Kostot e strehimit në Europë, si ngushëllim për Shqipërinë

Çmimet dhe qiratë e apartamenteve në të gjithë Evropën po vazhdojnë të rriten, ndërsa të ardhurat e qytetarëve nuk po ecin përpara.

Hulumtimi i ri nga projekti HOUSE4ALL tregon se strehimi po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u përballuar, veçanërisht për të rinjtë dhe beqarët në qytetet e mëdha.

Strehimi po bëhet një nga sfidat më të mëdha financiare për qytetarët në të gjithë Evropën, pasi hendeku midis pagave dhe çmimeve të pronave vazhdon të rritet.

Sipas të dhënave të projektit HOUSE4ALL, i cili u zhvillua në Universitetin Teknik të Vjenës në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, për herë të parë, janë të disponueshme të dhëna të krahasueshme mbi çmimet e qirasë dhe blerjes së apartamenteve në raport me të ardhurat e popullsisë në të gjithë Evropën.

Rezultatet tregojnë se problemi është më i theksuar në qytetet e mëdha dhe qendrat ekonomike, ku çmimet e banesave po rriten shumë më shpejt se pagat.

Presioni më i madh ndihet nga të rinjtë që jetojnë vetëm dhe marrin me qira apartamente më të vogla, ku çmimi për metër katror është më i larti.

Në shumë vende evropiane, ekziston një trend gjithnjë e më i theksuar i shtyrjes së pavarësisë, dhe disa të rinj mbeten në shtëpitë e prindërve të tyre pikërisht për shkak të kostove të larta të strehimit.

Çmimet më të larta regjistrohen në kryeqytetet kryesore dhe qendrat ekonomike, por edhe në rajonet turistike dhe bregdetare, ku presion shtesë krijohet nga qiratë afatshkurtra dhe blerja e pronave për pushime.

Nga ana tjetër, zonat rurale regjistrojnë çmime më të ulëta, por edhe një rënie të kërkesës për shkak të emigrimit të popullsisë.

Vjena dallohet si një përjashtim brenda kornizës evropiane, ku një pjesë e madhe e apartamenteve të qytetit dhe një politikë e rregulluar e qirasë ende mundësojnë çmime relativisht të përballueshme të strehimit.

Modeli i strehimit publik vjenez shpesh përmendet si një shembull se si politika aktive mund të ndikojë në stabilitetin e tregut të pasurive të paluajtshme.

Hulumtimi gjithashtu tregon një sfidë shtesë: rinovimet energjetike të ndërtesave, megjithëse të nevojshme për objektivat klimatike, mund të çojnë në një rritje të qirave në afat të shkurtër.

Ky fenomen, i njohur si “gentrifikim i energjisë”, mund t’i largojë qiramarrësit me të ardhura më të ulëta nga ndërtesat e rinovuara.

Rritja e kostove të strehimit po ndikon gjithnjë e më shumë në vendimet politike në vendet evropiane dhe pritet që kjo temë të jetë një nga prioritetet e politikave të BE-së në vitet e ardhshme.

Kjo situatë na sjell në kujtesë vendin tonë, me të njëjtën problematikë. Pra, ngushëllueshëm, Shqipëria po ngjan në këtë pikë me Europën dhe anasjelltas. /tesheshi.com/

Një projekligj mizor izraelit merr “Ok” në Knesset

Knesseti (parlamenti) Izraelit ka miratuar një projektligj që prezanton dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar për sulme vdekjeprurëse, raporton gazeta britanike Guardian.

Sipas projektligjit, dënimi me vdekje bëhet dënimi kryesor për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilët shpallen fajtorë nga një gjykatë ushtarake për sulme vdekjeprurëse të qëllimshme të konsideruara si terrorizëm.

Ligji përcakton që ata që janë dënuar me vdekje do të mbahen në ambiente të posaçme pa vizitorë, përveç personelit të autorizuar, ndërsa konsultimet ligjore do të kryhen ekskluzivisht përmes lidhjes video. Ekzekutimet duhet të kryhen brenda 90 ditëve nga vendimi.

Izraeli e ka përdorur dënimin me vdekje jashtëzakonisht rrallë, dhe i burgosuri i fundit i ekzekutuar ishte krimineli nazist i luftës Adolf Eichmann në vitin 1962.

Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, një nga mbështetësit kryesorë të ligjit, ka mbajtur vazhdimisht një broshë në formë laku, që simbolizon ekzekutimet. Ai e përshkroi varjen si “një nga opsionet”, së bashku me karrigen elektrike ose “eutanazinë”, duke pretenduar se disa mjekë kanë ofruar ndihmë.

