Ngjyra e thonjve mund të tregojë mungesë oksigjeni dhe probleme serioze shëndetësore

Ndryshimi i ngjyrës së thonjve mund të zbulojë probleme me mushkëritë, zemrën dhe gjakun

Nëse vëreni se thonjtë ju janë bërë blu pa u goditur apo pa dëmtuar gishtat, mos e injoroni këtë sinjal që jep trupi. Ndryshimi i ngjyrës së thonjve shpesh tregon se gjaku nuk po transporton mjaftueshëm oksigjen në inde.

Në mjekësi, kjo gjendje quhet cianozë dhe mund të jetë shenjë e hershme e çrregullimeve më serioze në organizëm.

Mjekët i kushtojnë vëmendje të veçantë ngjyrës së thonjve, sepse ajo mund të zbulojë shpejt ndryshime në oksigjenimin e gjakut. Pikërisht për këtë arsye, gjatë pranimit në spital kërkohet që nga thonjtë të hiqet llaku, në mënyrë që stafi shëndetësor të vërejë menjëherë çdo ndryshim të mundshëm.

Çfarë do të thotë kur thonjtë bëhen blu?

Ngjyra blu e thonjve shfaqet kur në pjesët periferike të trupit, si majat e gishtave, nuk ka mjaftueshëm oksigjen. Nëse ndryshimi shfaqet vetëm në një thua, shkaku më i shpeshtë është një dëmtim lokal dhe grumbullim gjaku nën thua. Megjithatë, kur të gjithë thonjtë janë blu, zakonisht kjo tregon për një problem sistemik.

Ndryshimi i përkohshëm mund të shfaqet edhe në të ftohtë, sepse enët e gjakut ngushtohen për të ruajtur nxehtësinë. Në këtë rast, ngjyra normalizohet pasi duart të ngrohen. Nëse kjo nuk ndodh, nevojiten ekzaminime shtesë, transmeton Telegrafi.

 GettyImages

Shkaqet më të shpeshta të thonjve blu

Thonjtë blu mund të jenë pasojë e gjendjeve të ndryshme shëndetësore, sidomos atyre që prekin mushkëritë, zemrën dhe gjakun.

Problemet me mushkëritë

Sëmundjet që pengojnë shkëmbimin e oksigjenit shpesh çojnë në cianozë. Ndër to janë:

• sëmundjet kronike të mushkërive si COPD
• astma dhe krizat akute të frymëmarrjes
• pneumonia
• embolia pulmonare, që është gjendje urgjente

Sëmundjet e zemrës

Kur zemra nuk pompon gjakun në mënyrë efikase, oksigjeni nuk arrin në inde në sasi të mjaftueshme. Kjo ndodh te defektet e lindura të zemrës, insuficienca kardiake ose sindroma të rralla që ndikojnë në qarkullimin e gjakut ndërmjet zemrës dhe mushkërive.

Çrregullimet e gjakut dhe enëve të gjakut

Disa gjendje ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e gjakut për të transportuar oksigjen ose në qarkullimin e tij. Të tilla janë çrregullimet e hemoglobinës, helmimi me monoksid karboni, sëmundjet e gjakut si policitemia vera ose fenomeni Raynaud (Rejno), ku ndodh spazmë e enëve të gjakut.

Si vendoset diagnoza dhe nga çfarë varet trajtimi

Kur dyshohet për cianozë, mjeku vlerëson nivelin e oksigjenit në gjak. Kjo mund të bëhet me analizë të gjakut arterial ose në mënyrë jo invazive, me pulsoksimetër që vendoset në gisht. Diagnostika e mëtejshme varet nga shkaku i dyshuar.

Nuk trajtohen thonjtë blu si simptomë, por gjendja që i shkakton. Terapia mund të përfshijë oksigjenoterapi, barna për përmirësimin e qarkullimit, trajtimin e sëmundjeve të mushkërive ose zemrës, si dhe në raste të caktuara ndërhyrje kirurgjikale.

Kur është e nevojshme të reagoni menjëherë?

