Soda e bukës, “sekreti” që po i çmend të gjithë dhe nuk ngeli njeri pa e provuar

Soda e bukës nuk është vetëm një nga produktet më të mira të kuzhinës, por edhe një nga pastruesit më të mirë të saj.

Po ashtu, është një aleat shumë i mirë i bukurisë, meqenëse ka përdorim të gjerë në pothuaj të gjitha produktet kozmetike. Së bashku me vajin e arrës së kokosit apo me vajin e ullirit mund ta përdorësh sodën për flokët, për dhëmbët etj. Ja disa përdorime të sodës së bukës që mund të mos i kesh ditur.

Pse po dështon strategjia SHBA-Izrael kundër Iranit

Nga Sami Al-Arian, Middle East Eye

Lufta e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit ka prodhuar një paradoks strategjik të habitshëm. Edhe pse boshti amerikano-sionist mbështetet në forcën brutale teknologjike dhe dominimin ajror, ai mbetet i verbër ndaj realiteteve historike dhe sociopolitike të rajonit.

Mijëra objektiva janë goditur, por këto përfitime taktike nuk po përkthehen në sukses politik. Në përballjet asimetrike, fitorja matet me aftësinë për ta detyruar kundërshtarin të pranojë vullnetin e sulmuesit.

Sipas këtij standardi, fushata ushtarake po dështon. Irani e ka bërë të qartë se refuzon dorëzimin dhe negociatat nën sulm, duke kërkuar fillimisht ndalimin e agresionit, dëmshpërblime lufte dhe garanci ndërkombëtare kundër sulmeve të ardhshme.

Një dobësi themelore e Uashingtonit është mungesa e një përkufizimi koherent të fitores. Ndërsa Izraeli ndjek qëllime maksimaliste për neutralizimin total të Iranit, administrata Trump lëkundet mes kërkesave për dorëzim, nxitjes së trazirave të brendshme dhe thirrjeve për dialog.

Ky konfuzion, rrezikon ta shndërrojë konfliktin në një përshkallëzim të zgjatur pa zgjidhje. Në qendër të këtij dështimi qëndron asimetria e qëllimeve. Strategjia SHBA-Izrael synon shembjen e sistemit iranian ose asgjësimin e ndikimit të tij rajonal.

Në të kundërt, objektivi i Iranit është shumë më i thjeshtë: atij i duhet vetëm të mbijetojë. Nëse shteti dhe aleancat e tij mbeten të paprekura, misioni i sulmuesve ka dështuar.

Lufta ka ekspozuar edhe dy doktrina të ndryshme ushtarake. Boshti amerikano-izraelit përdor “përshkallëzimin vertikal” përmes fuqisë dërrmuese të zjarrit. Irani përgjigjet me “përshkallëzim horizontal”, duke e zgjeruar fushën e betejës gjeografikisht përmes sulmeve ndaj bazave amerikane, rrugëve detare dhe tregjeve të energjisë, duke rritur kostot globale të luftës.

Roli i “Boshtit të Rezistencës” është vendimtar në këtë përplasje. Nga Hezbollahu në Liban te Huthit në Jemen, ky rrjet ka kapacitetin të hapë fronte të shumta njëkohësisht. Kjo e detyron Izraelin të luftojë në një mjedis të pasigurt, ku popullsia e tij e përqendruar në zona të ngushta urbane mbetet vulnerabël ndaj sulmeve të zgjatura.

Për presidentin amerikan Trump, ky agresion paraqet një dilemë të fortë. Përshkallëzimi i mëtejshëm rrezikon destabilizimin e tregjeve financiare dhe ekspozimin e forcave amerikane ndaj hakmarrjes. Megjithatë, tërheqja do të shënonte dështimin e fushatës dhe do ta linte Izraelin të vetmuar përballë një Irani të fortë dhe rrjetit të tij rajonal.

Pasojat shtrihen përtej Lindjes së Mesme, pasi Kina dhe Rusia po vëzhgojnë me vëmendje zhvillimet. Një angazhim i zgjatur amerikan në këtë rajon krijon boshllëqe strategjike në Indo-Paqësor dhe Evropë.

Pra lufta kundër Iranit është shndërruar kështu në një front të luftës më të gjerë globale për shpërndarjen e fuqisë në shekullin XXI. Në fund, pyetja nuk është se kush shkakton më shumë shkatërrime, por kush mund të durojë më shumë.