Komiteti i sigurisë ka bërë disa ndryshime në ligj dhe javën e kaluar miratoi votimin e parë. Transmetuesi publik i Izraelit KAN raportoi se ekzekutimet do të kryheshin me varje.

Ligji gjithashtu lejon gjykatat të vendosin dënimin me vdekje pa një kërkesë nga prokuroria dhe pa pasur nevojë për një vendim unanim, por me shumicë të thjeshtë. Gjykatat ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar do të kenë gjithashtu autoritetin për të vendosur dënimin me vdekje, me ministrin e mbrojtjes që jep një mendim.

Për palestinezët nën pushtim, ligji mbyll mundësinë e apelimit ose faljes, ndërsa të burgosurit e gjykuar brenda Izraelit mund të marrin burgim të përjetshëm në vend të dënimit me vdekje.

Ligji u prezantua nga partia e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, e udhëhequr nga Itamar Ben-Gvir.

Pas hyrjes në fuqi, ligji mund t’i nënshtrohet rishikimit dhe anulimit përfundimtar, gjë që varet nga Gjykata Supreme e Izraelit. /tesheshi.com/

“Vranësirat dhe reshjet vazhdojnë”/ Si do të jetë moti në prill? Meteorologia na ‘paralajmëron’ kur vjen pranvera

Kjo javë ka nisur me mot të paqëndrueshëm dhe kështu pritet të vijojë në ditët në vijim. Sipas meteorologes Rezarta Xhakollari, gjatë ditës së martë priten vranësira dhe reshje shiu me intensitet të ulët që nisin nga jugu, ndërsa të mërkurën reshjet intensifikohen dhe në zonat malore në verilindje e juglindje pritet edhe dëborë mbi 1000 metra. Gjatë një interviste televizive, Xhakollari tha se temperaturat do të mbeten të ulëta për këtë periudhë për shkak të ajrit të ftohtë që ka përfshirë rajonin.

Nga fundjava e parë e prillit moti nis të përmirësohet gradualisht, me më shumë kthjellime dhe rritje temperaturash. Ndërsa pas datave 10-12 prill pritet të rikthehet i ngrohti i vërtetë, me temperatura që mund të arrijnë deri në 26 gradë, duke sjellë më në fund një ndjesi tipike pranverore.

“ Marsi na gënjeu në fillim me temperatura të larta dhe mot të thatë, por na surprizoi me masa të paqëndrueshme ajrore. Fundi i prillit është ai që shënjon tërheqjen e masave të ftohta ajrore. Kjo masë arktike që përfshiu Shqipërinë ishte një anomali por ende mbetemi nën masa të paqëndrueshme. Nesër do të kemi paqëndrueshmëri. E gjithë java do të jetë e paqëndrueshme.

Në pjesën e parë të ditës së martë do të kemi vranësira por gradualisht do të kemi reshje shiu gjatë pasdites që do të jetë me intensitet të ulët. Reshjet do të fillojnë nga jugu i vendit. Reshjet e shiut në jug do të intensifikohen të mërkurën ndërkohë që do të ketë reshje dëbore edhe në verilindje dhe juglindje në lartësitë 1000 metra mbi nivelin e detit.

Pra ajri i ftohtë arktik është prezent mbi gadishullin e Ballkanit dhe do të mbetet aty gjatë gjithë kësaj jave. Temperaturat do të mbeten të ulëta poshtë mesatares së muajit. Fundjava e parë e prillit do të jetë e qëndrueshme. Dita e dielë do të kemi temperatura në rritje dhe kohë me diell. Paqëndrueshmëria e motit do të vazhdojë deri në 10-ditëshin e parë të prillit por temperaturat do të vazhdojnë të rriten.

I ngrohti i vërtetë do të vijë pas datës 10-12 prill. Në këtë periudhë do të aktivizohen masat ajrore të ngrohta nga veriu i Afrikës dhe temperaturat do të shkojnë në 26 gradë. Vranësirat do të mbeten prezentë por pranvera do të ndihet. Muaji prill do të jetë me reshje dhe me temperatura mbi mesatare” tha ajo.

