Trump po negocion apo po blen kohë?

Presidenti i SHBA njoftoi të enjten një ndërprerje më të gjatë të sulmeve ndaj centraleve energjetike në Iran, duke pohuar se bisedimet po shkojnë “shumë mirë”. Ky vendim vjen pas një kërkese të supozuar të Teheranit, megjithëse burime si Wall Street Journal sugjerojnë se Irani nuk ka kërkuar një afat kaq të gjatë.

Por ndërsa Trump përdor tone optimiste në Truth Social, realiteti në terren mbetet i tensionuar dhe i përgjakshëm. Lufta, e cila nisi më 28 shkurt pas dështimit të bisedimeve bërthamore, ka goditur rëndë ekonominë globale.

Çmimet e naftës janë rritur me 40 për qind, ndërsa gazi natyror dhe plehrat kimikë kanë pësuar rritje drastike. Pavarësisht ndërprerjes së shpallur, Irani ka vazhduar hakmarrjen, duke goditur bazat amerikane dhe Izraelin me valë raketash balistike.

Përtej retorikës diplomatike, lëvizjet ushtarake sugjerojnë një përgatitje për përshkallëzim masiv. Përveç dërgimit të trupave, Pentagoni ka konfirmuar për herë të parë përdorimin e motoskafëve pa ekuipazh (dronë detarë) për patrullime.

Po ashtu, Trump ka paralajmëruar se do të bëhet “makthi më i keq” i Iranit nëse nuk plotësohen kërkesat e tij, të cilat përfshijnë çmontimin e programit bërthamor dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Diplomacia po zhvillohet përmes një propozimi amerikan me 15 pika, i transmetuar nga Pakistani. Megjithatë, zyrtarët iranianë e kanë cilësuar këtë plan si “të njëanshëm dhe të padrejtë”, pasi kërkon lëshime të mëdha pa ofruar garancitë e kërkuara nga Teherani.

Irani kërkon dëmshpërblim për humbjet, kontroll formal mbi Ngushticën e Hormuzit dhe përfshirjen e Libanit në çdo armëpushim. Pyetja që mbetet është nëse ky afat 10-ditor deri më 6 prill është një dritare e vërtetë për paqe, apo thjesht një manovër taktike për të ripozicionuar forcat përpara një përshkallëzimi të mundshëm.

Ndërkohë që bisedimet indirekte vazhdojnë, bota vëzhgon me ankth pasojat e një lufte që tashmë ka ndryshuar rrjedhën e stabilitetit në Lindjen e Mesme. /tesheshi.com/

Lufta në Lindjen e Mesme, Putin: Pasojat mund të jenë po aq serioze sa pandemia

Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se është e vështirë të parashikohen pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme, por disa e kanë krahasuar ndikimin e mundshëm me atë të pandemisë COVID-19.

“Konflikti po shkakton dëme të konsiderueshme në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, prodhimin dhe shpërndarjen, ndërsa ushtron presion të madh mbi kompanitë e hidrokarbureve, metaleve dhe plehrave”, tha Putin, duke iu drejtuar biznesmenëve në Moskë.

“Pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme janë ende të vështira për t’u parashikuar me saktësi”, shtoi ai. “Më duket se edhe ata që janë të përfshirë në konflikt nuk mund të parashikojnë asgjë vetë. Për ne është edhe më e vështirë”, theksoi ai.

“Megjithatë, tashmë ka vlerësime se ato mund të krahasohen me epideminë e koronavirusit”, vuri në dukje Putin. “Dua të kujtoj se pandemia ka ngadalësuar ndjeshëm zhvillimin e të gjitha rajoneve dhe kontinenteve, pa përjashtim”, tha ai.

Granit Plava trondit Gjykatën: “E mora fajin për 250 mijë euro, dikush tjetër e vrau Liridonën – unë vetëm dëgjova krismën”

I akuzuari Granit Plava deklaroi para Gjykatës Themelore në Prishtinë se ishte marrë vesh me Naim Murselin që ta merrte përgjegjësinë për vrasjen e Liridona Ademajt, duke mohuar dyshimet se kryesi i vrasjes ishte ai.

Gjatë deklarimit të tij, ai hodhi dyshime se dikush tjetër e ka vrarë Liridona Ademajn, ndërsa ishte marrë vesh me Naimin që ta pranonte vrasjen në këmbim të 250 mijë eurove për mbajtjen e 2 viteve burg.

