Tani është adoleshenti më i shtrenjtë shqiptar, zbulohet shifra rekord me të cilën vlerësohet 16-vjeçari

Adri Mehmetit i kanë mjaftuar pak javë në radhët e Nju Jork Red Bull në MLS, për t’u kthyer në një nga emrat më të ndjekur nga klubet e mëdha në Europë. Futbollisti po shkëlqen si mesfushor me ekipin e tij dhe ka dhënë asiste në të dy javët e para të kampionatit, duke treguar një potencial të jashtëzakonshëm pavarësisht moshës shumë të re.

Kjo ka bërë që disa nga klubet më të mëdha në Europë të ndjekin futbollistin dhe bëhet e ditur se që tani janë Arsenali e Çelsi ata më të interesuara për lojtarin, nëse klubi amerikan vendos ta shesë. Duhet kujtuar se ai është pjesë e grupit Red Bull, që ka si epiqendër klubin e RB Lajpcig në Gjermani, ndaj edhe një transferim i mundshëm i një lojtari me potencial, do të bëhej vetëm brenda “familjes” apo për një shifër të lartë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se që tani, Mehmeti vlerësohet 20 milionë euro nga klubi amerikan, i cili me këtë çmim të lartë po mundohet të tregojë potencialin e jashtëzakonshëm që ka futbollisti që në moshën 16-vjeçare. Për më tepër, ky vlerësim edhe mund të rritet nëse ai vazhdon të paraqitet në këto nivele në të ardhmen e nëse së shpejti merr edhe një ftesë nga ekipi përfaqësues i SHBA, që ka përfaqësuar së fundmi me moshat, apo edhe i Shqipërisë për të cilën ka luajtur me U15. /PANORAMASPORT.AL

Edhe Kina gati per luftë, 26 avionë luftarakë shfaqen në ngushticë

Kina ka rifilluar manovrat ushtarake në shkallë të gjerë pranë Tajvanit pas një pauze të papritur disa ditore, duke rritur sërish tensionet në rajon.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi se mes datave 14 dhe 15 mars janë zbuluar 26 avionë ushtarakë kinezë, ndërsa 16 prej tyre kanë kaluar vijën mediane të Ngushticës së Tajvanit, kufiri jozyrtar që ndan dy palët. Gjithashtu janë identifikuar edhe 7 anije luftarake kineze në zonë.

Aktiviteti ushtarak kishte rënë papritur më 27 shkurt, kur për herë të parë pas shumë kohësh Tajvani raportoi se nuk ishte zbuluar asnjë avion kinez. Që nga 7 marsi fluturimet kishin qenë të pakta, me vetëm 2 ose 3 avionë në ditë, deri në rritjen e fortë të fundit.

Pekini e konsideron Tajvanin territor të vetin, edhe pse nuk e ka kontrolluar kurrë ishullin. Presidenti kinez Xi Jinping e ka bërë të qartë se ribashkimi me Tajvanin është një nga prioritetet kryesore dhe i ka kërkuar ushtrisë kineze të jetë gati për ta realizuar këtë deri në vitin 2027.

Rifillimi i manovrave vjen në një moment të ndjeshëm, pasi parlamenti i Tajvanit ka miratuar më 12 mars një paketë të re armësh me vlerë 9 miliardë dollarë nga SHBA, që përfshin artileri të avancuar, raketa kundërtanke Javelin dhe sisteme raketore HIMARS.

Presidenti tajvanez Lai Ching-te deklaroi se ekonomia e vendit, e nxitur nga kërkesa globale për gjysmëpërçuesit e avancuar për inteligjencën artificiale, i lejon Tajvanit të përballojë një buxhet mbrojtjeje që arrin në rreth 40 miliardë dollarë.

Zhvillimet vijnë ndërkohë që zyrtarë të lartë amerikanë dhe kinezë po zhvillojnë bisedime tregtare në Paris, pak javë përpara vizitës së planifikuar të presidentit amerikan Donald Trump në Kinë.

Pse gurët e tëmthit vlejnë më shumë se ari…

Nëse dikush do të pyeste se cili është nënprodukti më i vlefshëm i industrisë së mishit, shumë pak njerëz do të thoshin gurët e tëmthit të lopës. Por e vërteta është se ato vlejnë sot më shumë se ari.