Përshkallëzohet situata në Iran, Trump bën kërcënimin e fortë

Presidenti i shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka bërë një tjetër kërcënim në drejtim të Iranit duke thënë se nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe nuk hap Ngushticën e Hormuzit, vendi do të përballet me përfshirjen ushtarake amerikane në rajon duke “hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht” termocentralet dhe puset e naftës në vend.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në diskutime serioze me NJË REGJIM TË RI DHE MË TË ARSYESHËM për t’i dhënë fund Operacioneve tona Ushtarake në Iran. Është bërë përparim i madh, por nëse për ndonjë arsye nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, gjë që ndoshta do të arrihet, dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk “Hapet për Biznes”, menjëherë ne do ta përfundojmë “qëndrimin” tonë të këndshëm në Iran duke hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht të gjitha Termocentralet e tyre të Gjenerimit të Energjisë Elektrike, Puset e Naftës dhe Ishullin Kharg (dhe ndoshta të gjitha termocentralet e desalinizimit!), të cilat qëllimisht nuk i kemi “prekur” ende”, tha Trump, shkruan A2.

Reagimi i Trump vjen pasi Trump ngriti mundësinë që SHBA-të të marrin naftën e Iranit në një intervistë me Financial Times. Trump i tha medias britanike se “preferenca e tij do të ishte të merrte naftën”, ndërsa po shqyrton nëse do të marrë në zotërim qendrën kryesore të eksportit të karburantit të Iranit në ishullin Kharg.

Ndërkohë, çmimet e naftës u rritën të hënën, me naftën bruto Brent që kaloi 116 dollarë për fuçi pas komenteve të tij. Sakaq, Irani i përshkroi propozimet e SHBA-së për t’i dhënë fund një muaji lufte në Lindjen e Mesme si “jorealiste, jologjike dhe të tepërta” duke vijuar me sulmet me raketa mbi Izraelin.

Ushtria izraelite tha se dy dronë nga Jemeni ishin kapur gjithashtu të hënën, dy ditë pasi Huthit e lidhur me Iranin qëlluan raketa drejt Izraelit për herë të parë që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit që është përhapur në të gjithë rajonin. Hezbollahu i Libanit gjithashtu qëlloi raketa drejt Izraelit të hënën.

Po ashtu Egjipti një nga vendet që po merr intesivisht pjesë në negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ka deklaruar me anë të Presidenti, Abdel Fattah al-Sisi, që SHBA, të ndalojë luftën me Iranin, duke thënë se vetëm ai mund ta bënte këtë. Al-Sisi deklaroi gjithashtu se ekziston frika se çmimi i naftës do të shkonte mbi 200 dollarë. “Po i them Presidentit Donald Trump se askush nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë luftën në rajonin tonë, në Gjirin Persik, përveç jush”, tha Sisi në konferencën në Kajro.

Spanja ‘sfidë’ të hapur Donald Trump. Merr këtë vendim kundër SHBA-së

Qeveria spanjolle ka vendosur të ndalojë përdorimin e hapësirës së saj ajrore dhe të bazave ushtarake Morón dhe Rota për avionët amerikanë të përfshirë në operacione kundër Iranit. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, duke theksuar se Madridi nuk do të lejojë asnjë veprim që mund të përshkallëzojë konfliktin.

Ministri i Jashtëm, José Manuel Albares, tha se qëllimi i këtij vendimi është të shmanget çdo veprim i rrezikshëm dhe i paligjshëm.

Sipas mediave, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar më herët me një embargo tregtare ndaj Spanjës për kundërshtimin e saj ndaj sulmeve amerikane.

Që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez është shfaqur si një kritik i ashpër i operacioneve amerikane dhe izraelite, duke i cilësuar ato “të papërgjegjshme” dhe “të paligjshme”. Ai ka refuzuar gjithashtu fluturimet e avionëve cisternë amerikanë dhe çdo operacion që përdor bazat e përbashkëta në Andaluzí.

Ky vendim pritet të komplikoje logjistikën e operacioneve amerikane, duke detyruar avionët të fluturojnë rreth Gadishullit Iberik ose përmes Francës, ndërsa përdorimi i hapësirës ajrore spanjolle dhe uljet në bazat e saj lejohet vetëm në raste emergjente.

Sipas gazetës El País, Spanja ka mbajtur këtë qëndrim në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke marrë mirëkuptimin e Iranit për kalimin në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të ndjeshme të furnizimit botëror me naftë.

“Krimi po vë rregullat e lojës? Artan Hoxha bën deklaratën e fortë: Ata vendosin edhe rektorin e universitetit

Ne kemi arritur në pikën ku krimi po bën rregullat e lojës dhe po ndikon shoqërinë. Këtë shqetësim ngriti në një emision televiziv, gazetari Artan Hoxha, sipas të cilit grupet kriminale po ndërhyjnë edhe në vendimmarrje të rëndësishme akademike.

