Çfarë po ndodhë Franca armatos Libanin !

Franca i ka dorëzuar Forcave të Armatosura të Libanit 39 transportues të blinduar personeli, duke përmbushur një angazhim të mëparshëm të zyrtarëve francezë, transmeton Anadolu.

Zv/ministrja franceze e Mbrojtjes, Alice Rufo, gjatë një ceremonie dorëzimi në portin e Bejrutit të martën tha se dorëzimi “synon të garantojë integritetin territorial të Libanit, mbrojtjen e civilëve, pavarësisht besimit të tyre dhe ruajtjen e institucioneve shtetërore”.

Automjetet e blinduara, të njohura si VAB, janë të dizajnuara për të rritur lëvizshmërinë e trupave dhe për të mundësuar operacione në zona me rrezik të lartë.

Çdo mjet mund të transportojë rreth 10 ushtarë të pajisur plotësisht dhe është ndërtuar me pllaka çeliku të salduara për t’u mbrojtur nga armët e vogla dhe copëzat.

Në fund të marsit, presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë forcat e armatosura të Libanit, përfshirë dorëzimin e mjeteve të blinduara të transportit të personelit, duke theksuar nevojën për të mbrojtur “integritetin territorial” të vendit dhe civilët.

Ushtria izraelite ka goditur Libanin me sulme ajrore dhe ka nisur një ofensivë tokësore në Libanin jugor që nga një sulm ndërkufitar nga Hezbollah më 2 mars.

Përshkallëzimi aktual pasoi fillimin më 28 shkurt të një ofensive të përbashkët SHBA-Izrael ndaj Iranit, e cila deri më tani ka vrarë më shumë se 1.340 persona.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë në shënjestër Izraelin, si dhe asetet ushtarake amerikane në Jordani, Irak dhe vendet e Gjirit.

Avioni i dytë luftarak i Forcave Ajrore të SHBA-së rrëzohet në rajonin e Gjirit Persik

Një avion i dytë luftarak i Forcave Ajrore të SHBA-së është rrëzuar në rajonin e Gjirit Persik, transmeton Anadolu.

Duke cituar dy zyrtarë amerikanë, gazeta The New York Times raportoi se piloti i vetëm u shpëtua i sigurt.

Sipas raportit, zyrtarët thanë se avioni sulmues A-10 Warthog u rrëzua pranë Ngushticës së Hormuzit afërsisht në të njëjtën kohë kur një avion F-15E i Forcave Ajrore u rrëzua mbi Iran.

Shtrenjtohet edhe më shumë nafta në Shqipëri, del vendimi i Bordit të Transparencës

Bordi i Transparencës i mbledhur sot në datë 3 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi të shtrenjtojë sërish çmimin e naftës duke e çuar atë nga pasditja e sotme në plot 224 lekë për litër.

“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 224 lekë/litri”, thotë ministria e Ekonomisë.

Në njoftimin ajo paralajmëron se çmimi mund të shkonte gati 234 lekë, porse në zbatim të Aktit Normativ të miratuar sot, niveli i akcizës u ul 20 % ose e bashkë me TVSH ulja me 9.5 lek/litër.

Sakaq ka ndryshuar dhe çmimi i benzinës. Ai shkon në 181 lekë për litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 3 ora 20.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes, raporton noa.al.

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 5.9 ballë godet këtë vend, raportohet për të vdekur

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.9 ka goditur rajonin kufitar midis Afganistanit dhe Taxhikistanit, duke lëkundur pjesë të Afganistanit dhe Pakistanit.

Sipas Qendrës Gjermane për Kërkime në Gjeoshkencë, tërmeti ndodhi në një thellësi prej 175 kilometrash.

Lëkundjet u ndjenë në kryeqytetin afgan Kabul.

Tërmeti u ndje gjithashtu në kryeqytetin pakistanez Islamabad, në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa dhe në rajonin verior Gilgit-Baltistan.

Lëkundjet u ndjenë gjithashtu në Kashmirin e administruar nga India.

Departamenti Meteorologjik i Pakistanit fillimisht e vlerësoi tërmetin me magnitudë 6.1.

U dhunua brutalisht për vdekje, një muaj më parë 63-vjeçarit i kishin djegur automjetin

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Vlorë, ku 63-vjeçari Ismail Aliaj humbi jetën pas një dhunimi brutal.

