Bordi i Paqes në Gaza, një i vdekur i pakallur…

Bordi i Paqes, i krijuar nën patronazhin e drejtpërdrejtë të Uashingtonit dhe administratës së Presidentit Donald Trump, po dëshmon dita-ditës dështimin e tij të plotë dhe të pakthyeshëm për të frenuar makinerinë luftarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Nikolaj Mladenov, Përfaqësuesi i Lartë i këtij organizmi dhe ish-ministër bullgar i Mbrojtjes, ka deklaruar publikisht se prioriteti absolut i këtij komiteti mbetet çarmatimi i militantëve të Hamasit.

Kjo deklaratë, e bërë në emër të një Bordi që supozohet të ndërmjetësojë paqen, i jep në fakt Izraelit një leje për të rifilluar dhe intensifikuar luftën në shkallë të plotë nëse ky kusht i njëanshëm nuk plotësohet plotësisht.

Ky qëndrim praktikisht e asgjëson rolin e Bordit si një palë neutrale, duke e rreshtuar atë hapur si një zgjatim të interesave strategjike të Tel Avivit, ndërsa dokumentet e zbuluara nga “The Times of Israel” konfirmojnë se ky mekanizëm i jep përparësi absolute kërkesave izraelite, duke shkatërruar çdo ekuilibër të domosdoshëm për një proces të ndershëm diplomatik.

Edhe pse korniza fillestare e negociuar në Sharm el-Sheikh parashikonte një tërheqje graduale të forcave izraelite në shkëmbim të çarmatimit, realiteti në terren flet për një skenar krejt tjetër.

Muajt e fundit, ushtria izraelite (IDF) ka zgjeruar në mënyrë të njëanshme kontrollin e saj mbi territoret që supozohej t’i lironte sipas planit të paqes. Kjo strategji e presionit maksimal ka lënë pas një bilanc tragjik humanitar që tregon se armëpushimi ekziston vetëm si një konstrukt retorik në tavolinat e diplomacisë.

Gjatë periudhës që cilësohej si “qetësi” pas tetorit 2025, të dhënat autoritative të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare si “Save the Children” dhe Këshilli Danez për Refugjatët, konfirmojnë vdekjen e 765 palestinezëve dhe plagosjen e mbi dy mijë të tjerëve.

Ndër viktimat, të paktën 180 janë fëmijë, një shifër tronditëse që dëshmon se gjakderdhja nuk është ndalur për asnjë moment. Në këtë skenë të zymtë, fuqia e vazhdueshme e Hamasit po përdoret nga Izraeli si “alibia e përsosur” për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin, terma këto që janë përdorur tashmë zyrtarisht në deklaratat e OKB-së.

Shtytja drejt kushteve që qëllimisht janë të papranueshme për palën tjetër shërben si leva ideale për të mbajtur konfliktin ndezur dhe për të realizuar qëllimet ekspansioniste.

Bordi i Paqes, i mbushur me figura haptazi pro-izraelite, nuk duket i gatshëm apo i aftë të bëjë asgjë për të parandaluar këtë katastrofë.

Ky mekanizëm mbikëqyrës, i cilësuar me të drejtë si “një i vdekur i pakallur”, shërben tashmë vetëm si një mbulesë diplomatike për të legjitimuar vazhdimin e krimeve të luftës në një territor që lëngon nën rrënojat e premtimeve për paqe, të shkelura me të dyja këmbët.  \tesheshi.com\

Leave a Comment