Nëse Irani mbijeton, ai del triumfues. Ky rezultat do të shënonte fundin e dominimit strategjik sionist dhe do të sinjalizonte një rend të ri rajonal, ku mbijetesa dhe rezistenca përcaktojnë balancën e fuqisë. /tesheshi.com/

Të paktën 50 të plagosur nga zjarri në një fabrikë në Daejeon të Koresë së Jugut

Të paktën 50 persona u plagosën të premten, shumica rëndë, në një zjarr në një fabrikë për pjesë të automobilave në qytetin jugkorean Daejeon, transmeton Anadolu.

Sipas raportimit nga “The Korea Herald”, e cila ka cituar zyrtarët lokalë të zjarrfikësve, thuhet se zjarri shpërtheu në një objekt në zonën Munpyeong-dong.

Autoritetet e ngritën reagimin emergjent në fazën 2 menjëherë pas fillimit të zjarrit, duke mobilizuar burime nga stacionet aty pranë.

Të paktën 46 automjete zjarrfikëse dhe 115 persona u vendosën për të kontrolluar flakët.

Zyrtarët thanë se 35 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, ndërsa 15 kanë pësuar lëndime të lehta.

Ekipet e emergjencës vazhduan përpjekjet për ta vënë zjarrin nën kontroll dhe për të vlerësuar dëmet në vendngjarje. Shkaku i zjarrit nuk u bë i ditur menjëherë.

Forcat izraelite ndërhyjnë teksa palestinezët përpiqeshin të arrinin në Al-Aksa për faljet e Fitër Bajramit

Forcat izraelite të sigurisë kanë ndërhyrë teksa palestinezët përpiqeshin të hynin në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa për faljet e Fitër Bajramit, pavarësisht mbylljes së vendit të shenjtë, raporton Anadolu.

Qindra palestinezë u mblodhën në rrugët dhe rrugicat përreth kompleksit, duke falur namazin e Bajramit, ndërsa policia izraelite përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën

Autoritetet izraelite kanë ndaluar faljet e Fitër Bajramit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, duke përmendur kufizime të sigurisë të vendosura në kuadër të luftës kundër Iranit.

Dje, palestinezët bënë thirrje që besimtarët të mblidhen pranë Qytetit të Vjetër për të kryer faljet sa më afër Al-Aksas, për të shënuar përfundimin e muajit të agjërimit të Ramazanit.

Policia izraelite ka përdorur më parë shkopinj gome, granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës kundër palestinezëve që janë falur jashtë mureve të Qytetit të Vjetër në shenjë proteste kundër kufizimeve në Al-Aksa gjatë Ramazanit.

Kudsi Lindor i pushtuar hyri në periudhën festive në një atmosferë të zymtë.

Qyteti i Vjetër, i cili zakonisht mbushet me palestinezë në ditët para Bajramit, ishte çuditërisht i qetë, duke i ngjarë një qyteti fantazmë.

Izraeli kufizoi hyrjen, duke përmendur ndalimin e grumbullimeve, ndërsa tregtarët palestinezë u penguan të hapin dyqanet e tyre, vetëm farmacitë dhe dyqanet e ushqimeve bazë u lejuan të funksiononin.

Tregtarët palestinezë, të cilët refuzuan të identifikohen nga frika e ndëshkimeve izraelite, thanë se kufizimet i kanë lënë në vështirësi të mëdha ekonomike.

SHBA-ja godet rrjetin kibernetik iranian – Shqipëria mes vendeve të shënjestruara

Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë ndërmarrë një operacion të rëndësishëm kundër infrastrukturës kibernetike të lidhur me Iranin, duke sekuestruar katër faqe interneti të përdorura për sulme dhe operacione psikologjike.

Caqe të këtyre sulmeve raportohet të kenë qenë edhe institucionet e Shqipërisë.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se domenet e sekuestruara – Justicehomeland[.]org, Handala-Hack[.]to, Karmabelow80[.]org dhe Handala-Redwanted[.]to – ishin të lidhura me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS).

Këto platforma janë përdorur për sulme kibernetike, shpërndarje të të dhënave të vjedhura dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit iranian.

Sipas autoriteteve amerikane, këto faqe kanë shërbyer edhe si mjete për operacione psikologjike, duke përdorur të dhënat e vjedhura përmes hakerimit.