Sipas informacioneve, rreth një muaj më parë viktimës i ishte djegur edhe automjeti, një episod që tashmë po verifikohet nëse ka lidhje me ngjarjen tragjike të ditës së sotme.

Autoritetet bëjnë me dije se dy persona dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj 63-vjeçarit, i cili si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital.

Policia e Vlorës ka identifikuar autorët e dyshuar dhe vijon punën për kapjen e tyre. Paralelisht, hetimet janë përqendruar në zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit, si dhe në verifikimin e çdo lidhjeje të mundshme mes djegies së automjetit dhe dhunimit fatal.

Lajm “i zi” nga Brukseli: 9 shtete të BE “ngrijnë” Shqipërinë pas mbrojtjes së Ballukut

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është futur në një qorrsokak të rrezikshëm, duke pësuar një frenim të fortë që lidhet drejtpërdrejt me ngjarjet politike në Tiranë. Burime diplomatike bëjnë me dije për mediat se votimi i 12 marsit në Parlament, ku mazhoranca socialiste rrëzoi me 82 vota kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, është shndërruar në një “mollë sherri” në Bruksel.

Ky akt, për të cilin qeveria ishte paralajmëruar nga zëra të fuqishëm europianë dhe ambasada perëndimore, ka udhëtuar drejt qendrës së BE-së si një dëshmi e dështimit të reformës në drejtësi, duke e kthyer një përplasje të brendshme në një krizë besimi ndërkombëtar.

Mediat kanë mësuar se gjatë diskutimeve të datës 1 prill në COELA, grupi i punës i Këshillit të BE-së që merret me zgjerimin, plot 9 vende anëtare kanë ngritur “flamuj të kuq” kundër avancimit të Shqipërisë. Gjermania, Holanda, Suedia, Austria, Finlanda, Luksemburgu, Polonia, Greqia dhe Bullgaria kanë shprehur rezerva serioze, duke vënë në dyshim nëse shteti i së drejtës funksionon realisht apo mbetet peng i vullnetit politik të kryeministrit.

Ndërsa Komisioni Europian tentoi të mbante një qëndrim teknikisht pozitiv, duke argumentuar se vendi ka bërë progres, pesha politike e mosbesimit nga këto 9 shtete ka peshuar më rëndë, duke e lënë Shqipërinë në vendnumëro përsa i përket raportit IBAR, që është filtri kritik për hapjen dhe mbylljen e kapitujve.

Skepticizmi i vendeve anëtare është i ndarë në disa fronte: Polonia ka shprehur shqetësime për klimën e biznesit, Greqia dhe Bullgaria për të drejtat e pakicave dhe pronat, ndërsa Austria ka vënë në shënjestër çështje si skandali IPARD.

Megjithatë, përtej detajeve teknike, kuptohet qartë se mbrojtja “parzmore” që Edi Rama i bëri zëvendëskryeministres së tij përballë drejtësisë së re, ka rrënuar imazhin e Shqipërisë si një vend që lufton vërtet korrupsionin. Ky bllokim bëhet edhe më i dhimbshëm kur krahasohet me Malin e Zi, i cili arriti ta kalonte me sukses filtrin e IBAR-it, duke e lënë Tiranën zyrtare të vetmuar në prapambetjen e saj integruese.

Pavarësisht kësaj situate kritike, kryeministri Rama vazhdon të shfaqë një optimizëm që nuk përputhet me realitetin e Brukselit, duke deklaruar se “dera është e hapur”, ndërkohë që opozita e sheh këtë si një bllokim të drejtpërdrejtë të shkaktuar nga shndërrimi i qeverisë në një mbrojtëse të zyrtarëve të korruptuar.

Diskutimet pritet të vijojnë më 7 dhe 9 prill, ku Shqipërisë do t’i duhet të përballet me më shumë pyetje, kushte dhe verifikime të rrepta. E vërteta mbetet se qeveria ishte paralajmëruar për pasojat, por zgjodhi të mbronte individin përpara interesit kombëtar, duke e bërë emrin e Belinda Ballukut simbolin e pengimit të ëndrrës europiane të shqiptarëve.