Nëse vëreni se thonjtë janë blu dhe ngjyra nuk rikthehet edhe pas ngrohjes, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun. Veçanërisht urgjente është nëse shfaqen edhe:

• dhimbje në gjoks
• vështirësi në frymëmarrje
• djersitje e shtuar
• marramendje

Këto simptoma mund të tregojnë një çrregullim serioz në furnizimin e organizmit me oksigjen dhe kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor. /Telegrafi/

Pankreasi i yndyrshëm: Si ta dalloni dhe pse nuk duhet ta neglizhoni

Shpesh zbulohet rastësisht, por lidhet ngushtë me rezistencën ndaj insulinës, mbipeshën dhe çrregullimet metabolike

Pankreasi i yndyrshëm po përmendet gjithnjë e më shpesh si një gjetje që i befason pacientët pas një kontrolli rutinë me ultratinguj, zakonisht pa simptoma të qarta që do ta tregonin më herët. Edhe pse për një kohë të gjatë është konsideruar si një gjetje e rastësishme pa rëndësi të madhe klinike, vitet e fundit po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje lidhjes së tij me çrregullimet metabolike, sidomos me rezistencën ndaj insulinës, mbipeshën dhe rritjen e yndyrnave në gjak.

Kjo gjendje njihet si steatozë pankreatike ose lipomatozë e pankreasit dhe në literaturë shpesh përmendet si pankreas i yndyrshëm që nuk lidhet me alkoolin. Në thelb, bëhet fjalë për grumbullim të yndyrës në indin e pankreasit.

Si “yndyroset” pankreasi?

Ky proces nuk ndodh brenda natës. Yndyra mund të depozitohet gradualisht, si mes pjesëve të pankreasit, ashtu edhe brenda vetë qelizave, përfshirë edhe zonat që prodhojnë hormone. Kjo është e rëndësishme sepse pankreasi luan rol kyç në rregullimin e sheqerit në gjak.

Shkaqet dhe faktorët e rrezikut

Zakonisht nuk është vetëm një shkak, por kombinim faktorësh që veprojnë për një kohë të gjatë. Më të shpeshtit janë:

  • mbipesha, sidomos dhjami në zonën e barkut
  • rezistenca ndaj insulinës, paradiabeti ose diabeti tip 2
  • yndyrna të larta në gjak
  • tensioni i lartë
  • stil jetese jo i shëndetshëm (mungesë lëvizjeje, ushqim jo i mirë, stres dhe gjumë i dobët)

Shpesh, pankreasi i yndyrshëm shoqërohet edhe me mëlçinë e yndyrshme dhe është pjesë e një tabloje më të gjerë metabolike, transmeton Telegrafi.

Si diagnostikohet?

Më së shpeshti zbulohet rastësisht gjatë ultrazërit, por mund të vlerësohet edhe me skaner, rezonancë magnetike apo metoda më të avancuara. Megjithatë, ultrazëri ka kufizime dhe jo gjithmonë jep pasqyrë të plotë.

Është e rëndësishme të kuptohet se pankreasi i yndyrshëm konsiderohet më shumë si një gjendje paralajmëruese sesa sëmundje më vete, por ai sinjalizon nevojën për kontroll të metabolizmit dhe rrezikut kardiovaskular.

Kur duhet kujdes i shtuar?

Nëse shfaqen simptoma si:

  • dhimbje të vazhdueshme në pjesën e sipërme të barkut
  • humbje peshe pa arsye
  • jashtëqitje me yndyrë ose diarre
  • të përziera të shpeshta
  • diabet i sapo diagnostikuar

atëherë është e nevojshme konsultë me specialist dhe analiza shtesë.

Si trajtohet pankreasi i yndyrshëm?

