Qeveria e Kosovës është pajtuar t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës në Ligjin për të huaj dhe atë për automjete, që do të fillojnë të zbatohen plotësisht nga e diela.
Një ditë para hyrjes në fuqi të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, vizitoi Kosovën dhe u prit nga kryeministri Albin Kurti.
Sorensen përgëzoi përpjekjet e Kosovës për zbatimin gradual të këtyre ligjeve, ndërsa Kurti bëri të ditur se procesi do të zhvillohet në koordinim me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe BE-së.
Nga 15 marsi do të nisë zbatimi i plotë i ligjeve, duke përfshirë qytetarët që vijnë nga Presheva, Medvegja, Bujanovci dhe fshatrat e tjera të Serbisë.
Kurti theksoi se zbatimi nuk synon të pengojë shërbimet publike, por njëkohësisht synon të eliminojë strukturat paralele të financuara nga Serbia.
Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Sorensen, vlerësoi përpjekjet informuese dhe koordinimin e Kosovës, duke shtuar se shërbimet shëndetësore dhe arsimore do të harmonizohen me kornizën ligjore të Kosovës.