Konflikti aktual midis SHBA-së dhe Iranit, mund të shihet si një seri keqkuptimesh kronike nga ana e presidentit Donald Trump. Strategjia e tij, e bazuar në presionin maksimal diplomatik, ushtarak dhe ekonomik, mbështetet në premisën se regjimi iranian do të dorëzohej ose do të shembej brenda pak ditësh nën forcën e bombardimeve dhe bllokadës.
Megjithatë, ky dështim për të prodhuar rezultatet e pritura tregon se Trump nuk ka kuptuar karakteristikën kryesore të Iranit: ideologjinë e rezistencës. Ideja e Iranit si një vend i rrethuar nuk lindi me Republikën Islamike.
Historia e shekujve XIX dhe XX është e mbushur me pushtime dhe ndërhyrje të huaja, duke krijuar një paranojë shtetërore ndaj fuqive të jashtme. Pika e kthesës absolute ishte Lufta Iran-Irak (1980-1988).
Gjatë tetë viteve të asaj lufte të përgjakshme, Irani u gjend i izoluar ndërsa regjimi i Sadam Huseinit mbështetej nga pjesa më e madhe e botës. Ky moment historik mitizoi konceptin e “Mbrojtjes së Shenjtë” (defa’e moqaddas).
Për klasën sunduese iraniane, mbijetesa falë rezistencës vetmitare nuk është thjesht një kujtim, por një model operimi. Udhëheqësi i sotëm, Mojtaba Khamenei, dhe elita e Gardës Revolucionare janë veteranë të kësaj lufte.
Ata janë edukuar me bindjen se rezistenca me çdo kusht është e vetmja rrugë, edhe kur ajo duket ekonomikisht e paarsyeshme. Ky qëndrim ideologjik është transformuar në politika specifike që e bëjnë regjimin jashtëzakonisht të vështirë për t’u thyer.
Nga jashtë, Teherani ka krijuar të ashtuquajturin “Bosht të Rezistencës”, një rrjet milicish aleate si Hezbollahu, Huthit dhe milicitë shiite në Irak, të cilat shërbejnë si një mburojë e jashtme duke e mbajtur konfliktin larg kufijve iranianë.
Në nivelin ushtarak, regjimi ka miratuar një strukturë “mozaiku” me komandë të decentralizuar, e cila garanton që forcat e armatosura të mbeten operacionale edhe nëse qendra goditet.
Po ashtu, në sferën ekonomike, është promovuar autarkia përmes “ekonomisë së rezistencës”, duke i mësuar popullsisë durimin ndaj sanksioneve dhe duke e lidhur jetesën e miliona njerëzve drejtpërdrejt me institucionet shtetërore.
Trump ka nënvlerësuar elementin e “irracionalitetit racional” të Iranit. Për një biznesmen, presioni që çon në falimentim është sinjal për dorëzim. Për një regjim revolucionar, ky presion është vërtetim i profecisë së tyre historike mbi armiqësinë e Perëndimit, gjë që i forcon dhe bën që ata të shtrëngojnë radhët në vend që të tërhiqen.
Ndonëse rezistenca nuk është e pafundme dhe mund të ketë një pikë thyerjeje – si revoltat e brendshme apo kolapsi total – bllokada e deritanishme tregon se Irani është ndërtuar pikërisht për t’i rezistuar këtij skenari.
Trump po përballet me një kundërshtar që sakrificën e ka pjesë të identitetit, diçka që mjetet konvencionale të presionit nuk e kanë mposhtur dot ende. /tesheshi.com/