Sipas Plavës, ka deklaraur se kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, ai ka dëgjuar krismën e armës. Ai tha se Naimi ia kishte dhënë armën, por nuk e kishte parë momentin kur ishte vrarë Liridona.

“Te vendi i ngjarjes, Naimi më ka thënë: ‘Ti do të rrish këtu, para veturës, dhe nuk do të bësh asgjë’. Më pas ma ka dërguar edhe lokacionin për të shkuar në restorant. Kam shkuar atje dhe Naimi kishte arritur para meje. Kam qëndruar në një qoshe, nuk e kam parë Naimin fare. Vetëm më ka thënë: ‘Çohu se u bë boll’. Kemi komunikuar në telefon, në WhatsApp. Më tha: ‘Çohu se u çumë me shku’. Naimi ka dalë i pari, ndërsa unë kur dola jashtë, ai u nis poshtë. Unë u nisa për Gjakovë. Pas 10 minutash më ka thirrur përsëri dhe më ka pyetur: ‘Ku je?’ edhe e ka ndalë. Më pas, me mesazh më tha: ‘A të kam thënë me ardhë te vendi?’. I thashë se nuk e di. Më tha: ‘Hajde se po të pres te pompa’.”

Bie çmimi i arit mes paqëndrueshmërisë nga konflikti në Lindjen e Mesme

Ari ka shënuar rënie nën 4.500 dollarë për ons herët sot, duke zgjeruar humbjet teksa konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon të nxisë paqëndrueshmëri të gjerë në tregje dhe të mbajë presion mbi metalin e çmuar, transmeton Anadolu.

Ari u tregtua me rreth 4.426 dollarë për ons në orën 06:05 GMT, në rënie prej 1.6 për qind gjatë ditës.

Rënia e fundit erdhi pas një shitjeje të fortë dhe të paqëndrueshme në javët e fundit. Çmimet e arit kanë rënë me 15 për qind që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt dhe po tregtohen dukshëm nën nivelin rekord të janarit 2026 prej 5.595 dollarë për ons.

Javën e kaluar, çmimi i arit pësoi rënien më të madhe javore që nga viti 1983, duke humbur më shumë se 10 për qind. Edhe çmimi i argjendit për ons pësoi rënie, duke shënuar rënie prej mbi 2 për qind në 69.73 dollarë për ons.

Paqëndrueshmëria erdhi pas deklaratave të përziera nga zyrtarët e SHBA-së dhe Iranit. Shtëpia e Bardhë këmbënguli se negociatat për paqe janë në vazhdim, por Teherani hodhi poshtë propozimet amerikane dhe paraqiti kërkesat e veta, përfshirë autoritet sovran mbi një rrugë jetike detare.

Megjithëse ari tradicionalisht konsiderohet si një aset i sigurt gjatë krizave gjeopolitike, rritja e çmimeve të naftës dhe frika më e madhe për inflacionin kanë rritur pritjet se normat e interesit mund të mbeten më të larta për më gjatë, duke ulur tërheqjen e metalit që nuk gjeneron të ardhura.

Konflikti në Lindjen e Mesme ka tronditur tregjet financiare më gjerësisht duke rritur çmimet e energjisë dhe duke nxitur shqetësime për ndërprerje të furnizimit, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit.

Rubio: Është bërë përparim në negociatat me Iranin

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar se është arritur “përparim” në negociatat me Iranin, por pa dhënë detaje mbi palët e përfshira në diskutime.

“Ka vende ndërmjetëse që po përcjellin mesazhe dhe është bërë përparim – është bërë një përparim konkret”, tha Rubio pak para nisjes për në një takim të ministrave të jashtëm të G7 në Francë.

Ai shtoi se negociatat janë një “proces i vazhdueshëm dhe fluid”, shkruajnë mediat e huaja.

Më herët gjatë së enjtes, i dërguari special Steve Witkoff konfirmoi në mbledhjen e kabinetit të presidentit Donald Trump se SHBA-të kanë negociuar me Iranin përmes kanaleve diplomatike me Pakistanin.

I pyetur nëse do t’u kërkojë vendeve të tjera të G7 të ndihmojnë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, Rubio u përgjigj se “është në interesin e tyre të ndihmojnë”.

“Vendet e tjera marrin shumë më tepër karburant nga atje sesa ne”, vuri në dukje ai.

Ndërsa lidhur me shqetësimet për pritjen që mund t’i bëhej për shkak të luftës, Rubio tha: “Nuk jam i shqetësuar për këtë.”

