Për shekuj me radhë, imazhi i samurait – figurë historike e krahasueshme me kalorësit mesjetarë evropianë – është portretizuar si një luftëtar mashkull, i armatosur deri në dhëmbë dhe besnik i kodit të rreptë të bushido-s.
Megjithatë, historia e Japonisë fsheh një realitet tjetër. Në fushat e betejës nuk ishte aspak e pazakontë të ndeshje gra luftëtare. Këto ishin Onna-Musha, heroina që fituan vendin e tyre në letërsinë epike përmes guximit dhe mjeshtërisë në luftime.
Termi “samurai” (në japonisht do të thotë ai që shërben) nuk përshkruante thjesht një ushtar, por një klasë të tërë shoqërore. Fuqia e kësaj kaste u rrit ndjeshëm rreth shekullit XII, kur pushteti kaloi nga perandori te diktatori ushtarak, i njohur si Shogun.
Gjatë fundit të shekullit XVI, anëtarësimi në këtë elitë u bë i trashëgueshëm. De fakto, gjysma e kësaj kaste ishin gra. Ndonëse jo të gjitha merrnin pjesë rregullisht në beteja, ato stërviteshin në artet marciale që në moshë të vogël për të mbrojtur shtëpinë, familjen dhe nderin në mungesë të burrave.
Arma e tyre karakteristike ishte naginata, një shtizë me teh të lakuar në majë. Ndërsa burrat preferonin katanën, naginata u lejonte grave të mbanin larg kundërshtarët fizikisht më të fortë, duke kompensuar ndryshimin në madhësi dhe peshë, sidomos gjatë përballjeve me kalorësinë.
Për një kohë të gjatë, roli i tyre u konsiderua thjesht legjendë, por shkenca moderne ka ofruar prova të pamohueshme. Testet e ADN-së në mbetjet njerëzore të gjetura në vendet e betejave të mëdha, si ajo e Senbon Matsubaru (1580), zbuluan se rreth 35 nga 105 trupa u përkisnin grave.
Kjo dëshmon se në disa konflikte, gratë përbënin deri në një të tretën e forcave luftarake në fushë të hapur. Historia njeh figura legjendare si Tomoe Gozen, e përshkruar si një luftëtare e frikshme që përballej e vetme me dhjetëra armiq apo edhe Nakano Takeko.
Kjo e fundit, udhëhoqi në shekullin XIX një korpus të pavarur grash kundër trupave perandorake, duke luftuar deri në frymën e fundit vetëm me naginatën e saj. Harresa e këtyre luftëtareve nisi gjatë Periudhës Edo (1600-1868).
Në një Japoni që po shijonte një epokë të gjatë paqeje, samurajt u kthyen në burokratë, administratorë dhe intelektualë. Nën ndikimin e Neokonfucianizmit, roli i gruas në kastë pësoi një transformim rrënjësor.
Nga luftëtare të zhurmshme në fushëbetejë, ato u shndërruan në “gra dhe nëna të mençura”, duke u mbyllur brenda mureve të shtëpisë dhe duke lënë pas lavdinë e dikurshme të armëve. \tesheshi.com\