“Shpërndarja e ideologjisë terroriste në hapësirën kibernetike është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare. Zyra e Prokurorit të SHBA-së është e përkushtuar të bashkëpunojë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të identifikuar kërcënimet, për t’i çaktivizuar dhe për t’i ndëshkuar autorët e tyre”, tha Kelly O. Hayes, prokurore e SHBA-së për Distriktin e Merillendit.

Hetimet e FBI-së zbuluan se rrjeti nuk kufizohej vetëm në publikime online.

Një adresë emaili e lidhur me këtë grup dërgonte edhe kërcënime direkte me vdekje ndaj gazetarëve dhe disidentëve iranianë në SHBA dhe vende të tjera.

Në një nga mesazhet, autorët pretendonin bashkëpunim me një kartel meksikan, duke ofruar shpërblime deri në 250 mijë dollarë për vrasjen e objektivave të tyre.

Shqipëria në shënjestër për shkak të opozitës iraniane

Autoritetet amerikane konfirmuan se dy nga domenet e sekuestruara – Justicehomeland[.]org dhe Karmabelow80[.]org – janë përdorur për të publikuar dokumente të vjedhura nga institucionet shtetërore shqiptare.

Sulmet ndaj Shqipërisë besohet se lidhen drejtpërdrejt me qëndrimin e saj ndaj grupit opozitar iranian Mujahedeen e-Khalq (MEK), i cili është strehuar në territorin shqiptar dhe ka bërë thirrje për rrëzimin e regjimit në Teheran.

“Më 15 korrik 2022 dhe 9 shtator 2022 ose rreth këtyre datave, aktorët e MOIS-it përdorën domenin Justice Homeland[.]org për të marrë përgjegjësinë për vjedhjen e dokumenteve të ndjeshme nga organizatat qeveritare shqiptare”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Përndryshe, këtë javë, Shqipëria e shpalli Iranin “shtet sponsor të terrorizmit”.

FBI-ja bëri të ditur se hetimet vazhdojnë dhe paralajmëroi se të gjithë personat e përfshirë në këto aktivitete, do të identifikohen dhe do të përballen me drejtësinë.

Në kuadër të përpjekjeve për të luftuar sulmet kibernetike, Departamenti amerikan i Shtetit shpalli edhe një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin e personave të përfshirë në sulme ndaj infrastrukturës kritike amerikane.

Konflikti mes SHBA‑së, Izraelit dhe Iranit

E gjithë kjo vjen në kohën e një konflikti të armatosur mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, që shpërtheu më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët ushtarake kundër Republikës Islamike, të koduar si operacioni Tërbimi Epik.

Qëllimi ishte të shkatërronin programet balistike dhe ushtarake iraniane, të parandalonin zhvillimin e armëve bërthamore dhe të dobësonin kapacitetet mbrojtëse të regjimit të Teheranit.

Irani u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik, përfshirë edhe sulme ndaj objekteve të SHBA‑së në Bahrejn dhe rajone të tjera.

Këto veprime çuan në një përshkallëzim të menjëhershëm të konfliktit që tashmë është në javën e tretë./REL

OBSH po përgatitet për një katastrofë të mundshme bërthamore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin për një skenar të mundshëm katastrofik bërthamor, teksa përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vijon të tensionojë rajonin.

Drejtoresha rajonale për Mesdheun Lindor, Hanan Balkhy, deklaroi se OBSH po qëndron “në gatishmëri të plotë” për çdo kërcënim atomik. Ajo theksoi se skenari më i keq mbetet një incident bërthamor, qoftë nga goditja e një centrali apo përdorimi i një arme, duke paralajmëruar pasoja që mund të zgjasin për dekada.

Sipas saj, edhe pse nuk ka ende shenja të ndotjes radioaktive në rajon, një incident i tillë do të kishte efekte shkatërruese për shëndetin: dëmtime të menjëhershme në mushkëri dhe lëkurë, rritje të rasteve me kancer dhe probleme serioze të shëndetit mendor.

Frika e ekspertëve bazohet edhe në precedentë historikë si Katastrofa e Çernobilit, që shkaktoi pasoja afatgjata shëndetësore, dhe sulmet me bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, ku humbën jetën rreth 210 mijë njerëz.

