Nuk u pa në TV, Yildiz braktis festën për të ngushëlluar Zhegrovën (VIDEO)

Kombëtarja e Kosovës është mposhtur me rezultatin minimal 1-0 nga Turqia në “Fadil Vokrri”, në finalen e playoff-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, duke humbur kështu një mundësi historike për të siguruar biletën për në Botëror.

Ndeshja ishte e luftuar deri në fund, ndërsa vendimtar rezultoi një moment i vetëm që i dha fitoren përfaqësueses turke.

Nga minuta e parë për Turqinë u aktivizua talenti i Kenan Yıldız, i cili qëndroi në fushë deri në minutën e 89-të. Në anën tjetër, për Kosovën, Edon Zhegrova hyri në lojë në minutën e 71-të nga trajneri Franco Foda.

Pas përfundimit të sfidës, lojtarët turq nisën festën për kualifikimin, por një moment sportiv mori vëmendjen e publikut. Yıldız, sapo pa Zhegrovën të dëshpëruar nga eliminimi, vrapoi drejt tij dhe e përqafoi, duke e ngushëlluar për humbjen.

Një gjest fair-play që u vlerësua gjerësisht, duke treguar respektin mes dy futbollistëve që ndajnë edhe të njëjtën skuadër në nivel klubi, Juventus.

Të dy lojtarët do të rikthehen sërish në aksion me Juventusin të hënën, kur bardhezinjtë do të përballen me Genoa në stadiumin Allianz Stadium.

VIDEO

(VIDEO) Shtrenjtohet buka, kryeministri do të bisedojë me furrtarët

Pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës, ndikimi është ndjerë edhe te disa furra buke. Prej sot, çmimi i bukës është rritur nga 5 deri në 10 denarë. Lidhur me këtë çështje ka folur Kryeministri Hristijan Mickoski. Ai  njoftoi se Qeveria do ta analizojë situatën me çmimin e bukës dhe do të ndërmarrë masa nëse konstatohet se bëhet fjalë për rritje të pajustifikuar, duke theksuar se në të kundërtën do të pasojnë sanksione.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR

“Po e analizojmë situatën dhe sot gjatë ditës do të kem një takim për këtë çështje. Do t’i shqyrtojmë të dhënat dhe do të shohim nëse, bazuar në ato që ata i deklarojnë, vërtet ka nevojë për një rritje të tillë. Nëse ka nevojë, atëherë do të themi se ka arsye dhe do të ndërmarrim masa, ndërsa nëse nuk ka nevojë, atëherë ndaj atyre që sillen në mënyrë devijante dhe jo sipas rregullave të tregut do të shqiptohen gjoba”.

Ndërkaq, lideri i opozitës maqedonase Venko Filipçe, ka kundërshtuar Mickoskin, duke thënë se  se çmimet e produkteve bazë ushqimore dhe të karburanteve po rriten në mënyrë dramatike, ndërsa Qeveria sipas tij,  nuk po ndërmerr masa.  Filipçe tha se paga minimale është e pamjaftueshme për mbijetesë, ndërsa kostot e shportës së konsumit janë rritur.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

“Me 1.667 denarë, aq sa do të rritet  paga minimale, sot mund të blihen dy kilogramë domate, dy kilogramë kastraveca, një tabëll vezës dhe katër litra benzinë. Dhe kryeministri thotë se nuk ka nevojë për masa. Nëse kjo nuk kërkon masa, atëherë ai nuk jeton në realitet. Jeton në një botë paralele, ku rëndësi kanë vetëm tenderët partiakë, fitimi, krimi dhe korrupsioni”.

Ai u ndal edhe te kriza energjetike, duke i bërë  thirrje Qeverisë të bëjë një vlerësim të rezervave të karburanteve dhe të sigurojë burime të reja furnizimi, duke paralajmëruar se vendi mund të mbetet pa energjentë nëse vendoset ndalim për import. Ndërkohë, nga ana tjetër, kryeminsitri Mickoski tha se gjendja me karburantet është stabile, dhe siguron se nuk do të ketë  shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING

SHBA – Trafik kok*aine me vlerë 100 mln dollarë, dënohet me burg shqiptari (Emri)

Një shqiptar që jeton në Michigan është dënuar me 25 vjet burg në një rast trafiku ndërkombëtar kokaine prej 100 milionë dollarësh. Ylli Didani, 48 vjeç, u dënua të martën në gjykatën federale në Detroit, për shpërndarje kokaine dhe pastrim parash.

Sipas mediave amerikane, kokaina me vlerë mbi 100 milionë dollarë u sekuestrua pas hetimit të një organizate ndërkombëtare të trafikimit të drogës me lidhje me Shtetet e Bashkuara, Amerikën e Jugut dhe Evropën.

