Flakët përfshijnë një pallat në Lushnje, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Një zjarr është regjistruar në një pallat shumëkatësh në lagjen Gjevdet Nepravishta, pranë spitalit të Lushnje, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri është konstatuar fillimisht nga banorët, të cilët kanë vënë re tymin dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse të Lushnjes ka bërë të mundur izolimin e flakëve në një apartament në katin e tretë, duke shmangur përhapjen në banesat e tjera.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit.

Paraprakisht dyshohet se zjarri është i qëllimshëm. Burime policore bëjnë me dije se pronari i banesës, një shtetas rreth 40 vjeç, dyshohet se i ka vënë flakën apartamentit në disa zona dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas të njëjtave burime, ai dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor. Aktualisht, forcat e policisë janë angazhuar në kërkimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

Leave a Comment