Përtej miteve të “zgjedhës”, një vështrim objektiv mbi trashëgiminë komplekse që formësoi Ballkanin dhe më tej
Shpesh e arkivuar në kujtesën kolektive si një errësirë e gjatë pushtimi, periudha osmane në Europë mbetet një nga kapitujt më të keqkuptuar të historisë. Por, a ishte vërtet ky një proces vetëm destruktiv?
Në një intervistë për Balcani Caucaso, Emir O. Filipović, profesor i historisë mesjetare në Universitetin e Sarajevës, zbërthen shtresat e këtij dominimi, duke ofruar një perspektivë ku pragmatizmi, bashkëjetesa dhe stabiliteti sfidojnë narrativat bardhë e zi të nacionalizmave moderne.
Pse sundimi osman portretizohet kaq negativisht në Europë?
Vlerësimi si “pozitiv” ose “negativ” është subjektiv. Për shumë kombe në Europën Juglindore, kjo periudhë shihet si një dominim i huaj që pengoi autonominë e elitave vendase dhe imponoi sisteme të reja fiskale e fetare. Dhuna ushtarake dhe humbja e pavarësisë mbahen mend si përvoja negative.
Megjithatë, Perandoria siguroi stabilitet afatgjatë në rajone të fragmentuara, i integroi ato në rrjete tregtare globale dhe lejoi një shkallë pluralizmi fetar. Ishte një sistem kompleks, efektet e të cilit ndryshonin sipas epokës dhe rajonit.
A mund të konsiderohet Perandoria Osmane si “trup i huaj” në kontinent?
Paradoksalisht, edhe pse Europa u rreshtua historikisht kundër osmanëve, ata ishin një fenomen thelbësisht evropian. Shteti i tyre u ngrit në Ballkan dhe u vetëshpall trashëgimtar i Bizantit. Zgjerimi i tyre synoi Europën më shumë se Azinë apo Afrikën.
Në këtë kuptim, ishte një “shtet evropian” që i kapërcente kufijtë kulturorë të kohës. Edhe në luftë, bashkëpunimi vazhdonte, siç tregon rasti i Dubrovnikut, i cili lulëzoi falë marrëdhënieve tregtare me botën osmane.
Cili ishte roli i vërtetë i fesë në këtë sistem?
Për të krishterët, osmanët ishin thjesht “turqit”, sinonim i myslimanëve. Brenda perandorisë, feja ishte më fleksibël, sidomos në fillimet e saj. Shteti institucionalizoi diversitetin përmes autonomisë ligjore për jomyslimanët në këmbim të haraçit. Ndonëse myslimanët kishin avantazhe sociale, perandoria përqafoi një pluralizëm fetar të pazakontë për normat e asaj kohe në pjesën tjetër të Europës.
Ku ndihet sot më shumë trashëgimia osmane?
Turqia është trashëgimtarja kryesore, por ndikimi është masiv në Ballkan. Shumë vezirë ishin shqiptarë apo sllavë, dhe gjuha serbo-kroate flitej shpesh në oborrin perandorak. Gjurmët janë kudo.
Në shekullin XVI mund të udhëtoje nga Bosnja në Bagdad pa pengesa, ndërsa lëvizja drejt Zagrebit ishte shumë më e vështirë. Emrat e lagjeve në Beograd (Kalemegdan, Dorćol) apo urat dhe rrugët anembanë rajonit dëshmojnë për këtë shtresë historike që mbijetoi edhe pas politikave të qëllimshme të de-osmanizimit.
Çfarë simbolizon Sarajeva në këtë kontekst?
Trashëgimia më e dukshme është arkitektura: çarshia, xhamitë, urat dhe hanet që përcaktojnë identitetin e qytetit. Por më e rëndësishmja është tradita e pluralizmit fetar. Ndërtimi i kishave dhe sinagogave pranë xhamive, ishte një model pragmatik i bashkëjetesës osmane.
Gjatë viteve 1990, kjo trashëgimi u përdor për të vënë në pikëpyetje “evropianizmin”, e Sarajevës, duke dëshmuar se historia osmane vazhdon të formësojë edhe sot debatet politike dhe identitare. /tesheshi.com/