Bota po mban frymën pezull nga tensionet në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Edi Rama ka zgjedhur rolin e tij të preferuar: protagonistin global. Por pas rezolutave pompoze dhe rreshtimit qorrazi pas dyshes Trump-Netanyahu, fshihet një realitet i frikshëm.
Shqipëria nuk po sillet si shtet sovran që llogarit rreziqet, por si një repart vullnetarësh që hidhet në zjarr pa asnjë mjet mbrojtës. Shpallja e Iranit “shtet sponsor i terrorizmit”, është kulmi i një diplomacie të papërgjegjshme.
Jemi vendi i dytë në botë pas SHBA-së që hedhim këtë hap. Fuqitë europiane, si Franca apo Gjermania, tregohen të matura. Ato e shmangin një akt direkt që mund të kushtojë shtrenjtë. Ndërkohë, kryeministri ynë nxiton të shfaqet “më katolik se Papa”.
Duke ndjekur verbërisht axhendën radikale të Trump-it dhe Netanyahu-t, qeveria po e kthen Shqipërinë në tabelë qitjeje. Çfarë fiton vendi ynë nga ky zell ekstrem? Asgjë, përveç rrezikut.
Ne nuk kemi sistemin “Iron Dome” për t’u mbrojtur nga raketat. Nuk kemi as ushtri kibernetike të pathyeshme, por vetëm sisteme digjitale që dalin shumë lehtë jashtë funksionit. Ah po, kemi edhe podcast-e ku në njërin prej tyre kryeministri ligjëron për ne por edhe për botën.
Por ndërsa Rama flet për situatën e nderë në Ngushticën e Hormuzit, raporti i Brukselit na jep shuplakën e radhës. Shqipëria është vendi më i brishtë në aspektin e sigurisë energjetik në Europë: kemi vetëm 15 ditë rezerva nafte.
Kontrasti është i dhimbshëm. Fuqitë që imiton Rama, si SHBA apo Kina, kanë rezerva strategjike për pesë vite. Ato do të mbijetojnë edhe në skenarin e një bllokade totale. Ndërsa Shqipëria e “liderit global” kapitullon brenda dy javësh.
Në vend të llogaridhënies, Rama paralajmëroi të dielën rritjen e çmimit si diçka “të pashmangshme”. Ai do të fshihet sërish pas “bordeve” dhe “task-forca”-ve, si në vitin 2022 pas fillimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Por ato janë thjesht fasada burokratike: nuk e ulin çmimin por legalizojnë zhvatjen e radhës. Qytetarët do të paguajnë faturën e aventurave diplomatike të shefit të qeverisë.
Lojërat e mëdha gjeopolitike e kanë një kosto: kosto e paguar qytetari tek pika e karburantit, furra e bukës dhe marketi i lagjes.
Fatura mund të ishte me siguri më e vogël me një qasje të ekuilibruar. Për shembull, Greqia, Serbia apo Kroacia, po tregojnë se dinë ta ruajnë më mirë interesin kombëtar. Ato nuk bëhen “mish për top” në konflikte që nuk u takojnë.
Edi Rama po sillet si diplomat i madh me statutë ndërkombëtare, por po harron sërish detyrën e tij parësore në postin që mban: të mbrojë shqiptarët. Të hysh në luftë me një fuqi rajonale, që nesër mund të jetë gati të shndërrohet në një fuqi bërthamore, kur nuk ke as 20 ditë naftë rezervë, nuk është historike, as e lavdishme.
Do të thotë të luash kumar me sigurinë tonë. /tesheshi.com/