Interesi kombëtar në “tepsi”!

Vendimi i djeshëm i parlamentit për të shpallur Iranin “shtet sponsor të terrorizmit” nuk është akti historik që propagandon shumica qeverisëse, por një aventurë diplomatike me kosto të lartë.

Me 79 vota të rreshtuara mekanikisht pro kësaj marrëzie, Shqipëria ka braktisur maturinë e një vendi kandidat për në BE, duke u hedhur në një terren të minuar ku as fuqitë e mëdha europiane nuk po shkelin me kaq nxitim.

Në vend që të harmonizojë hapat me Brukselin dhe Berlinin, Tirana zyrtare po sillet si një lojtar i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm në arenën ndërkombëtare. Ky kurs i njëanshëm nuk na bën më të rëndësishëm.

Përkundrazi, na ekspozon si një shtet që e përdor politikën e jashtme për konsum të brendshëm dhe spektakël politik, duke e shkallmuar besueshmërinë tonë si partner i besueshëm.

Fakti që Izraeli ishte i vetmi zë që e përshëndeti dje me entuziazëm këtë rezolutë, flet shumë: Shqipëria po shndërrohet në një figurant të zellshëm në axhendat e të tjerëve, duke braktisur rolin e aktorit të dinjitetshëm që e mbron me fanatizëm interesin e saj kombëtar.

Ne nuk kemi as peshën strategjike dhe as luksin gjeopolitik për t’u bërë vija e parë në konflikte ku as vetë Bashkimi Europian nuk ka një qëndrim unik.

Ndërsa qeveria Rama ngre mure me deklarata pompoze, po thellohet distanca me axhendën e sigurisë së BE-së, duke provokuar sinjale të ftohta nga Gjermania dhe kryeqytetet kyçe të unionit që paralajmërojnë një izolim diplomatik të pashmangshëm.

Ndërsa fqinjët tanë – Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – ndjekin një lojë të kujdesshme balancimi, Shqipëria po vetizolohet në një “ishull” radikalizmi që nuk i shërben askujt, përveç egos së udhëheqësit të saj aktual.

Kryeministri Rama po e trajton politikën e jashtme si një “one-man shoë”, ku kërkimi i ethshëm për vëmendje ndërkombëtare e zhyt vendin në një pasiguri pa busull dhe ku stabiliteti afatgjatë sakrifikohet për një titull lajmesh 24-orësh.

Për një listë të gjatë arsyesh, historike dhe aktuale, Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të jetë një kopje e zbehtë e Izraelit në Ballkan. Orientimi ynë është natyrshëm dhe domosdoshmërisht europian. Në këto kohë të trazuara globale, një udhëheqje e çoroditur nuk është thjesht paaftësi, por një rrezik real kombëtar.

Në fund, ironia e fatit është therëse. Dikur, kryeministri përdorte “tepsinë” si simbolin e talljes ndaj aleatëve të tij për të treguar urinë e tyre për pushtet. Sot, pas më shumë se një dekade në drejtimin e Shqipërisë, duket se mjeti i tij i preferuar i kuzhinës politike ka ndryshuar funksion.

Tani nuk po ndahen më thërrimet e administratës, por po shërbehet vetë interesi kombëtar dhe e ardhmja europiane. Dhe për hir të lobimeve hebreje në Tel Aviv apo Uashington si dhe të një protagonizmi të rremë, Rama është gati ta vendosë të gjithë Shqipërinë mbi atë tepsi që dikur e përbuzte, duke e ofruar si një “meze” gjeopolitike në tryezat ku ne shqiptarët jemi thjesht “porositësit” por asnjëherë ata që hanë. /tesheshi.com/

Leave a Comment