OKB: Një ligj izraelit si “krim lufte”!

Një ligj i ri izraelit që lejon ekzekutimin e palestinezëve të dënuar për sulme vdekjeprurëse, duke përjashtuar ekstremistët hebrenj të akuzuar për krime të ngjashme, do të përbënte krim lufte nëse zbatohet. Ky është paralajmërimi i prerë që vjen nga Volker Türk, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili e cilësoi këtë nismë si një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut që duhet të shfuqizohet menjëherë.

Mes një vale reagimesh ndërkombëtare, Türk e përshkroi projektligjin si “të papajtueshëm me detyrimet ndërkombëtare të Izraelit”, veçanërisht sa i përket të drejtës për jetën. Ai theksoi se zbatimi i tij në mënyrë diskriminuese ndaj banorëve të territoreve të pushtuara palestineze do të përbënte një shkelje të rëndë dhe, sipas ligjit ndërkombëtar, do të klasifikohej si krim lufte.

Legjislacioni, i miratuar së fundmi nga Knesset-i (Parlamenti i Izraelit), ka nxitur kritika të ashpra edhe nga liderët evropianë. Bashkimi Evropian e quajti ligjin një “hap prapa”, ndërsa kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e cilësoi atë si një masë asimetrike që nuk vendos drejtësi, por e afron vendin me sistemin e aparteidit. Edhe Gjermania, tradicionalisht një aleate e ngushtë e Izraelit, shprehu shqetësim të thellë duke theksuar se nuk mund të mbështesë një ligj që aplikohet ekskluzivisht mbi një grup etnik.

Sipas detajeve të projektligjit, dënimi me vdekje do të bëhet masa standarde për palestinezët në Bregun e Perëndimor të shpallur fajtorë nga gjykatat ushtarake. Procedurat e parashikuara janë tejet strikte: të dënuarit do të mbahen në izolim, komunikimi me avokatët do të bëhet vetëm me videolidhje dhe ekzekutimi – i cili raportohet se do të kryhet me varje – duhet të zbatohet brenda 90 ditëve. Për më tepër, gjykatat do të kenë kompetencën ta japin këtë dënim me shumicë të thjeshtë votash, pa pasur nevojë për unanimitet.

Organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch dhe Oxfam kanë alarmuar se ky ligj vulos një sistem drejtësie me dy nivele. Ata argumentojnë se nisma nuk ka të bëjë me sigurinë, por me institucionalizimin e diskriminimit. Kjo është një kthesë e fortë historike për Izraelin, i cili e ka përdorur dënimin me vdekje vetëm në raste përjashtimore, ku rasti më i njohur mbetet ai i kriminelit nazist Adolf Eichmann në vitin 1962. Tashmë, ligji po përballet me sfida ligjore edhe brenda vetë Izraelit, ku grupe të shoqërisë civile kanë kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Supreme. /Tesheshi.com/

Leave a Comment