“Djali im, Ervis Martinaj është ekzekutuar në Durrës, e dinë të gjithë përveç SPAK”

Babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të dëshmuar lidhur me pronat e të birit. Jashtë kamerave, ai deklaroi se fatin e djalit të tij e dinë të gjithë përveç medias dhe prokurorisë, duke shtuar se Ervisi është ekzekutuar në Durrës. Mustafa Martinaj theksoi se ka dhënë shpjegime para agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, por sipas tij autoritetet nuk po e hetojnë çështjen si duhet.

“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit”, është shprehur Mustafa Martinaj jashtë kamerave.

Ervis Martinaj, i njohur si “mbreti i bixhozit” në Shqipëri, ishte themelues i kompanive të mëdha si “King Casino” dhe “Albania Baste Live” dhe u bë objekt hetimesh për lidhje me aktivitete të paligjshme dhe krim të organizuar. Emri i tij lidhet gjithashtu me disa ngjarje kriminale, përfshirë përplasjen me armë në ish-Bllok në 2018, ku një person humbi jetën, ndërsa Martinaj u plagos. Ai rezulton i zhdukur që prej fillimit të gushtit 2022, dhe kontakti i fundit i dokumentuar ishte më 8 gusht në Tiranë.

Autoritetet kanë shqyrtuar dy pista kryesore: që Martinaj mund të jetë vrarë nga grupe kriminale ose të ketë inskenuar zhdukjen për të shpëtuar nga ndjekja penale. Hetimet nuk kanë dhënë prova përfundimtare, ndërsa familjarët pretendojnë se ai është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur. Pas zhdukjes, SPAK ka nisur hetime financiare dhe ka sekuestruar pasuri të shumta të lidhura me Martinajn dhe të afërmit e tij, përfshirë prona, biznese dhe llogari bankare me vlera milionëshe.

Leave a Comment