A përcakton rendi i lindjes shëndetin që do kemi gjatë jetës?

A ekziston vërtet një lidhje midis rendit të lindjes dhe shëndetit? Edhe pse mund të tingëllojë e habitshme, sipas një studimi të fundit të botuar në platformën MedRxiv, kjo lidhje është reale.

Gjetjet sugjerojnë se ndërsa fëmijët e parëlindur janë më të prirur të shfaqin çrregullime të zhvillimit neurologjik dhe alergji, fëmijët e dytë përballen me një rrezik më të lartë për migrenë, çrregullime gastrointestinale dhe abuzim me substancat.

Hulumtimi mori në shqyrtim një mostër gjigante prej mbi dhjetë milionë vëllezërish dhe motrash në Shtetet e Bashkuara, duke analizuar 569 gjendje shëndetësore dhe duke gjetur lidhje domethënëse për 150 prej tyre.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se studimi është i kufizuar në kontekstin amerikan, ku sistemi shëndetësor është kryesisht privat.

Në veçanti, doli në pah se fëmijët e parë janë më të rrezikuar nga çrregullimet neurozhvillimore, si autizmi, sindroma Tourette dhe ADHD.

Gjithashtu, ata shfaqin një incidencë më të lartë të alergjive (rinitit alergjik dhe alergjive ushqimore), akneve dhe çrregullimeve të ankthit. Nga ana tjetër, fëmijët e dytë tregojnë një rrezik të shtuar për herpes zoster, migrenë, probleme gastrointestinale dhe tendencë drejt abuzimit me substancat.

Po pse ndodhin këto diferenca? Studiuesit propozojnë disa shpjegime për këto rezultate. Së pari, fëmijët e dytë zhvillojnë një sistem imunitar më të fortë, pasi ekspozohen ndaj mikrobeve që në moshë shumë të vogël falë vëllezërve dhe motrave më të rritur. Kjo shpjegon incidencën më të ulët të alergjive tek ata.

Së dyti, fëmijët e parë priren të monitorohen me më shumë imtësi nga prindërit dhe dërgohen më shpesh te mjeku, gjë që mund të shpjegojë pse çrregullimet e sjelljes diagnostikohen më shumë te vëllezërit e motrat më të mëdhenj.

Së fundi, autorët hipotetizojnë se fëmijët e dytë mund të kenë prirje drejt sjelljeve më të rrezikshme, çka lidhet me abuzimin e substancave. Një rol kyç luan edhe diferenca në moshë midis fëmijëve.

Sipas Andrey Rzhetsky, një prej autorëve të studimit, një diferencë më e vogël shoqërohet me një incidencë më të ulët të disa sëmundjeve. Konkretisht, një hapësirë kohore prej më pak se katër vitesh mes lindjeve lidhet me shkallë më të ulëta të astmës dhe alergjive.

Vëllezërit e motrat me moshë të ngjashme ndërveprojnë më shpesh, duke shkëmbyer mikrobe që ndihmojnë në forcimin e mikrobiomës dhe sistemit imunitar. Gjithsesi kampionet janë  ekskluzivisht amerikane. Po ashtu, të dhënat burojnë nga kërkesat për rimbursim të sigurimeve, dhe jo nga matjet direkte klinike të prevalencës së sëmundjeve.

Kjo do të thotë se rezultatet mund të pasqyrojnë sjelljen e prindërve: ata kërkojnë diagnoza më shpesh për fëmijën e parë sesa për të dytin, sidomos për gjendje si autizmi apo ADHD, ku simptomat mund të jenë delikate. /tesheshi.com/

Leave a Comment