Nuk ekziston një “zgjidhje e shpejtë” me një tabletë. Zgjidhja qëndron te përmirësimi i stilit të jetesës:

  • ulja e yndyrës trupore, sidomos në zonën e barkut
  • ushqim i balancuar me më pak ushqime të përpunuara dhe më shumë fibra e proteina
  • aktivitet fizik i rregullt (kombinim ushtrimesh force dhe kardio)
  • gjumë cilësor dhe menaxhim i stresit
  • përdorim i kujdesshëm i suplementeve, vetëm sipas këshillës së mjekut

Në vend që të kërkohet një dietë “perfekte”, është më e rëndësishme të krijohen rutina të qëndrueshme. Kur organizmi arrin ekuilibër, kjo reflektohet në më shumë energji, fokus më të mirë dhe gjendje të përgjithshme më të mirë shëndetësore. /Telegrafi/

Ilaçi për diabet që përdoret prej dekadash ka një efekt të papritur edhe në tru

Studimi i ri zbulon një mekanizëm të ri që mund të ndryshojë trajtimin dhe të hapë rrugë për terapi të reja

Metformina është prej më shumë se gjashtë dekadash një nga ilaçet më të përshkruara për trajtimin e diabetit të tipit 2. Edhe pse përdoret çdo ditë nga miliona njerëz në mbarë botën, mënyra e saktë e veprimit të saj nuk ka qenë plotësisht e qartë deri së fundmi.

Një studim i ri i vitit 2025, i realizuar në Baylor College of Medicine në SHBA, sjell një zbulim të rëndësishëm: përveç ndikimit në mëlçi dhe metabolizëm, metformina vepron drejtpërdrejt edhe në tru.

Deri tani besohej se metformina ul nivelin e sheqerit në gjak kryesisht duke reduktuar prodhimin e glukozës në mëlçi, si dhe duke ndikuar në funksionin e zorrëve.

Por kërkimet e reja e vendosin trurin në qendër të kontrollit të metabolizmit.

“Ne kemi studiuar nëse dhe si truri kontribuon në efektin antidiabetik të metforminës”, shpjegon patofiziologu Makoto Fukuda.

Roli kyç i një zone të trurit

Studiuesit u fokusuan në një pjesë të trurit të quajtur hipotalamusi ventromedial, një zonë e rëndësishme për rregullimin e metabolizmit.

Aty u identifikua proteina Rap1, e cila luan rol në kontrollin e glukozës. Eksperimentet në minj treguan se metformina arrin në këtë zonë dhe “fik” këtë proteinë.

Kur u përdorën modele pa këtë proteinë, metformina nuk pati më efekt – një dëshmi e fortë se mekanizmi i saj përfshin drejtpërdrejt trurin.

Aktivizimi i neuroneve specifike

Studimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e neuroneve të quajtura SF1, të cilat aktivizohen kur metformina arrin në tru.

Ky zbulim hap rrugën për terapi më të sakta në të ardhmen, që mund të synojnë drejtpërdrejt këto mekanizma nervorë për të kontrolluar diabetin, transmeton Telegrafi.

E rëndë në Vlorë/ Tre persona dhunojë pronarin e një lokali në Lungomare, dërgohet me urgjencë në spital

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një pronar lokali është dhunuar nga tre persona të paidentifikuar.

Sipas informacioneve paraprake, pronari i një lokali është goditur fizikisht nga tre persona, duke pësuar dëmtime dhe duke përfunduar në spital për ndihmë mjekësore.

Siç raporton gazetari i Top Channel Mikel Marsi, ngjarja ka ndodhur në një zonë shumë të frekuentuar nga qytetarë dhe turistë, çka ka shkaktuar panik dhe reagim të menjëhershëm. Kanë qenë familjarët dhe qytetarët e pranishëm ata që kanë njoftuar policinë.Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e rendit, të cilat kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Ish-prokurori i Hagës: Kërkesa për 45 vite burg ndaj katërshes së UÇK-së e pazakontë

Të panevojshëm e të ndikuar politikisht e konsideron Gjykatën Speciale, njeriu që udhëhoqi ndjekjen penale ndaj ‘kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviqit.