Për mijëra vjet, gurët e tëmthit të lopës janë përdorur në mjekësinë tradicionale kineze për të trajtuar të gjitha llojet e sëmundjeve serioze, duke përfshirë hipertensionin dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Ndërsa sot popullata kineze vuan nga një shkallë goditjesh në tru 3 herë më të lartë se ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kërkesa për gurë në tëmth është më e lartë se kurrë më parë, dhe po kështu ka ndodhur edhe me çmimin e tyre.

Sipas Wall Street Journal, në vitin 2025, çmimi i gurëve të tëmthit të lopës u rrit në 5.800 dollarë për ons (28.4 gram), ose 2 herë më të shtrenjta se ari. Të shitura nën emrin  Niu Huang  (牛黄), gurët e tëmthit të gjedhit përdoren kryesisht në formulimin e  Angong Niuhuang Wan, një ilaç tradicional i përshkruar për gjendje të rënda neurologjike si goditjet në tru, komat febrile, çrregullimet e vetëdijes, etj.

Problemi i gurëve në tëmth te lopët ka qenë gjithmonë mungesa e tyre. Mundësitë e formimit të gurëve në tëmth te lopët rriten me moshën, por shumica e thertoreve në mbarë botën preferojnë të therin bagëtinë në mosha më të reja për të përmirësuar efikasitetin.

Mungesa dhe çmimet në rritje të gurëve në tëmth, kanë nxitur trazira në rajonet e rritjes së bagëtive si Brazili, Australia dhe Teksasi në SHBA. Kohët e fundit, incidentet e kontrabandës së gurëve të tëmthit dhe grabitjeve janë shtuar në Bahetus, Brazil.

Persona të armatosur sulmojnë fermat e bagëtive jo për të vjedhur kafshët, por çdo gur tëmthi që mund të gjejnë. Po ashtu është shtuar kontrabanda e gurëve të tëmthit nga punonjësit e thertoreve.

Ashtu siç kërkesa për diamante natyrale çoi në krijimin e diamanteve të prodhuara në laborator, edhe studiuesit kinezë kanë zhvilluar gurë të tëmthit të “kultivuar” që riprodhojnë pjesërisht efektet neurombrojtëse dhe hepatombrojtëse të produktit natyror, me një profil të kontrolluar toksiciteti.

Gurët natyrorë ende konsiderohen standardi i artë, por këto alternativa sintetike, të rritura në laborator, mund të parandalojnë disi rritjen e mëtejshme të çmimeve. Është interesant fakti që në Kinë është rritur edhe kërkesa për gurë të tëmthit njerëzor, ku çmimet për një gur të vetëm shkojnë deri në 1.270 dollarë.

Çmimi i gurëve varet nga madhësia e tyre dhe karakteristikat e tjera, por në përgjithësi, sa më të mëdhenj të jenë gurët, aq më i lartë është çmimi i tyre. Dhjetëra reklama me gurë të tëmthit njerëzor në shitje janë identifikuar vetëm në një platformë online. /tesheshi.com/

Haaretz: Pse vlojnë dyshimet se Netanyahu ka vdekur?

Benjamin Netanyahu, njeriu që ka bërë karrierë duke i mbijetuar çdo stuhie politike, tani po përballet me sfidën e tij më të madhe: të vërtetojë se ekziston fizikisht dhe se nuk është thjesht një produkt i mirë-shkruar i Inteligjencës Artificiale.

Pas sulmeve iraniane me raketa, interneti ”zien” nga pretendimi se kryeministri izraelit është zëvendësuar nga një robot apo një imazh i gjeneruar nga kompjuteri. Sipas një raportimi nga Haaretz, gjithçka nisi me disa pamje të turbullta nga konferenca e tij e fundit për shtyp, ku llogari pro-iraniane pretendonin se ai shfaqej me gjashtë, madje edhe shtatë gishta.

Në botën e sotme, ku e vërteta është bërë elastike, ky “gabim teknik” i AI-së u mor si prova përfundimtare se “Bibi” nuk është më mes nesh. Për t’u kundërpërgjigjur, Netanyahu zgjodhi teatrin e tij të preferuar: videon e shkurtër në rrjetet sociale.