Ndërkohë, tensionet janë shtuar pasi SHBA dhe Izraeli kanë goditur objektet bërthamore iraniane në zona si Fordow, Isfahan dhe Natanz. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të “eliminojë kërcënimin bërthamor” nga Irani, edhe pse pa paraqitur prova konkrete për zhvillim të armëve bërthamore nga Teherani.

OBSH po përditëson protokollet e reagimit për stafin e saj, duke përfshirë udhëzime për mbrojtjen e popullsisë në rast të një incidenti të tillë. Paralelisht, organizata ka ngritur shqetësime edhe për pasojat e sulmeve ndaj impianteve të naftës në Iran, të cilat kanë mbuluar Teheranin me tym dhe mund të shkaktojnë probleme serioze respiratore.

Nga ana tjetër, situata humanitare po përkeqësohet ndjeshëm. OBSH raporton për dhjetëra sulme ndaj punonjësve shëndetësorë në Iran dhe Liban, ndërsa infrastruktura mjekësore në rajon po pëson dëme të mëdha.

Mes këtij realiteti, paralajmërimi i OBSH-së mbetet i qartë: nëse konflikti përshkallëzohet më tej, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në rajon, por mund të kenë ndikim global dhe afatgjatë.

U tradhtuan nga koshi i mbeturinave, policia gjermane zbulon plantacionin e kanabisit të shqiptarëve

Policia kriminale gjermane zbuloi një plantacion të paligjshëm kanabisi në Greven, duke arrestuar pesë shqiptarë dhe një gjerman. Vetëm hashashi i sekuestruar ka një vlerë tregu mbi 200.000 euro, ndërsa plantacioni përfshinte gjithsej 800 bimë kanabisi të kultivuara në një hambar të madh.

Hetimet nisën që në fund të shkurtit 2026, kur një dëshmitar vuri re qese mbeturinash me bimë kanabisi pranë Gresse dhe njoftoi policinë. Në tokën prej rreth 4.000 metrash katrorë, oficerët gjetën 672 kova me rrënjët e bimëve të korrura dhe rreth 32 kilogramë hashash të gatshëm për treg.

Në ndërtesë u arrestuan pesë shqiptarë që dyshohet se menaxhonin plantacionin, ndërsa qiradhënësi gjerman 28-vjeçar u dorëzua dhe u arrestua më 4 mars. Të gjithë gjashtë të akuzuarit përballen me akuza për tregtim të paligjshëm të kanabisit në sasi të madhe, ndërsa shërbimi teknik ndihmës u angazhua për transportin e bimëve dhe pajisjeve të kultivimit.

Ngjarje makabre në qytetin shqiptar! Prindërit rrahun të birin 5-vjeçar dhe i presin gishtat e këmbës

Një ngjarje makabre që ka lënë pa fjalë opinionin publik është regjistruar në Prishtinë, ku një fëmijë vetëm 5 vjeç ka rënë viktimë e dhunës sistematike nga dy prindërit e tij. I mituri ndodhet aktualisht në Klinikën e Pediatrisë, pasi dyshohet se prindërit i kanë prerë gishtat e këmbës dhe i kanë shkaktuar lëndime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas raportimeve të fundit, fëmija është dërguar me urgjencë në QKUK gjatë ditës së djeshme, ku mjekët kanë konstatuar plagë të tmerrshme që dëshmojnë për një keqtrajtim të vazhdueshëm. Ekipi mjekësor ka njoftuar se 5-vjeçari i është nënshtruar menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet nën kujdes intensiv.

Menjëherë pas denoncimit të rastit nga stafi mjekësor, Policia e Kosovës ka vënë në pranga nënën dhe babanë e fëmijës. Prokuroria ka ngritur akuza të rënda për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar sot masën e paraburgimit prej një muaji për të dy prindërit, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur motive dhe rrethanat e plotë të këtij akti barbar brenda familjes.

Zyrtarë nga Klinika e Pediatrisë konfirmuan se gjendja e fëmijës po monitorohet rreptësisht, jo vetëm nga ana fizike, por edhe nga punonjës socialë dhe psikologë, për shkak të traumës së rëndë që ka pësuar. Ky rast ka nxitur reagime të shumta nga shoqëria civile, të cilët kërkojnë dënime maksimale për autorët e këtij krimi tronditës.