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice në intervistën për KosovaPress, flet për kërkesën e Prokurorisë së Speciales për dënim me nga 45 vjet burg për katërshen e UÇK-së, të cilën e konsideron të pazakontë. Ai deklarohet edhe për akuzat për të cilat ngarkohen ata dhe origjinën e tyre nga raporti i senatorit Dick Marty.Britaniku Geoffrey Nice thotë se nuk e ka parashikuar ndonjëherë që do të mund të themelohej gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës, e aq më pak që të merret me vetëm një grup të caktuar.

Kryeprokurori në rastin e Sllobodan Millosheviqit, rast që nuk mori epilog për shkak se i njëjti vdiq gjatë gjykimit në Hagë, thotë se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga gati gjysmë shekulli për secilin nga katërshja e UÇK-së është e pazakontë.

Prokurori i rastit Millosheviq reagon për 45 vitet e kërkuara ndaj UÇK-së

“Epo, duket një dënim disi i çuditshëm për t’u kërkuar, sepse nuk besoj, nga shumë pak që di, që akuzat ndaj tij janë aq të rënda sa, për shembull, disa nga akuzat e bëra dhe të dënuara, ndoshta me më pak vite burg sesa 45 vite në Tribunalin e ish-Jugosllavisë”, thotë ai.

Juristi britanik 81-vjeçar, Geoffrey Nice, tregon se pas përfundimit të punës në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, iu kërkua të shkruante një artikull për “London Revieë of Books”, lidhur me raportin e Dick Marty, i cili, siç edhe e thotë Nice, pretendonte se Hashim Thaçi dhe të tjerët ishin të përfshirë në vrasjen e serbëve.

Se këto ishin vetëm pretendime e thotë edhe sot Nice, ku thekson se akuzat për trafikim organesh janë bërë nga serbët edhe ndaj kroatëve e boshnjakëve.

Juristi ndërkombëtar, Geoffrey Nice, i cili dikur ka qenë i përfshirë edhe me institucionet vendore përmes opinioneve të tij lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, thotë se që në fillim kishte ndjerë se kjo gjykatë kishte “qëllime të tërthorta”.

Kësisoj, britaniku i cili ka karrierë të gjatë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe asaj publike, në intervistën për KosovaPress, thekson se e ka konsideruar që nga fillimi të panevojshëm themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.

Se cili do të jetë epilogu në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, të njohur si gjyqi i madh, Nice thotë se është e vështirë ta parashikohet.

Marrë parasysh që ai ka udhëhequr ndjekjen penale ndaj ‘Kasapit të Ballkanit’, thekson se nuk e ka parashikuar as se ndonjëherë do të mund të themelohet gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale, e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.

Ish-prokurori në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë pyetet edhe nëse konsideron se politika ka ndikim në këtë proces gjyqësor.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, vendi ka qenë vazhdimisht “nën hijen” e kësaj gjykate, thotë Geoffrey Nice. Ai thekson se është e rëndësishme që e vërteta të dokumentohet saktë.

Çështja kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është mbyllur tanimë dhe rasti është në duart e gjykatësve për vendim. Ata më 18 shkurt kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.Edhe ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Pas deklaratave përmbyllëse të palëve që shënojnë edhe fazën përfundimtare të procesit, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për të marrë vendim, por ky afat mund të zgjatet me kërkesë të panelit. Data e saktë e shpalljes së aktgjykimit ende nuk dihet.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /Kosovapress

Forcat elitare amerikane, gati për ndërhyrje në Iran

Aktivizimi i “82nd Airborne Division”, mesazh strategjik për rajonin
Rritja e ndjeshme e pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme po sinjalizon një fazë të re tensioni, por edhe një përpjekje të koordinuar për të ushtruar presion ndaj Iranit. Në një zhvillim të fundit, më shumë se një mijë trupa nga 82nd Airborne Division janë vendosur në gatishmëri për dislokim të menjëhershëm në rajon, duke reflektuar seriozitetin e situatës dhe shqetësimet për stabilitetin rajonal.

