“Antisemiti” Kanye West dhe avokatët e gjenocidistëve në Shqipëri

Reagimi i fundit i të ashtuquajturit “Komunitet Hebraik Shqiptar”, lidhur me koncertin e paralajmëruar të Kanye West më 11 korrik në Shqipëri, ka ngritur një pluhur moralizimi që kërkon të diktojë “vijat e kuqe” të shoqërisë sonë.

Në një qëndrim të gjatë për mediat, ky komunitet e cilëson ardhjen e artistit amerikan si një “kontradiktë morale” me historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit, duke kërkuar praktikisht ndalimin apo bojkotimin e tij mbi bazën e deklaratave të shkuara që janë etiketuar si “antisemite”.

Ajo që bie në sy në këtë reagim është mungesa e plotë e emrave konkretë dhe steriliteti në argumentim. Edhe pse flitet për mbrojtje të vlerave dhe jetës, ky komunitet nuk ka artikuluar deri më sot asnjë reagim publik mbi masakrat e tmerrshme që po ndodhin në Gaza.

Heshtja e tyre përballë humbjes së mijëra jetëve të pafajshme është ulëritëse, sidomos kur sot kërkojnë të bëhen gardianë të moralit publik duke sulmuar një artist për bindjet e tij politike apo fetare.

Nëse do të pranonim këtë standard të propozuar, Shqipëria do të duhej të mbyllte dyert për çdo lider shteti apo figurë publike që është rreshtuar hapur në krah të Palestinës. Madje, sipas kësaj logjike, Shqipëria duhet të ndalojë hyrjen edhe të asaj pakice izraelitësh që, me guxim të madh, janë zëshëm kundër politikave kriminale të qeverisë Netanyahu.

Përdorimi i historisë së shpëtimit të hebrenjve si “kartë krediti” për të censuruar artin sot, është një fyerje për vetë aktin e dikurshëm të shqiptarëve, i cili ishte human dhe jo politik.

Kanye West është një artist me famë botërore, jeta private e të cilit mund të mos jetë një model etik apo moral për t’u ndjekur. Megjithatë, në raport me luftën në Gaza, ai është pozicionuar në anën e duhur të historisë dhe humanitetit.

Për këtë arsye, lobet sioniste në mbarë botën po bëjnë çmos për të sabotuar turneun e tij të ri, duke arritur deri te pezullimi i koncertit të tij në Britani. Sulmet ndaj tij nuk janë thjesht për “antisemitizëm”, por për sfidën që ai i bën narrativës dominuese që synon të heshtë këdo që e dënon gjenocidin.

Koncerti në Shqipëri është konfirmuar dhe përgatitjet vijojnë. Është thuajse e sigurt se edhe kryeministri Edi Rama mund të ketë pasur presione nga miqtë e tij izraelitë për ta anuluar këtë ngjarje. Edhe pse në dy muaj çdo gjë mund të ndodhë, me shumë gjasa do të dominojë pragmatizmi.

Një ngjarje e tillë në mes të sezonit turistik, ka një peshë të madhe që nuk mund të injorohet. Shqipëria nuk ka pse bëhet vegël e axhendave që kërkojnë të ndëshkojnë artistët për zërin e tyre kritik, ndërkohë që mbyllin sytë para tragjedive njerëzore të përmasave biblike. \tesheshi.com\

Leave a Comment