I shfaqur në një kafene pranë Jeruzalemit, ai tentoi të bënte atë që di të bëjë më mirë, lojën me fjalë. “Po vdes për një kafe!’- tha ai duke u kërkuar ndjekësve të numëronin gishtat e tij.

Megjithatë, siç vëren Haaretz, kjo “provë jete” nuk bëri gjë tjetër veçse hapi një kapitull të ri të quajtur “Coffeegate”. Skeptikët vunë re se filxhani i tij i kapuçinos ishte plot deri në buzë, por mrekullisht, asnjë pikë nuk u derdh ndërsa ai e lëvizte.

Ironia therëse është se vetë mjeti që Netanyahu ka përdorur shpesh për të manipuluar opinionin – teknologjinë dhe narrativat e kontrolluara – dhe tani ato po kthehen kundër tij. Siç raporton Haaretz, madje edhe inteligjenca artificiale e Elon Musk, Grok, e quajti dorën e tij “një artefakt klasik të AI”.

Sidoqoftë, përtej debateve nëse është një person real apo një imazh i krijuar nga algoritmet, një gjë mbetet e sigurt: asnjë teknologji nuk mund ta bëjë atë të pavdekshëm apo të paprekshëm nga drejtësia.

Pavarësisht nëse vazhdon të luajë rolin e tij në videot e radhës, koha dhe historia nuk harrojnë. Qoftë përmes ligjeve të pashmangshme të natyrës, apo përmes drejtësisë ndërkombëtare që po troket për krimet e panumërta ndaj popullit palestinez, Netanyahu do të përballet me llogaridhënien.

Fundi i tij, qoftë biologjik apo prapa hekurave të burgut, do të jetë momenti kur asnjë truk digjital apo iluzion optik nuk do të mund ta shpëtojë më nga pesha e bëmave të tij. /tesheshi.com/

 

Një dorëheqje poshtëruese për administratën Trump me shkak Iranin

Drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit Joe Kent ka dhënë dorëheqjen, duke thënë se “nuk mund ta mbështesë me ndërgjegje të pastër luftën e administratës Trump kundër Iranit”.

“Irani nuk përbën një kërcënim të menjëhershëm për vendin tonë dhe është e qartë se ne hymë në këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobi i tij i fuqishëm amerikan”, tha Kent.

Kent është një ish-kandidat politik i cili është lidhur me ekstremistët e krahut të djathtë. Ai u zgjodh në këtë pozicion në korrik të vitit të kaluar me një votim në Senat, me rezultat 52 me 44, sipas AP.

Kujtojmë se Trump, në një fjalim të kohëve të fundit nga Zyra Ovale, njoftoi se kishte parandaluar Luftën e Tretë Botërore. Pra, duke sulmuar Iranin.

Por për një mendje normale, asnjë fjalë e tij, sado të jetë presidenti i shtetit më të fuqishëm nëglob, nuk duhet marrëparasysh. Kjo pasi niveli i absurditeteve të tij ka kaluar tashmë çdo cak.

Dhe ky zhvillim në SHBA, vend agresor ndaj Iranit për llogaritë e ulëta e gati çnjerëzore të Izraelit, ndodh për ironi mu në kohën që Tirana, nga një qeveri amorale, shpall Iranin “shtet terrorist” edhe pse nga ky shtet nuk është vrarë asnjë shqiptar. /tesheshi.com/  

Gjashtë mesazhe sfiduese nga Irani për botën islame: “Në cilën anë jeni?”

Për botën klasike islame, me arabët në qendër, Irani është bartës i një prej devijancave më dëmsjellëse në histori, duke qenë për Islamin e pastër e burimor një sëmundje e pashërrueshme dot. Dhe jo thjesht në planin teologjik; shiizmi ka qenë e mbetet thika e pabesive në trupin e Islamit. Ndaj dhe një sfidë e vështirë shfaqet sot me sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit, atdheut të shiizmit me origjine perse, pasi kjo situatë kërkon një pozicionim.