Sipas burimeve të afërta me vendimmarrjen në Pentagon, ky kontingjent përfshin njësi elitare të trajnuara për ndërhyrje të shpejtë, si dhe drejtuesit më të lartë operacionalë. Përfshirja e nivelit të lartë komandues tregon qartë se bëhet fjalë për një operacion me rëndësi strategjike dhe jo thjesht për një rotacion rutinë trupash.Njësia kryesore që pritet të dislokohet është një batalion nga Brigada e Parë Luftarake, e cila aktualisht mban statusin e Forcës së Reagimit të Menjëhershëm, një strukturë që garanton ndërhyrje brenda orëve në çdo pikë të globit. Kjo forcë është e trajnuar për skenarë të ndryshëm, që nga operacionet luftarake, evakuimi i personelit civil, deri te ndërhyrjet emergjente në zona krizash.

Dislokimi i parë pritet të nisë brenda një jave, ndërsa njësi të tjera mund të bashkohen në vijim, në varësi të zhvillimeve në terren dhe dinamikave politike. Urdhrat për këtë operacion janë miratuar tashmë në nivelet më të larta të ushtrisë amerikane, duke përfshirë një plan të detajuar logjistik dhe operacional.

Ky zhvillim vjen në një moment delikat, ku Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se po lëvizin paralelisht në dy drejtime: përshkallëzim ushtarak dhe afrimitet diplomatik. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se janë arritur 15 pika marrëveshjeje paraprake me Teheranin për t’i dhënë fund konfliktit, duke shtuar se pala iraniane është e interesuar për një zgjidhje.

Megjithatë, mesazhet nga Irani kanë qenë kontradiktore. Fillimisht, zyrtarët iranianë mohuan kategorikisht çdo negociatë, por më pas burime të brendshme konfirmuan se ekziston një lloj komunikimi indirekt dhe se Teherani është i gatshëm të shqyrtojë propozime që konsiderohen “të qëndrueshme”.

Ndërkohë, në terren, prania ushtarake amerikane po forcohet ndjeshëm. Përveç trupave të 82nd Airborne Division, në rajon janë dislokuar edhe dy njësi të fuqishme detare, Marine Expeditionary Units dhe Amphibious Ready Groups. Këto struktura përfshijnë rreth 4 mijë e 500 marinsa dhe marinarë secila, duke përfaqësuar një kapacitet të madh ndërhyrjeje të shpejtë dhe të koordinuar.

Por çfarë përfaqëson në të vërtetë ky divizion dhe pse aktivizimi i tij konsiderohet një sinjal i fortë strategjik?

82nd Airborne Division ka një histori të gjatë dhe të pasur, që nis në vitin 1917 gjatë Luftës së Parë Botërore. Divizioni u krijua në kampin ushtarak Camp Gordon, në shtetin e Georgia, si një njësi e përbërë fillimisht nga rekrutë të rinj.

Ajo që e bëri unik këtë formacion ishte përbërja e tij, ushtarë nga të gjitha 48 shtetet e SHBA-së së asaj kohe. Pikërisht për këtë arsye, divizioni mori nofkën “All American”, simbol që vazhdon të përfaqësohet edhe sot në emblemën e tij me shkronjat “AA”.

Gjatë muajve të fundit të Luftës së Parë Botërore, divizioni mori pjesë në disa nga betejat më të rëndësishme në frontin perëndimor, përfshirë operacionet në Lorraine, St. Mihiel dhe Meuse-Argonne, duke fituar reputacion për disiplinë dhe efektivitet në luftim.

Pas përfundimit të luftës, njësia u çmobilizua, por u rikthye sërish në strukturat ushtarake amerikane në vitet 1920 si pjesë e rezervave.

Një moment kyç në historinë e saj erdhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas sulmit ndaj Pearl Harbor. Në vitin 1942, nën drejtimin e gjeneralit Omar Bradley, divizioni u riorganizua dhe u kthye në një njësi ajrore, duke u bërë një nga divizionet e para parashutiste të ushtrisë amerikane.

Ky transformim e ktheu 82nd Airborne Division në një forcë të specializuar në sulme nga ajri, me aftësi për të depërtuar pas vijave armike dhe për të kryer operacione të shpejta dhe të befasishme.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, divizioni mori pjesë në disa nga operacionet më të rëndësishme në Evropë, duke luajtur rol kyç në çlirimin e territoreve të pushtuara.