“Ne arritëm në pikën ku po bëjnë rregullat e lojës shiko, ne arritëm në pikën në kryeqytet kur bosët e krimit po vendosnin kush zgjidhej rektor i universitetit. E ke idenë tani? Rektor i universitetit. Deri aty hyn ata. Pra deri aty. Atyre vetë personalisht nuk interesonte. Ishte dikush tjetër që kërkonte ndërhyrjen e tyre edhe në procesin e zgjedhjes së rektorit të universitetit”, tha gazetari në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij, fuqizimi i krimit ka ardhur si pasojë e fitimeve të mëdha nga trafiku ndërkombëtar i drogës, të cilat më pas përdoren për të korruptuar institucione dhe për të zgjeruar ndikimin në nivele të ndryshme.

“Edhe vetë ne që jemi marrë me këtë punë nuk jemi besuar që do të ishim në këtë stad. Unë s’ kam menduar kurrë që do të më duhej të takoja ata që kisha gjetur që shisnin me doza dhe prokurori arrestonte tek Irfan Tomini. Ishte atje ai po lëvizte me tonë. Në momentin që ai lëviz me tonë kokainë. Ato tonët sjellin mbrapa milionat e eurove. Ato milionat e eurove korruptojnë dhe korruptojnë gjithë sistemin dhe kjo pastaj na sjell deformimin e madh që kemi ne në momentin që ata kthehen pastaj dhe në mite apo kthehen dhe në idhuj të të rinjve tanë, sepse ti do japësh një model”.

Ai theksoi se policia shpesh ka arritur të godasë individë të përfshirë, por problemi qëndron tek mënyra se si këta persona janë fuqizuar dhe kanë arritur të krijojnë rrjete të forta ndikimi.

“Policit ja ul kokën ai lart. Ai ja ul kokën policit në qoftë se ti e paguan keq. Në qoftë se ti s’e motivon, në qoftë se ti i vë drejtues që polici i ka sytë në ballë dhe she çfarë bën. Jeh ndonjë nga këta që janë sot në që po bëhet zhurmë e madhe. SPAK-u, SPAK-u, SPAK-u. Që s’ ka kapur policia? Asnjë. Të gjithë policia jonë i ka kapur pa përjashtim. Puna është si kanë dalë, si janë bërë kaq të fuqishëm, si shkuan kaq larg, kaq kontinente larg, si u bënë kaq të pasur dhe si u bëhen kaq ndikues mbi shoqërinë, se ata po ndikojnë mbi shoqërinë”, vijoi ai .

Hoxha paralajmëroi se shoqëria shqiptare po përballet me një deformim të rrezikshëm, ku figurat kriminale po kthehen në modele për të rinjtë, teksa apeloi për një ndryshim të menjëhershëm të qasjes në luftën kundër krimit të organizuar.

“Për të dreq në këtë vend modeli i suksesshëm kur del në rrugë dhe në bulevard nuk është ai që ka kontribuar që ka dije që ka njohur që ka investuar që i shërben shoqërisë për drejt dhe Ai atje që del me makinën më të bukur, që ka lokalin më të bukur, që bën jetën më funy që e sheh në më të mëdha të globit. Pra ky është halli. Në këtë stad jemi dhe unë mendoj që jemi pak vonë, por jemi në momentin që duhet me patjetër që të ndryshojmë krejtësisht qasjen dhe sjelljen ndaj mënyrës se si luftojmë sidomos krimin organizuar”.

Porositi armë nga SHBA dhe kultivonte kanabis në banesë, dënohet me burg 19-vjeçari shqiptar në Britani

Një i ri shqiptar është dënuar nga drejtësia britanike pasi tentoi të siguronte armë zjarri nga Shtetet e Bashkuara dhe rezultoi i përfshirë në aktivitet të strukturuar kriminal të lidhur me drogën.

Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Henri Nikolli, i cili u dënua me 6 vite e 3 muaj burg nga një gjykatë në Angli, pasi pranoi disa vepra penale që lidhen me armët dhe narkotikët.

Sipas hetimeve, Nikolli kishte porositur nga SHBA një pako që paraqitej si “kit trajnimi për qen”, por që në të vërtetë përmbante një armë zjarri 9 mm dhe pajisje ndihmëse për përdorimin e saj. Paketa u interceptua nga autoritetet amerikane përpara se të mbërrinte në Britaninë e Madhe.