“Nuk jam atje për t’i bërë të lumtur. Unë shkoj mirë me të gjithë ata në një nivel personal dhe ne punojmë me ato qeveri me shumë kujdes, por njerëzit që jam i interesuar t’i bëj të lumtur janë njerëzit e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

“E dinte për planin e vrasjes së Liridonës” – Behgjet Pacolli i reagon ashpër Granit Plavës

Seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt është shoqëruar me zhvillime të forta, pasi i akuzuari Granit Plava ka dhënë një dëshmi që përfshin pretendime për mbështetje nga figura të larta shtetërore.

Para trupit gjykues, Plava deklaroi se i dyshuari për porositjen e vrasjes, Naim Murseli, i kishte premtuar mbrojtje dhe ndikim për të shmangur një dënim të rëndë, duke përmendur edhe emrin e Behgjet Pacolli.

“Ti e di çfarë pushteti kemi ne. Edhe Behgjet Pacolli e di. Nuk të lë më shumë se 2 vjet në burg”, citohet të ketë thënë Plava se i kishte deklaruar Murseli.

Sipas tij, para ngjarjes kishte pasur disa takime me Murselin për të rënë dakord për kryerjen e krimit, ndërsa fillimisht nuk ishte në dijeni se kush ishte viktima. Ai tha se vetëm pas ngjarjes kishte kuptuar se bëhej fjalë për bashkëshorten e Murselit, Liridona Ademaj.

Plava pretendoi gjithashtu se i ishin ofruar përfitime të konsiderueshme, përfshirë një vend pune me pagë mujore, veturë dhe deri në 250 mijë euro nëse do të merrte përgjegjësinë dhe do të vuante dënimin. Sipas dëshmisë së tij, në ditën e ngjarjes ishte dërguar në Prishtinë nga një person tjetër dhe kishte marrë paraprakisht disa qindra euro.

Pretendimet e tij janë kundërshtuar menjëherë nga Behgjet Pacolli, i cili i ka mohuar kategorikisht, duke reaguar me tone të ashpra.

“Njerëz të çmendur, shumë të çmendur”, ka deklaruar ai për Tëvë1.

Më vonë, përmes një reagimi publik në Facebook, Pacolli ka theksuar se është distancuar prej kohësh nga persona që, sipas tij, po përpiqen të përdorin emrin e tij për të justifikuar veprimet e tyre.

Ai theksoi se askush nuk ka të drejtë të përdorë emrin e tij për “alibi, mbrojtje apo larje imazhi”, duke shtuar se heshtja e tij ka qenë çështje dinjiteti dhe jo frike.

“Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi.Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur. Dhe kur nuk munden më ta mbajnë peshën e zgjedhjeve të veta, kërkojnë të shpëtojnë duke përmendur emra që nuk u përkasin më jetës së tyre”.

“Kjo nuk është forcë. Kjo është varfëri karakteri.Po e them qartë: jam distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe nga çdo rrugë që nuk më përfaqëson. Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij.Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin tim për alibi, për mbrojtje apo për larje imazhi. Emri im nuk është strehë për askënd që përpiqet të fshehë të vërtetën pas emrit të tjetrit.Kam heshtur nga dinjiteti, jo nga frika”.

“Por heshtja ime nuk është dobësi. Është refuzim për të rënë në nivelin e atyre që, pasi ushqehen nga mirësia, e kthejnë atë në helm.Dhe në fund, njeriu nuk bëhet i lig nga mungesa e përkrahjes; ai thjesht tregon atë që ka qenë brenda tij gjatë gjithë kohës.Gjatë seancës, pretendimet e Plavës janë kundërshtuar edhe nga vetë Naim Murseli, i cili i është drejtuar atij me fjalët “mos rrej”, shkroi Pacolli.

Ulet çmimi i naftës në Shqipëri

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të benzinës dhe gazoilit, pas rënies së çmimeve në bursën ndërkombëtare të Mesdheut.

Çmimi maksimal me pakicë i gazoilit shkon në 203 lekë për litër, ndërsa benzinës në 175 lekë për litër.

Vendimi hyri në fuqi sot në orën 18:30 dhe do të monitorohet nga autoritetet për zbatimin rigoroz.