Në dekadat që pasuan, divizioni është përdorur në një sërë operacionesh ndërkombëtare, nga Lufta e Gjirit deri te misionet në Afganistan dhe Irak. Ai njihet si një nga njësitë më të gatshme për reagim të menjëhershëm në botë.

Selia e tij ndodhet në Fort Bragg, në Karolinen e Veriut, dhe mbetet një nga bazat më të rëndësishme ushtarake amerikane. Sot, divizioni shërben si Forca e Reagimit të Menjëhershëm, një strukturë që mund të dislokohet brenda orëve në çdo cep të globit, duke qenë në vijën e parë të çdo krize ndërkombëtare.

Analistët e shohin këtë si një strategji të qartë: negociata nga një pozicion force. Aktivizimi i një njësie me histori dhe kapacitet si ky divizion nuk është thjesht një lëvizje taktike, por një mesazh i fortë politik dhe ushtarak.

Me një histori mbi një shekull dhe një rol kyç në disa nga konfliktet më të mëdha globale, 82nd Airborne Division mbetet një nga instrumentet më të fuqishme ushtarake amerikane.

Kokainë te Ish-Blloku: Arrestohen administratorët e lokaleve të natës

Një hetim disa mujor i ndjekur me metoda proaktive ka çuar në pranga 9 persona dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, të cilët akuzohen se kishin kthyer lokalet e natës në qendrat e shpërndarjes së drogave të forta. Operacioni i koduar “Night Clubs” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Sipas policisë, personat e përfshirë ishin administratorë ose punonjës të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut. Ata shfrytëzonin detyrën dhe ambientet e brendshme të punës për të shitur doza kokaine dhe ekstazie te klientët e tyre. Gjatë gjithë periudhës hetimore, policia arriti të grumbullonte prova të forta dhe të sekuestronte:

  • 2200 tableta ekstazi (MDMA)
  • Rreth 100 gramë kokainë
  • 11 aparate celularë

Gjykata e Tiranës lëshoi 11 masa sigurie “Arrest në burg”, prej të cilave u ekzekutuan 9. Personat e ndaluar janë:

E. H. (39), A. N. (37), K. M. (30), R. L. (29), E. S. (34), E. H. (26), M. B. (31), A. Gj. (36) dhe F. K. (32).

Ndërkohë, dy të tjerë janë shpallur në kërkim dhe policia po punon intensivisht për kapjen e tyre. Pjesë e dosjes janë edhe dy shtetas të tjerë (E. L. dhe B. L.), të cilët u prangosën më herët gjatë hetimeve me sasinë e madhe të tabletave ekstazi.

Gjatë operacionit, policia arrestoi në flagrancë edhe 49-vjeçarin me iniciale O.(D). J. Ky shtetas u gjet jashtë banesës së tij, duke thyer kështu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” që i kishte caktuar Gjykata për një ngjarje të mëparshme.

Të gjitha materialet i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Ky operacion vjen si një goditje e fortë ndaj rrjeteve që shfrytëzojnë jetën e natës në kryeqytet për aktivitete të paligjshme, duke synuar rritjen e sigurisë në ambientet ku frekuentojnë të rinjtë.

Vrasja e Liridonës! I akuzuari: Administratori i Aeroportit të Vlorës ma pagoi hotelin

Në gjyqin për vrasjen makabre të Liridona Ademaj në Kosovë, ka vijuar dëshmia e të akuzuarit Kushtrim Kokalla, i cili përballet me akuzën për “vrasje të rëndë” në bashkëpunim me Naim Murselin dhe Granit Plavën. Para trupit gjykues, Kokalla ka deklaruar se për ngjarjen kishte mësuar fillimisht nga portalet dhe jo nga përfshirja direkte, duke mohuar çdo rol në krim.