Në këtë sfidë i ka ftuar së fundi Irani vendet arabe dhe islame, duke përdorur një narrativë joshëse në terma të pastër islamë, por që, nga mësimet e historisë, vështirë t’i zihet besë.

Më konkretisht, Këshilltari i Liderit Suprem të Iranit, Ali Larijani, ka publikuar një mesazh për myslimanët në mbarë botën dhe vendet islame.

Ai më parë njoftoi se Irani do të publikonte një mesazh me gjashtë pika, dhe dokumenti tani është i disponueshëm.

Më poshtë janë të gjashtë mesazhet që Irani po u dërgon të gjithë myslimanëve në mbarë botën:

Irani u ekspozua ndaj agresionit mashtrues amerikano-sionist që ndodhi gjatë negociatave, me qëllim thyerjen e Iranit. Ky agresion çoi në martirizimin e udhëheqësit të madh të Revolucionit, si dhe të shumë civilëve dhe komandantëve ushtarakë. Megjithatë, agresorët u përballën me rezistencë të fortë kombëtare dhe islame nga populli iranian.

Ju e dini se, përveç rasteve të rralla dhe përmes qëndrimeve të kufizuara politike, asnjë shtet islam nuk ka qëndruar pranë popullit iranian. Megjithatë, populli iranian, me vullnetin e tij të fortë, arriti ta shtypë agresorin, i cili tani është në një situatë ku nuk mund të gjejë një rrugëdalje nga ky qorrsokak strategjik.

Irani vazhdon në rrugën e rezistencës kundër “Shejtanit të madh” dhe “Shejtanit të vogël”, domethënë Amerikës dhe Izraelit. Por a nuk është qëndrimi i disa qeverive islame në kundërshtim me fjalët e Profetit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të): “Kushdo që dëgjon një njeri që thërret: ‘O myslimanë’ dhe nuk i përgjigjet atij, nuk është mysliman”? Çfarë është Islami?

Disa vende shkuan një hap më tej dhe e shpallën Iranin armik sepse shënjestroi bazat amerikane dhe interesat amerikane dhe izraelite në territorin e tyre. A duhet të qëndrojë Irani duarkryq ndërsa bazat amerikane në vendet tuaja përdoren për ta sulmuar atë? Ky është vetëm një justifikim i dobët. Sot, konflikti është midis Amerikës dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit dhe forcave të rezistencës nga ana tjetër. Në cilën anë jeni ju?

Mendoni për të ardhmen e botës islame. Ju e dini që Amerika nuk është besnike ndaj jush dhe se Izraeli është armiku juaj. Ndalu për një moment dhe mendo për veten dhe të ardhmen e rajonit. Irani është i ndershëm me ju dhe nuk kërkon t’ju dominojë.

Uniteti i Ummetit Islam, nëse arrihet me forcë të plotë, është i aftë të sigurojë siguri, përparim dhe pavarësi për të gjitha vendet e tij.

Në këtë thirrje, patjetër që aty ka të vërteta të pamohueshme. Por historia ofron tjetër gjuhë, ajo është gjuha e tradhëtisë shiite kundër Islamit arab, nën yshtjen e krenarisë së mbrapshtë perse, ngjashëm me urrejtjen e hebreje ndaj arabëve në terma të arrogancës etnike.

Gjithsesi, siç ishte dhe Profeti Muhamed diplomat aty ku duhej, ashtu u takon të tregohen dhe vendet arabo-islame karshi një agresioni dhe një lufte të shpërthyer që rrezikon të çojë në katastrofë jo vetëm Lindjen e Mesme por të gjithë botën. /tesheshi.com/   

Pohimi që po lë dikë me gisht në gojë: Kjo s’është lufta jonë!

Ndërsa tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit hyjnë në javën e tyre të tretë, udhëheqësit evropianë gjenden në një pozicion të vështirë midis kërkesave luftarake të presidentit Donald Trump dhe ngurrimit të tyre të thellë për t’u përfshirë në një konflikt të ri në Lindjen e Mesme.

Edhe pse disa vende po diskutojnë mënyra për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit, shumica e ka hedhur poshtë thirrjen e Trumpit për të dërguar anije luftarake.