Vlorë/ Sherr mes 3 personave, humb jetën njëri prej tyre (EMRI)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku pas një sherri mes tre personave, njëri prej tyre ka ndërruar jetë.

Burime për Mediat bëjnë të ditur se viktima është 63-vjeçari Ismail Aliaj. Nga sherri mbetën të dëmtuar dy persona, babë e bir, të cilët përfunduan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Fatkeqësisht 63-vjeçari Ismail Aliaj nuk arriti dot t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra në kokë dhe ndërroi jetë. Sipas burimeve, mësohet se të tre personat e përfshirë në konflikt ishin të njohur me njëri-tjetrin.

Ndërkohë Policia dhe Grupi Hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Cili vend i BE-së goditet më shumë nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit

Kompanitë e transportit detar nga Greqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina janë ndër më të prekurat nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, sipas të dhënave nga Bloomberg.

Në 48 orët e fundit, rreth 670 anije mallrash kan ngelur duke pritur në anën perëndimore të ngushticës. Nga këto, 120 janë në pronësi të kompanive me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke përfaqësuar afërsisht 18% të totalit. Pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Greqia është vendi i dytë më i prekur, me kompani në pronësi greke që operojnë të paktën 75 anije mallrash në ngushticë që nga fillimi i konfliktit – rreth 12% të totalit.

Përafërsisht 30 prej tyre janë anije cisternash nafte ose gazi, sipas një analize të të dhënave të Bloomberg. Kompanitë kineze përbëjnë 74 anije mallrash në zonë, 25 prej të cilave janë anije cisternash nafte dhe gazi, ndërsa pjesa tjetër janë transportues dhe anije kontejnerësh.

Vende të tjera aziatike janë prekur gjithashtu ndjeshëm. Kompanitë japoneze kanë të paktën 23 anije nafte dhe gazi dhe 16 transportues të thatë në ngushticë.

Ndërkohë, 25 anije të lidhura me Hong Kongun – 13 anije energjie dhe 12 anije mallrash të thata – janë gjithashtu të pranishme. Kompanitë me bazë në Indi kanë 24 anije cisternash në rajon.

Në mënyrë të ngjashme, kompanitë nga Singapori dhe Koreja e Jugut kanë përkatësisht 29 dhe 22 anije të bllokuara që nga fillimi i armiqësive, ndërsa Vietnami ka tre transportues të mëdhenj LNG.

Rreth 35 kalime janë bërë nga anije në pronësi greke, përfshirë tetë nga një kompani e vetme, Dynacom Tankers Management.Të paktën 20 anije të lidhura me Kinën dhe 13 anije të lidhura me Indinë kanë bërë gjithashtu tranzitin.Disa anije duket se kanë përfituar nga një sistem verifikimi sipas të cilit Irani u jep kalim të sigurt anijeve nga vendet mike.

Ndërkohë, qindra anije mbeten në pritje ndërsa kostot e sigurimit rriten dhe rreziqet për ekuipazhet dhe ngarkesën mbeten jashtëzakonisht të larta.

EMRAT/ Njëri 17 vjeç dhe tjetri 19, policia njoftim zyrtar mbi plagosjen e të rinjve në Shkodër

Në lidhje me plagosjen mbrëmjen e sotme në Shkodër policia informon se rreth orës 19:50, dy persona Enis Preza, 19 vjeç dhe Elio Shullani, 17-vjeç, janë plagosur me mjet prerës, thikë. Ata janë paraqitur në Spitalin Rajonal të Shkodër për ndihmë mjekësore, dhe të dy ndodhen aktualisht nën kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe nga hetimet paraprake rezulton se plagosja ka ndodhur në lagjen “Qemal Stafa” gjatë një konflikti të çastit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

Plagosje me thikë në qendër të Shkodrës, dy persona të lënduar

Një plagosje me thikë është regjistruar në qendër të Shkodrës mbrëmjen e kësaj të premtje, pranë zonës së shatërvanit.

Burime bëjnë me dije se nga kjo ngjarje dy persona kanë mbetur të plagosur me thikë.

Sipas informacioneve paraprake, në ngjarje dyshohet se janë përfshirë persona të mitur. Ende nuk ka detaje të plota mbi rrethanat e incidentit apo gjendjen shëndetësore të të plagosurve.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.