Ai ka treguar se në momentin e vrasjes ndodhej në shtëpinë e tij me familjarët, kur një mik e kishte njoftuar për incidentin. Fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për grabitje, bazuar në raportimet e para. Sipas tij, kishte tentuar të kontaktonte Naim Murselin, por telefoni i këtij të fundit ishte i paarritshëm dhe vetëm pas rreth 20–30 minutash kishte kuptuar se bëhej fjalë për vrasje. Kokalla ka shtuar se më pas kishte udhëtuar drejt Prishtinës për të qëndruar pranë familjes Ademaj, ndërsa për akomodimin në hotel ka deklaruar se shpenzimet ishin mbuluar nga miku i tij Valon Lluka, pasi ai vetë nuk kishte mundësi financiare për një dhomë luksoze.

Ndërkohë, sipas hetimeve, dyshohet se Naim Murseli i kishte kërkuar Kokallës të gjente mënyrë për vrasjen e bashkëshortes së tij, por ky i fundit kishte refuzuar. Megjithatë, pretendohet se ai ka ndërmjetësuar kontaktin me Granit Plavën, me të cilin thuhet se është arritur marrëveshje për kryerjen e vrasjes kundrejt një pagese prej 30 mijë eurosh. Në dosje përmendet edhe emri i Valon Llukës, i cili deri në shtator 2025 ka qenë administrator i shoqërisë “Vlora International Airport – VIA Sh.p.k.”. Ngjarja ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg Prishtinës, ndërsa rasti fillimisht u raportua si grabitje, por më pas u zbardh si vrasje e organizuar dhe motivet mbeten ende të paqarta.

Çudira nga Italia: Përdhunohet macja në Romë

Një ngjarje makabre ka tronditur opinionin publik në Romë, ku një mace e pastrehë, e quajtur Rosi, ka rënë pre e një dhune të paprecedentë seksuale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në parkun “Tor Tre Teste”, gjatë natës mes të dielës 22 mars) dhe të hënës 23 mars.

Alarmi u dha nga një banore e zonës, e cila gjeti kafshën e lënduar rëndë dhe njoftoi menjëherë shoqatat e mbrojtjes së kafshëve. Për shkak të vonesave në ndihmën e shpejtë, gruaja e dërgoi vetë macen në një klinikë veterinare.

Mjekët mbetën të tmerruar nga ajo që panë. Pas ekzaminimeve, u konstatuan lëndime të tmerrshme në pjesët intime, shenja të padiskutueshme të një dhunimi seksual. Gjendja shëndetësore e maces Rosi mbetet kritike dhe ajo po lufton për jetën nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.

Emanuela Bignami, presidente e Lidhjes Kombëtare për Mbrojtjen e Qenve (Lndc) në Ostia, ka lëshuar një thirrje të fortë për këdo që mund të ketë informacione:

Heshtja nuk e ndihmon këtë mace që pësoi mizori të papërshkrueshme dhe nuk ju mbron as juve, sepse ky person është i rrezikshëm dhe ndodhet i lirë vërdallë. Nëse keni parë diçka apo keni dyshime, na kontaktoni ose shkoni në polici.

Lidhur me këtë rast është dorëzuar tashmë një padi në Prokurori, e mbështetur edhe nga këshilltarë të Bashkisë së Romës. Autoritetet kanë nisur hetimet zyrtare dhe po kqyren me imtësi kamerat e sigurisë në zonën e parkut, me shpresën për të identifikuar autorin e këtij akti monstruoz.

Mbrojtësit e kafshëve theksojnë se një individ i aftë për të kryer një mizori të tillë ndaj një qenieje të pambrojtur, përbën një rrezik serioz për të gjithë shoqërinë.

Detaje tronditëse: “E kreva punën” – çka i tha Naimi Kushtrimit pas vrasjes së Liridonës?

Në seancën gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, po dalin në pah detaje tronditëse nga nata kritike.

Njëri nga të akuzuarit, Kushtrim Kokalla, para trupit gjykues po paraqet mbrojtjen e tij, ku ka deklaruar se i kujtohet që në natën kur është kuptuar vrasja, sipas tij, Naim Murseli i ka thënë “e kreva punën”, transmeton Klankosova.tv.