Udhëheqësit evropianë reaguan me shqetësim ndaj kritikave të Trump-it, i cili paralajmëroi se mosveprimi i tyre do të ishte “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”. Trump ka këmbëgulur se vendet që preken nga bllokimi i naftës dhe gazit duhet të dërgojnë marinat e tyre në zonën e rrezikut, por zyrtarët në Evropë po sinjalizojnë të kundërtën.

“Kjo nuk është lufta jonë; ne nuk e nisëm atë!”– deklaroi Boris Pistorius, Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë. Ai theksoi se Berlini kërkon një zgjidhje diplomatike dhe beson se shtimi i forcave ushtarake në rajon nuk ndihmon në këtë drejtim.

Ngjashëm, edhe Ministria e Jashtme franceze konfirmoi se marina e saj do të qëndrojë në Mesdheun Lindor vetëm për qëllime mbrojtëse. Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, u zotua se vendi i tij nuk do të përfshihet në një luftë më të gjerë.

Megjithëse po punon me aleatët për rihapjen e rrugës ujore, Starmer theksoi se udhëheqja e tij ka të bëjë me mbrojtjen e interesit britanik, pavarësisht presioneve të jashtme. Po ashtu, ai sqaroi se ky konflikt nuk është parashikuar kurrë si një mision i NATO-s, duke iu përgjigjur akuzave të Trumpit se aleatët janë “të prapambetur” në mbrojtje.

Presioni ekonomik mbi Evropën është i madh, me rritjen e çmimeve të energjisë që po rëndon mbi votuesit. Megjithatë, ekziston një ndjesi e fortë déjà vu-je. Shumë udhëheqës kujtojnë pushtimin e Irakut në vitin 2003, si një gabim të kushtueshëm të bazuar në të dhënat e gabuara të shërbimeve sekrete.

Sot, ata përballen me një dilemë: të qëndrojnë duarkryq ndërsa ekonomia e tyre po vuan, ose të hyjnë në një luftë që mund të çojë në humbje ushtarake dhe një angazhim të pafund kundër Iranit. Edhe Italia dhe Polonia kanë ndjekur të njëjtën linjë refuzimi.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se asnjë vend evropian nuk është ofruar të dërgojë anije për të detyruar kalimin përmes Hormuzit. Ndërkohë, ministri polak Radoslaw Sikorski e quajti “shqetësues” faktin që Trump i referohet NATO-s si “ata” dhe jo si “ne”, duke konfirmuar se Polonia ka përjashtuar dërgimin e forcave në këtë konflikt. /tesheshi.com/

 

Nga nazistët e Lindjes së Mesme: u masakruan teksa po blinin ëmbëlsira për Bajram…

Një natë që duhej të ishte festive për familjen Bani Odeh në Tammun, u shndërrua në një tragjedi të paimagjinueshme. Khaled (11 vjeç) dhe Mustafa (8 vjeç) janë të mbijetuarit e vetëm të një sulmi ku ushtarët izraelitë bënë shoshë me plumba makinën e tyre.

Prindërit, Ali dhe Waad, së bashku me dy vëllezërit më të vegjël, Mohammedin pesëvjeçar dhe Othmanin gjashtëvjeçar (i cili ishte pothuajse i verbër), mbetën të vrarë në vend.

Familja ishte kthyer nga Nablusi, ku kishin dalë për të blerë rroba të reja për festën e Bajramit. Babai, Aliu, i cili punonte në ndërtim në Izrael, sapo ishte bashkuar me familjen për iftarin e parë të përbashkët.

Pasi gjetën dyqanet e mbyllura, ata blenë vetëm disa ëmbëlsira dhe u nisën drejt shtëpisë, duke besuar se udhëtimi si familje ishte i sigurt. Tragjedia ndodhi pak metra larg mbërritjes, kur makina u ndesh me forcat speciale izraelite gjatë një bastisjeje.

Pa asnjë paralajmërim, ushtarët hapën zjarr me armë automatike. Mustafa kujton se si u fsheh nën sedilje dhe u përpoq të nxirrte vëllain e tij, Muhamedin, por ai kishte vdekur tashmë.