Agjencitë e përfshira në hetim përfshinin Administratën Kundër Drogës, Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të SHBA-së, Departamentin e Sigurisë Kombëtare, Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme-Hetimet Penale dhe Departamentin e Policisë së Farmington Hills (Michigan). Didani dhe bashkëpunëtorë të tjerë planifikuan dhe financuan shpërndarjen e kokainës nga disa vende, përfshirë Michiganin, tha prokurori i distriktit.

Si rezultat i hetimit, tha prokurori i distriktit, oficerët e zbatimit të ligjit sekuestruan mbi 4,300 kilogramë kokainë gjatë viteve 2019 dhe 2020, të cilat ishin ngarkuar në pesë anije të ndryshme kontejnerësh me destinacion porte ndërkombëtare.

Sporti në zi/ Mbyll sytë përgjithmonë ish-arbitri i njohur shqiptar (Emri+Foto)

Një lajm i trishtë ka prekur futbollin shqiptar. Është ndarë nga jeta ish-arbitri i njohur ndërkombëtar, Hiqmet Kuka, një figurë që ka lënë gjurmë të rëndësishme në arbitrimin vendas dhe atë ndërkombëtar.

Humbja e tij ka sjellë reagime të menjëhershme në komunitetin sportiv. Presidenti i Federata Shqiptare e Futbollit, Armand Duka, ka shprehur publikisht dhimbjen për ndarjen nga jeta të Kukës, duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar në futboll.

Në një mesazh ngushëllimi, Duka theksoi se Hiqmet Kuka ishte një nga emrat më të respektuar të arbitrimit shqiptar, duke nënvizuar profesionalizmin dhe përkushtimin që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës së tij si arbitër i FIFA-s.

Ai shtoi se puna dhe standardet që Kuka vendosi në fushën e lojës do të mbeten një pikë referimi për brezat e rinj të gjyqtarëve, të cilët do të ndjekin gjurmët e tij. Në fund të mesazhit, kreu i FSHF-së i përcolli ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të arbitrimit, duke uruar që shpirti i tij të prehet në paqe.

Ndarja nga jeta e Hiqmet Kuka lë një boshllëk të madh në sportin shqiptar, ku ai do të kujtohet si një profesionist i përkushtuar dhe një figurë e respektuar nga të gjithë.

E FUNDIT/ Ambasada amerikane paralajmëron për sulme: Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë opozitën iraniane në Shqipëri!

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale lidhur me sulme të mundshme të Iranit apo grupeve të lidhura me Teheranin ndaj opozitës iraniane (MEK) në Manëz.

Ambasada ngre alarmin se synim i sulmeve mund të jenë subjekte të lidhura me SHBA, por edhe vende të zakonshme, si vende turistike, qendra tregtare apo lokale dhe restorante.

Postimi bën thirrje për të gjithë qytetarët amerikanë në vend, që të jenë vigjilentë.

Mesazhi i Ambasadës amerikane në Tiranë për sulme të mundshme të grupeve të lidhura me regjimin e Teheranit:

Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar.

FAKTET/ A qendron deklarata e Ramës se heqja e taksës së qarkullimit ndaj karburanteve do t’i bënte shqiptarët të paguanin 4 herë më shumë?

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama se heqja e taksës së qarkullimit do t’i detyronte shqiptarët të paguanin katër herë më shumë është kundërshtuar nga gazetari Klodian Tomorri, i cili ka bërë një analizë të detajuar mbi historikun e kësaj takse.

Sipas Tomorrit, në vitin 2011 qeveria e kohës hoqi tre taksa mbi automjetet: taksën e shitjes, taksën e qarkullimit dhe taksën e regjistrimit. Në atë kohë, taksa e qarkullimit ishte 10 mijë lekë në vit për makinat me naftë dhe 7500 lekë për ato me benzinë, ndërsa taksa e regjistrimit ishte 2400 lekë në vit.

Për të kompensuar të ardhurat, barra fiskale u zhvendos pjesërisht te karburanti, duke vendosur një taksë prej 7 lekësh për litër për naftën dhe 5 lekësh për benzinën, si dhe një taksë vjetore për automjetet e përdorura. Sipas analizës, ky riformatim ishte neutral për buxhetin, pasi të ardhurat mbetën në të njëjtin nivel, rreth 80 milionë euro në vit.

Por situata ndryshoi pas vitit 2014, kur qeveria Rama rriti taksën e qarkullimit nga 7 në 17 lekë për litër dhe më pas në 27 lekë për litër. Sipas Tomorrit, me efektin e TVSH-së, kjo taksë arrin në rreth 32.4 lekë për litër.

