Donald Trump ka krijuar një traditë të re në korridoret e Shtëpisë së Bardhë, e cila nga shumë vëzhgues po shihet më shumë si një mjet kontrolli dhe nënshtrimi sesa si një gjest bujarie. Presidenti i SHBA-së po shfaqur një fiksim të pazakontë me markën amerikane të këpucëve Florsheim, të prodhuara në Çikago që nga viti 1892.

Ndonëse kushtojnë mesatarisht vetëm 145 dollarë – një shifër modeste për standardet e tij të luksit – Trump ka nisur t’ua dhurojë ato pothuajse të gjithë bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, duke i detyruar ata t’i veshin si shenjë besnikërie.

Sipas raportimeve të Ëall Street Journal, kjo praktikë nisi në Zyrën Ovale kur Trump kritikoi hapur stilin e dy ndihmësve të tij, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Zëvendëspresidentit J.D. Vance, duke i quajtur “të shëmtuara” këpucët e tyre.

Pas atij episodi, ai nxori një katalog dhe u porositi atyre nga një palë këpucë Florsheim. Megjithatë, ajo që nisi si një sugjerim mode, është shndërruar në një situatë sa qesharake, aq edhe poshtëruese për figurat më të larta të administratës amerikane.

Rasti më flagrant që ka pushtuar mediat dhe rrjetet sociale është ai i Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio. Ai u bë menjëherë viral pasi u shfaq në publik me këpucët numër 45 që i dhuroi Trump.

Pamjet tregonin qartë se këpucët ishin dukshëm më të mëdha se masa e tij reale, duke krijuar një imazh gati karikaturor të kryediplomatit amerikan. Për shumë kritikë, ky nuk ishte thjesht një gabim në masë, por një simbolikë e fuqishme e “diktatit” të Trump.

Zyrtarët e tij duhet të veshin atë që u jepet, edhe nëse nuk u bën apo i bën të duken qesharakë. Diktate dhe servilizma të tilla nuk janë imponuar kurrë më parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, ku integriteti personal i zyrtarëve të lartë ka qenë i pacenueshëm.

Këto sjellje duken më tipike për epokën e errët të totalitarizmit, duke kujtuar marrëdhëniet e Stalinit me anëtarët e Byrosë Politike, ku çdo tekë e udhëheqësit duhej pranuar me buzëqeshje për të treguar nënshtrim absolut.

Në atë kohë, anëtarët e rrethit të ngushtë të diktatorit sovjetik detyroheshin të kërcenin apo të silleshin sipas tekave të tij për të vërtetuar besnikërinë. Sot në Uashington, ky test po kalohet përmes mbathjes së këpucëve të huaja.

Lista e “përfituesve” të këtyre dhuratave përfshin emra si Pete Hegseth, Hoëard Lutnick, Steven Cheung, e madje edhe gazetarë si Tucker Carlson e Sean Hannity. Trump raportohet se i firmos personalisht kutitë dhe më pas ndjek me vëmendje nëse marrësit po i mbajnë ato veshur.

“Të gjithë kanë frikë se mos nuk i kanë veshur kur takohen me Trump”- tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke treguar presionin psikologjik pas këtij veprimi. Ndërsa markat luksoze si Louis Vuitton janë braktisur në dollapë për të mos zemëruar presidentin, ky obsesion tregon një stil udhëheqjeje, ku masa e këpucëve shndërrohet në një test të frikshëm të besnikërisë politike. /tesheshi.com/

Leave a Comment