orientimi të ri.

Por ky orientim vjen me një kosto: ftohjen e dukshme të raporteve me presidentin turk Erdogan. Manovrat tinzare të Rames dhe loja e tij me shumë porta duket se nuk po tolerohen më nga Ankaraja, e cila e sheh aleancën e Mesdheut si kërcënimin e saj kryesor.

I dëshpëruar për të ofruar një sukses të prekshëm, ndërkohë që anëtarësimi në BE mbetet në “kalendat greke”, Rama po ndjek modelin e Vuçiçit: krijimin e aleancave alternative, shpesh të dyshimta, që garantojnë mbijetesë politike dhe interesa ekonomike afatshkurtra.

“Nëna e ujdive” që po na premtohet – marrëveshja e partneritetit strategjik me Greqinë – mund të mbyllë plagët e vjetra në letër, por rrezikon të hapë të reja në marrëdhëniet tona rajonale.

Ndërsa çështja çame është harruar me vetëdije në sirtarët e diplomacisë, Tirana po nxiton drejt një marrëveshjeje që duket më shumë si një rreshtim në bllokun anti-Turqi sesa një pajtim i sinqertë fqinjësor.

Historia do të tregojë nëse ky “pragmatizëm” i Rames është mjeshtëri diplomatike apo thjesht një dorëzim i radhës përballë interesave të mëdha që e tejkalojnë Shqipërinë. /tesheshi.com/

Leave a Comment