Britmat e nënës dhe dëshmia e besimit e babait ishin zërat e fundit që fëmijët dëgjuan para heshtjes së vdekjes.Pas të shtënave, Khaledi doli nga makina duke bërtitur për ndihmë, por në vend të mëshirës, u përball me brutalitetin e ushtarëve.

Ai rrëfen se ushtarët e tërhoqën zvarrë prej flokësh, e rrahën dhe qeshën me të. Madje, e detyruan me forcë të hynte përsëri në makinë që të shihte trupat e pajetë të prindërve dhe vëllezërve të tij, si një formë torture psikologjike.

Ushtria izraelite pretendoi se makina po lëvizte me shpejtësi drejt tyre, duke përbërë “kërcënim”. Megjithatë, dëshmitarët dhe fëmijët këmbëngulin se makina kishte ngadalësuar dhe se në atë kthesë të ngushtë ishte e pamundur të ecej shpejt.

Për më tepër, forcat izraelite penguan ambulancat e Gjysmëhënës së Kuqe të afroheshin, duke i lënë të plagosurit të vdisnin pa ndihmë mjekësore. Gjyshi i fëmijëve, i mbetur i tronditur, tregon se e kishte paralajmëruar djalin e tij të kishte kujdes, por Aliu e kishte qetësuar duke i thënë se ishin thjesht një familje me dokumente në rregull.

Lajmin e tmerrshëm gjyshi e mori vesh vetëm kur pa ambulancat që nuk lejoheshin të kalonin, pa e ditur se brenda asaj makine të shkatërruar ishte shuar pothuajse e gjithë familja e tij. Kjo ngjarje shton numrin e mijëra palestinezëve të vrarë në Bregun Perëndimor që nga tetori i vitit 2023.

Edhe pse ushtria izralite ka nisur formalisht një “hetim të brendshëm”, organizatat e të drejtave të njeriut si Yesh Din theksojnë se pandëshkueshmëria është normë, pasi më pak se 1 për qind e ankesave ndaj ushtarëve rezultojnë në akuza zyrtare.

Për Khaledin dhe Mustafën, drejtësia mbetet ende e largët, ndërsa deri atëherë do të duhet të jetojnë me imazhin e ushtarëve izraeltë që qeshnin mbi trupat e pajetë të familjarëve të tyre. /tesheshi.com/

Babai i vajzës në Tetovë që ra nga ballkoni nën hetim për keqtrajtim…

SPB Tetovë, lidhur me hetimet për ngjarjen ku një 19-vjeçare ra nga ballkoni, njofton se në polici është dorëzuar babai i saj 47-vjeçar.

“Më 16.03.2026 në orën 21:20, A.A. (47) nga Tetova është paraqitur vetë në SPB Tetovë dhe me të është kryer një bisedë zyrtare në telefon. Gjegjësisht, gjatë trajtimit të ngjarjes së datës 14.03., në të cilën një vajzë 19-vjeçare nga Tetova ka rënë nga ballkoni i shtëpisë së gjyshit të saj dhe është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup, oficerët e policisë kanë mësuar, përkatësisht është vërtetuar se vajza është keqtrajtuar psiqikisht dhe fizikisht nga babai i saj A.A.

Me udhëzim të prokurorit publik, A.A. është liruar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihet një kallëzim përkatës”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.

Promovohen fluturime të reja nga Shkupi, dy destinacione interesante

Nga sot, qytetarët do të mund të fluturojnë direkt nga aeroporti i Ohrit drejt Bratislavës, ndërsa nga 29 marsi edhe nga Ohri drejt Milanos.

Këto linja ajrore nënkuptojnë turistë të rinj në Ohër dhe më shumë mundësi për forcimin e ekonomisë, ka shkruar në profilin e tij në Facebook zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

“Zhvillimi i trafikut ajror përfaqëson një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe Ministrisë së Transportit. Përmes politikave dhe masave konkrete, punojmë vazhdimisht në avancimin e aviacionit civil, me çka mundësuam zgjerimin e ndjeshëm të rrjetit të destinacioneve.

Mbetemi fuqishëm të përkushtuar në avancimin e trafikut ajror për shkak të zhvillimit dhe lidhjes së Maqedonisë me qendrat e mëdha” – njoftoi zëvendëskryeministri Nikolloski