Kamerat inteligjente mund të na marrin në qafë: gjyshja amerikane dhe Shqipëria

Imagjinoni të jeni në qetësinë e shtëpisë suaj, duke u kujdesur për nipërit e mbesat, dhe papritur të rrethoheni nga oficerë të armatosur që ju prangosin për një krim të kryer njëmijë e gjashtëqind kilometra larg, në një vend ku nuk keni shkelur kurrë.

Ky makth u bë realitet për Anxhela Lips, një pesëdhjetëvjeçare nga Tenesi, e cila kaloi gjashtë muaj në burg për shkak të një “false positive” (identifikim i rremë) nga sistemi i Inteligjencës Artificiale për njohjen e fytyrës.

Ngjarja nisi kur policia e Uest Fargo, në Dakotën e Veriut, përdori një softuer të avancuar për të identifikuar autorët e një mashtrimi bankar. Kamera e sigurisë kishte kapur një grua që përdorte dokumente të rreme, dhe algoritmi, pasi skanoi miliona profile, nxori si “përputhje” emrin e Anxhela Lips.

Pa asnjë hetim tjetër mbështetës dhe pa verifikuar nëse ajo kishte lëvizur nga shteti i saj, autoritetet lëshuan urdhër-arrestin. Lips kaloi mbi tre muaj në një burg në Tenesi përpara se të ekstradohej me avion në Dakotën e Veriut, ku kaloi edhe disa muaj të tjerë prapa hekurave.

Vetëm kur avokati i saj arriti të dorëzonte deklaratat bankare që vërtetonin se ajo ishte në qytetin e saj në momentin e krimit, prokurorët ranë dakord të rrëzonin akuzat.

Por dëmi ishte i pariparueshëm: Anxhela humbi shtëpinë, kafshët shtëpiake dhe jetën që njihte, dhe e gjitha kjo sepse një kod kompjuterik mendoi se tiparet e saj ngjanin me ato të një krimineli.

Nga SHBA-ja në Shqipëriparadoksi i “qyteteve inteligjente

Rasti i Anxhela Lips nuk është thjesht një incident i izoluar në SHBA, por një këmbanë alarmi për trendin global të “Smart Cities”. Ky koncept, që premton siguri maksimale dhe kontroll efikas të trafikut përmes rrjeteve të dendura të kamerave inteligjente, po shtrihet me shpejtësi në çdo metropol.

Megjithatë, mbikëqyrja masive ngre pikëpyetje të mëdha mbi privatësinë dhe mundësinë e gabimeve fatale të algoritmeve. Edhe Shqipëria nuk mbetet pas në këtë garë teknologjike.

Tirana ka nisur tashmë hapat drejt zbatimit të një projekti ambicioz për sigurinë urbane, i cili bazohet kryesisht në modelin e Dubait. Emiratet e Bashkuara Arabe, të njohura për sistemin e tyre të sofistikuar të mbikëqyrjes “biometrike”, ku asnjë lëvizje nuk mbetet pa u regjistruar, po ndihmojnë autoritetet shqiptare në këtë transformim.

Plani parashikon instalimin e mijëra kamerave me rezolucion të lartë dhe aftësi të Inteligjencës Artificiale në nyjet kryesore të kryeqytetit. Qëllimi zyrtar është parandalimi i krimit dhe rritja e sigurisë rrugore.

Por rasti i gjyshes amerikane tregon anën e errët të kësaj medaljeje. Ndërsa Dubai e përdor këtë teknologji me efikasitet të lartë, mbetet për t’u parë se si do të mbrohen qytetarët shqiptarë nga gabimet e mundshme të sistemit.

Pa një kornizë të fortë ligjore dhe pa njerëz që të verifikojnë çdo “vendim” të Inteligjencës Artificiale, rreziku që teknologjia të na marrë në qafë mbetet një mundësi reale. Siguria nuk duhet të vijë kurrë me koston e lirisë ndaj individit. /tesheshi.com/

Leave a Comment