Politika shqiptare po hyn në një fazë ku cinizmi është bërë normë. Ndërsa SPAK-u përpiqet të tregojë se ligji është i barabartë për të gjithë, mazhoranca socialiste po ngre një mburojë të re për kupolën e saj drejtuese.
Votimi i saj kundër arrestimit të ish-ministres Belinda Ballukut nuk ishte thjesht një procedurë parlamentare, por një sfidë e hapur ndaj Reformës në Drejtësi. Me argumentin absurd se “shkarkimi nga detyra eliminon rrezikun e krimit”, socialistët shpikën një imunitet të ri politik – Standardin Balluku – ku zyrtarët e lartë mund të hetohen në letër, por nuk mund të çohen më në qeli.
Ky precedent e shndërron drejtësinë e re në një mekanizëm me goditje të kontrolluar, duke u dërguar hetuesve një mesazh të qartë: kufijtë e ligjit ndalen aty ku fillojnë interesat jetike të pushtetit. Në vend që reforma të shërbejë si një mjet për pastrimin e politikës, ajo po përdoret si fasadë për të mbrojtur të fuqishmit.
Kjo përplasje ballore midis qeverisë dhe drejtësisë po ndodh në një moment gjeopolitik kritik. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të hënën se rendi i vjetër botëror ka vdekur, duke e cilësuar anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bllok si një hap emergjent sigurie.
Por çfarë integrimi po na ofrohet? Në vend të një hyrjeje me standarde dhe vlera, po negociohet një anëtarësim gjysmak. Editoriali i përbashkët i Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit në mediat gjermane pak ditë më parë e vulosi këtë qasje: anëtarësim pa veto, pa komisionerë dhe pa fuqi vendimmarrëse.
Një kapitullim i heshtur, i justifikuar si pragmatizëm, që e kthen integrimin evropian nga projekt vlerash në një marrëveshje sigurie. Ky model e fut Shqipërinë jo në bërthamën demokratike të BE-së, por në “Ligën B”.
Pra, në klubin e shteteve problematike për sundimin e ligjit, ku bëjnë pjesë Hungaria e Orbanit, apo edhe Polonia, Sllovakia dhe Çekia në periudha të caktuara. Vende që e shohin BE-në si burim fondesh dhe mburojë strategjike, ndërsa brenda kufijve të tyre ushtrojnë një kontroll mbytës mbi drejtësinë dhe lirinë.
Në këtë skemë, Shqipëria rrezikon të humbasë mundësinë për të qenë pjesë e bërthamës evropiane dhe të mbetet në periferi, e pranuar vetëm për arsye sigurie, por e përjashtuar nga vendimmarrja.
Kjo është një formë integrimi që i shërben pushtetit, por jo qytetarëve. Tabloja është e qartë: në Tiranë drejtësia po gjymtohet për të mbrojtur individët e pushtetshëm, ndërsa në Bruksel po negociohet një “zgjerim nga halli”.
Shqipëria mendohet të pranohet jo sepse u bë një shtet ligjor ku dominon e drejta, por sepse bota është bërë shumë e rrezikshme. Dhjetë vite pas nisjes së Reformës në Drejtësi, e mburrur si arritje historike, gjithçka rrezikon të përfundojë si një mashtrim kolektiv.
Kur sheh mbrojtjen e kupolës qeverisëse dhe ofertën për hyrje në BE pa qenë në timon, e kupton se kjo është përsëritja e asaj aksiome të hidhur: “Lëviz gjithçka që të mos ndryshojë asgjë!”. /tesheshi.com/