Iraku kundërshton sulmet ndaj shteteve të Gjirit, zotohet të bllokojë sulmet ndërkufitare

Bagdadi hodhi poshtë çdo sulm që synon vendet e Gjirit ose Jordaninë, duke theksuar se siguria e vendeve arabe është “një pjesë e pandashme” e sigurisë kombëtare të Irakut, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Irakut tha se qeveria “refuzon kategorikisht çdo agresion ose shënjestrim” ndaj vendeve të Gjirit dhe Jordanisë, duke nënvizuar se stabiliteti rajonal është interes i përbashkët për të gjithë popujt.

Ajo shtoi se Iraku mbetet i përkushtuar ndaj një “politike të jashtme të balancuar” bazuar në bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë, dhe po punon me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të “forcuar sigurinë, stabilitetin dhe për të ulur tensionet”, për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme.

Qeveria gjithashtu konfirmoi se vazhdon të marrë masat e nevojshme për të adresuar sfidat e sigurisë “në përputhje me kushtetutën dhe ligjin”, duke theksuar se agjencitë e sigurisë së Irakut po koordinohen me homologët e tyre në “vendet vëlla dhe mike”.

Bagdadi shprehu “gatishmërinë e plotë” për të pranuar çdo informacion ose provë lidhur me sulme të kryera nga territori i Irakut ndaj shteteve fqinje dhe për t’i trajtuar ato “në mënyrë të përgjegjshme dhe të shpejtë”.

Deklarata theksoi refuzimin e Irakut për përdorimin e territorit të tij për të kryer sulme ndaj vendeve të tjera, duke shtuar se qeveria është e përkushtuar për të ruajtur sovranitetin, për të forcuar marrëdhëniet dhe për të parandaluar veprime që mund të dëmtojnë sigurinë rajonale.

Të mërkurën, vendet e Gjirit dhe Jordania dënuan fuqishëm sulmet iraniane si “shkelje flagrante” të sovranitetit dhe integritetit të tyre territorial, duke konfirmuar të drejtën e tyre të plotë për vetëmbrojtje.

Në një deklaratë të përbashkët, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Arabia Saudite, Katari dhe Jordania thanë se sulmet e kryera nga Irani ose përfaqësuesit e tij përbëjnë “shkelje të ligjit ndërkombëtar, të ligjit humanitar ndërkombëtar dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Përshkallëzimi rajonal ka vazhduar që nga 28 shkurti, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael nisën një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit, duke shkaktuar mbi 1.340 viktima, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem, Ali Khamenei.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.

Me shpërthimin e luftës ndaj Iranit, disa fraksione irakiane kanë kryer dhjetëra sulme ndaj objekteve amerikane brenda vendit dhe në gjithë rajonin.

(VIDEO) Turqi dhe Shqipëri, qytetarët kanë gatishmëri të lartë për luftë

Një anketë e vitit 2025, e realizuar nga Universiteti Riga Stradins në bashkëpunim me Qendrën për Studime Gjeopolitike në Riga, hedh dritë mbi gatishmërinë e qytetarëve në vende të ndryshme për të mbrojtur atdheun e tyre në rast lufte. Sipas kësaj ankete, ku morën pjesë mbi 31,000 qytetarë nga 20 vende aleate të NATO, rezulton se Turqia dhe Shqipëria renditen ndër vendet me përqindjen më të lartë të popullsisë që deklarojnë se janë të gatshëm të luftojnë për vendin e tyre.

Tabelë: Qendra për Studime Gjeopolitike në Riga

“Në krye të listës qëndron Turqia me plot 88%, një shifër që tregon një nivel shumë të lartë të ndjenjës së përgjegjësisë dhe patriotizmit tek qytetarët e saj. Menjëherë pas saj vjen Shqipëria me 69%, duke lënë pas shumë vende të zhvilluara evropiane dhe perëndimore”.

Ata vlerësojnë se ky rezultat është veçanërisht domethënës kur krahasohet me shtete si Gjermania (27%), Italia (25%) apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës (37%), ku gatishmëria për të luftuar është dukshëm më e ulët. Edhe vende të njohura për stabilitet dhe mirëqenie si Suedia (66%) dhe Finlanda (64%) mbeten pas Shqipërisë në këtë aspekt.

Ndërkaq, këto të dhëna tregojnë qartë se në Turqi dhe Shqipëri ekziston një lidhje e fortë mes qytetarëve dhe shtetit, si dhe një gatishmëri më e lartë për sakrificë në mbrojtje të sovranitetit dhe territorit. Në një kohë kur sfidat gjeopolitike janë në rritje, ky nivel i lartë i përkushtimit konsiderohet një faktor i rëndësishëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë kombëtare.

Anida Murati /SHENJA/