Ai thekson se kjo nuk ishte një zhvendosje e barrës fiskale, por një rritje e drejtpërdrejtë taksash, e cila u kushton qytetarëve shqiptarë rreth 200 milionë euro në vit.

Në analizën e tij, Tomorri kundërshton edhe pretendimin e Kryeministrit se vendet e rajonit e kanë taksën e qarkullimit të përfshirë te automjeti. Sipas tij, krahasimi i faturave vjetore tregon se Shqipëria është në të njëjtat nivele me vendet e rajonit.

Referuar të dhënave të përpunuara, taksat vjetore për automjetet janë rreth 200 euro në Maqedoninë e Veriut, 250-350 euro në Kosovë, 245-345 euro në Shqipëri dhe 250-450 euro në Serbi.

Sipas gazetarit, këto shifra tregojnë se pretendimi për një diferencë të madhe mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera nuk qëndron, duke e cilësuar deklaratën e Kryeministrit si të pavërtetë. /skyweb.al

Trump: NATO “tigër prej letre”, po e konsideroj seriozisht largimin e SHBA nga aleanca!

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur tensione të forta me aleatët europianë, pasi deklaroi se po e konsideron “në mënyrë absolute” tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga NATO, duke e cilësuar aleancën ushtarake si një “tigër prej letre”.

Në një intervistë të publikuar sot nga The Telegraph, Trump u shpreh se largimi i SHBA-së nga aleanca është tashmë “përtej rishqyrtimit”, duke shtuar se prej kohësh nuk ka pasur besim te NATO. Sipas tij, aleatët nuk i janë gjendur pranë Amerikës gjatë konfliktit me Iranin dhe kjo ka forcuar bindjen e tij për të marrë një vendim drastik.

Presidenti amerikan kritikoi veçanërisht vendet europiane për refuzimin për të dërguar mjete ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Kjo situatë ka shkaktuar përplasje të forta diplomatike mes Uashingtonit dhe partnerëve të NATO-s.

Trump nuk kurseu as Britaninë e Madhe dhe kryeministrin Keir Starmer, të cilin e sulmoi publikisht pas refuzimit për të përdorur bazat britanike në operacionet kundër Iranit. Nga ana tjetër, Starmer reagoi duke theksuar se NATO mbetet “aleanca ushtarake më efektive që bota ka njohur ndonjëherë”.

Këto deklarata kanë shkaktuar shqetësim të madh në Europë, pasi SHBA është shtylla kryesore e aleancës që prej krijimit të saj në vitin 1949. Një tërheqje e mundshme amerikane do të trondiste seriozisht arkitekturën e sigurisë perëndimore dhe do të sillte pasoja të mëdha gjeopolitike.

“Bleva kos frutash te Big Market, doli komplet i mykur”

Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore.

Ajo ka dërguar një video ku shfaqet, sipas pretendimit të saj, një kos frutash Zottis i blerë në Big Market, ku në pamje vihet re prania e mykut në produkt. Qytetarja ka dërguar gjithashtu edhe kuponin tatimor, i cili sipas saj vërteton blerjen e kryer pak minuta më parë.

Në videon e dërguar në redaksi, ajo shprehet:

“Përshëndetje JOQ! Sapo e bleva këtë kosin te City Park. Dhe ja urdhëro, komplet i mykur. Domethënë e kam blerë në orën 5:30, jemi në orën 6:15, dhe ishte komplet i mykur. Ja shikojeni.”

Më pas, në mesazhin shoqërues, qytetarja i bën thirrje Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që të ndërhyjë dhe të ushtrojë kontroll ndaj subjektit në fjalë:

“Kaloni naj herë nga Big Market te City Park, i thuaj AKU… se na mbytën me myk.”

Ky nuk është rasti i parë që qytetarët denoncojnë problematika të tilla në lidhje me produktet e këtij rrjeti supermarketesh. JOQ Albania ka raportuar edhe më herët raste të shumta ankesash për produkte të skaduara, të prishura apo me cilësi të dobët në pika të ndryshme të Big Market.

Rasti i fundit ngre sërish pikëpyetje mbi standardet e kontrollit, ruajtjes dhe ekspozimit të produkteve ushqimore për konsumatorët.

Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim nga ana e subjektit në fjalë, si edhe nga autoritetet përgjegjëse për sigurinë ushqimore.

Në Danimarkë, lumturia fillon në shkollë, mësimet mbi empatinë mësohen që në moshë të hershme

Për tre dekada, fëmijëve në Danimarkë u është mësuar empatia përmes një mësimi të veçantë javor, ku dëgjimi, të kuptuarit dhe bashkëpunimi janë po aq të rëndësishëm sa matematika ose anglishtja.