I riu u arrestua në prill të vitit 2025 në zonën e Hertfordshire, ndërsa kontrolli në banesën e tij zbuloi një arsenal të rrezikshëm. Mes sendeve të sekuestruara u gjetën tre armë zjarri antike të modifikuara për përdorim me municion modern, fishekë, mjete për prodhimin dhe përshtatjen e armëve, si dhe thika.

Po ashtu, autoritetet zbuluan edhe një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit, së bashku me sasi droge të gatshme për shpërndarje, çka ngriti dyshime për një aktivitet të organizuar kriminal.

Sipas prokurorisë, 19-vjeçari kishte ndërtuar një skemë ku armët përdoreshin për të mbështetur dhe mbrojtur tregtinë e drogës, duke përbërë rrezik serioz për komunitetin.

Hetuesit theksuan se ai kishte njohuri të avancuara për modifikimin e armëve dhe prodhimin e municioneve, ndërsa në pajisjet e sekuestruara u gjetën edhe video ku armët testoheshin në ambiente publike, duke treguar një shpërfillje të hapur për sigurinë e të tjerëve.

Autoritetet britanike e cilësuan dënimin si një goditje ndaj krimit të organizuar dhe një mesazh të qartë për individët që përfshihen në trafik armësh dhe aktivitet të paligjshëm me drogë.

 

I kërkoi ndihmë ChatGpt! 13-vjeçaren shqiptare e hodhi nga ballkoni i dashuri i saj

Detaje të reja kanë dalë nga vdekja tragjike e 13-vjeçares shqiptare në Itali, Aurora Tila. Gjykata e të Miturve në Bolonjë ka dënuar me 17 vite burg ish-të dashurin e saj 16 vjeçar, asokohe kur ndodhi ngjarja 15 vjeç, i cili dyshohet se e shtyu vajzën nga ballkoni. Avokatët e tij pretendojnë se mund të ketë qenë aksident ose një veprim i qëllimshëm nga ana e viktimës.

Sipas mediave italiane, një provë kyçe ishte përdorimi i inteligjencës artificiale ChatGPT nga Aurora. Ajo i kishte kërkuar këshilla mbi marrëdhënien e saj dhe mënyrën se si të dallonte dashurinë e vërtetë nga një lidhje toksike. Prokuroria përdori këto pyetje për të dokumentuar shqetësimet dhe situatën e delikate në të cilën ndodhej vajza.

I pandehuri, tani 16 vjeç, është deklaruar i pafajshëm, ndërsa prokuroria ka kërkuar një dënim më të lartë për rrethanat e rënduara, si përndjekja dhe lidhja romantike. Familjarët dhe avokatja e Aurorës shpresojnë që dënimi të jetë mbi 15 vite, duke reflektuar seriozitetin e veprës dhe tragjedinë e ngjarjes.

“Djali im, Ervis Martinaj është ekzekutuar në Durrës, e dinë të gjithë përveç SPAK”

Babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të dëshmuar lidhur me pronat e të birit. Jashtë kamerave, ai deklaroi se fatin e djalit të tij e dinë të gjithë përveç medias dhe prokurorisë, duke shtuar se Ervisi është ekzekutuar në Durrës. Mustafa Martinaj theksoi se ka dhënë shpjegime para agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, por sipas tij autoritetet nuk po e hetojnë çështjen si duhet.

“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit”, është shprehur Mustafa Martinaj jashtë kamerave.

Ervis Martinaj, i njohur si “mbreti i bixhozit” në Shqipëri, ishte themelues i kompanive të mëdha si “King Casino” dhe “Albania Baste Live” dhe u bë objekt hetimesh për lidhje me aktivitete të paligjshme dhe krim të organizuar. Emri i tij lidhet gjithashtu me disa ngjarje kriminale, përfshirë përplasjen me armë në ish-Bllok në 2018, ku një person humbi jetën, ndërsa Martinaj u plagos. Ai rezulton i zhdukur që prej fillimit të gushtit 2022, dhe kontakti i fundit i dokumentuar ishte më 8 gusht në Tiranë.

Autoritetet kanë shqyrtuar dy pista kryesore: që Martinaj mund të jetë vrarë nga grupe kriminale ose të ketë inskenuar zhdukjen për të shpëtuar nga ndjekja penale. Hetimet nuk kanë dhënë prova përfundimtare, ndërsa familjarët pretendojnë se ai është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur. Pas zhdukjes, SPAK ka nisur hetime financiare dhe ka sekuestruar pasuri të shumta të lidhura me Martinajn dhe të afërmit e tij, përfshirë prona, biznese dhe llogari bankare me vlera milionëshe.