Që prej emërimit të saj në vitin 2022 si Raportuese Speciale e OKB-së për territoret palestineze, Francesca Albanese është shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm dhe më të debatueshëm të drejtësisë ndërkombëtare.
E rritur në një Itali që ende frymëzohej nga idealet antifashiste të Sandro Pertinit dhe dëshmitë e Primo Levit, Albanese e ndërtoi karrierën e saj mbi besimin se e drejta ndërkombëtare nuk është thjesht teori, por një mjet i gjallë për të mbrojtur dinjitetin njerëzor përballë abuzimit.
Sot, ajo po paguan një çmim personal dhe profesional jashtëzakonisht të lartë, duke u përballur me sanksione dhe izolim për shkak të qëndrimeve të saj të palëkundura ndaj gjenocidit në Rripin e Gazës.
Ju nuk keni qenë gjithmonë një figurë publike, dhe aq më pak polarizuese. Çfarë ju nxiti fillimisht drejt së drejtës ndërkombëtare?
Së pari, frymëzimi im buronte nga puna vetëmohuese për drejtësi që kishin bërë njerëzit në vendin tim. U rrita në një Itali që kishte si president Sandro Pertinin, një ish-partizan që kishte luftuar kundër fashizmit dhe mbante qëndrime tejet të ndershme, përfshirë ato mbi Palestinën.
Leximi i autorëve si Primo Levi dhe Natalia Ginzburg mbi mënyrën se si njerëzit jetojnë përballë abuzimit formësoi edukimin tim. Holokausti ishte një abuzim pa precedent që la gjurmë të thella në formimin tim.
Meqenëse në atë kohë avokatia për të drejtat e njeriut nuk ishte e zakonshme në Itali, mendova se rruga më e mirë ishte përmes Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2022 u bëtë gruaja e parë në postin e Raportueses Speciale për Palestinën. A e kishit parashikuar këtë rol?
Absolutisht jo. Edhe pse njihja procedurat speciale nga koha kur shërbeja si zyrtare ligjore në UNRËA, nuk e kisha menduar veten në këtë pozicion. Ishte kolegu im, Michael Lynk, ai që më inkurajoi të kandidoja.
Mbaj mend që bashkëshorti im bënte shaka duke thënë se isha shumë larg profilit tipik të raportuesve të mëparshëm – zakonisht burra të një moshe të caktuar me karriera akademike. Megjithatë kur aplikova, isha plotësisht e gatshme ta ndërmerrja këtë sfidë.
Pas akuzave tuaja për gjenocid në Gaza, ju u sanksionuat nga qeveria amerikane. Si e ka ndryshuar ky vendim jetën tuaj?
Ndryshimi ka qenë drastik dhe brutal. Jam shndërruar në një person të përjashtuar financiarisht. Asetet e mia në SHBA janë ngrirë dhe universitetet kanë anuluar bashkëpunimet me mua.
Është poshtëruese të të duhet të fshehësh identitetin për të rezervuar një dhomë hoteli, apo të mos kesh qasje në kursimet dhe të ardhurat e tua. Madje, sanksionet kanë goditur edhe familjen time; Banka Botërore praktikisht pezulloi bashkëshortin tim nga detyra e tij për shkak të sanksioneve ndaj meje. Është e pabesueshme që as Italia dhe as Bashkimi Evropian nuk kanë ndërhyrë për të mbrojtur imunitetin tim diplomatik.
Shumë njerëz po e humbin besimin te rendi ndërkombëtar. Çfarë do t’u thoshit atyre?
Jam e bezdisur nga disfatizmi i atyre që thonë se e drejta ndërkombëtare nuk vlen. Ajo nuk është një shkop magjik, por një mjet që funksionon vetëm kur aktivizohet. Kur qytetarët dërgojnë bizneset në gjyq ose kur njerëzit protestojnë për të ndalur një gjenocid, ata po përdorin pikërisht të drejtën ndërkombëtare.
Ne duhet të kalojmë nga një pushtet shkatërrues drejt një pushteti që gjeneron harmoni dhe drejtësi. Çështja e Palestinës po vë në provë njerëzimin tonë kolektiv. \tesheshi.com\