Danimarka ka qenë në krye të Raportit Botëror të Lumturisë të Kombeve të Bashkuara për vite me radhë. Një nga arsyet pse vendi dallohet nuk është vetëm statusi i tij shoqëror ose cilësia e jetës, por diçka që është zbatuar sistematikisht në shkolla që nga viti 1993: mësimdhënia e empatisë.

Në sistemin arsimor, një orë në javë i kushtohet “Klassens tid”, “mësimit në klasë” për fëmijët e moshës 6 deri në 16 vjeç. Është një pjesë themelore e kurrikulës, po aq e rëndësishme sa matematika.

Gjatë kësaj ore, nxënësit diskutojnë çështje që i shqetësojnë, qofshin ato të lidhura me shkollën apo jo, dhe së bashku me mësuesin, ata kërkojnë zgjidhje përmes dëgjimit dhe të kuptuarit autentik. Nëse nuk ka asgjë për të diskutuar, ora i kushtohet relaksimit dhe hygge-s, ndjenjës së ngrohtësisë, intimitetit dhe kënaqësisë së përbashkët që është qendrore në kulturën daneze.

Empatia nuk është vetëm një aftësi emocionale.

Ndërton marrëdhënie, parandalon ngacmimin dhe nxit suksesin si në jetën profesionale ashtu edhe në atë personale. Adoleshentët empatikë kanë tendencë të jenë më të orientuar drejt qëllimeve dhe të suksesshëm sesa bashkëmoshatarët e tyre më narcisistë.

Autorja dhe psikologia Jessica Alexander, në librin e saj “Mënyra daneze e prindërimit”, shpjegon se empatia kultivohet përmes:

  • Punës në grup: 60% e aktiviteteve shkollore kryhen në grupe, me një fokus të veçantë në ndihmën e nxënësve më pak të aftë.
  • Asnjë shpërblim konkurrues: Nuk jepen çmime ose trofe për përsosmëri; progresi matet në raport me veten.
  • Lojë e lirë: Që nga viti 1871, është konsideruar si një mjet edukativ që kultivon empatinë dhe aftësitë negociuese.
  • Mësimi bashkëpunues: Fëmijët me aftësi të ndryshme punojnë së bashku, duke mësuar se suksesi është një përpjekje kolektive.

Siç thekson ajo, kur një fëmijë i shpjegon një problem matematikor dikujt tjetër, për shembull, ata jo vetëm që mësojnë më mirë, por edhe praktikojnë aftësinë e tyre për të “vënë veten në vendin e personit tjetër”. Ky proces i vetëdijshëm i dëgjimit dhe përshtatjes forcon empatinë.

Rezultati? Për fëmijët danezë, mësimi i empatisë është një burim gëzimi dhe kënaqësie, duke i përgatitur ata të bëhen të rritur të aftë për të jetuar, për të bashkëpunuar dhe për të qenë vërtet të lumtur.

Si ta luftoni dhimbjen e dhëmbëve në mënyrë natyrale

Kushdo që të pyesësh do të të japë të njëjtën përgjigje: dhimbja e dhëmbit është një nga dhimbjet më të këqija. Dhe është një nga ato raste kur ndihesh sikur nuk ke asgjë tjetër për të bërë. Skenari më i keq është kur të godet natën.

Si mund ta lehtësoj dhimbjen në këtë rast?

Vaj karafil: Vendosni dy pika vaj karafil në një copë pambuku dhe fërkoni butësisht dhëmbin. Vaji i karafilit përmban eugenol i cili vepron si një anestetik natyral për dhimbjen dhe dezinfekton zonën.

Ujë deti: Tretni një lugë çaji kripë në një filxhan me ujë të valuar, lëreni të ftohet dhe shpëlani gojën për 30 sekonda. Zvogëlon ënjtjen e mishrave të dhëmbëve duke kulluar lëngun e tepërt dhe duke pastruar zonën e prekur.

Akulli: Vendosni disa kube akulli në një qese plastike, mbështillni një copë të hollë rreth saj dhe shtypeni atë në faqe, sipër dhëmbit që ju dhemb, për rreth 15 minuta derisa nervat të mpihen.

Qetësues dhimbjesh: Nëse dhimbja bëhet e padurueshme, gjithmonë mund të merrni një analgjezik siç është ibuprofeni.

Edhe pse këto zgjidhje mund të jenë efektive, ato janë ende të përkohshme dhe nuk e adresojnë shkakun e problemit. Sigurohuni që të caktoni një takim me dentistin tuaj, pasi mund të jeni në gjendje të parandaloni prishjen dhe humbjen e mëtejshme të dhëmbëve.