Ndërsa në kanalet diplomatike po diskutohet për një armëpushim të mundshëm 45-ditor midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, situata në terren tregon një realitet krejt tjetër, të shënuar nga sulmet vdekjeprurëse ndaj civilëve.
Sipas raporteve nga mediat iraniane, sulmet e fundit në provincën e Teheranit kanë lënë të vdekur gjashtë fëmijë nën moshën dhjetë vjeç, mes të cilëve katër vajza dhe dy djem.
Agjencia e lajmeve Fars i ka cilësuar viktimat si “martirë” të sulmeve amerikano-sioniste, duke akuzuar drejtpërdrejt forcat e huaja për goditjen e zonave të banuara në orët e para të mëngjesit.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite konfirmoi përfundimin e një serie sulmesh ndaj asaj që e quajti “regjimi terrorist iranian”, duke pretenduar se objektivat ishin ushtarake, pavarësisht raporteve tragjike për viktima civile.
Kjo kontradiktë mes bisedimeve diplomatike dhe dhunës në terren e vendos Uashingtonin në një pozicion kritik: kërkesa për një armëpushim dyfazor, siç raportohet nga Axios, ngjan më shumë me një lëvizje taktike për të fituar kohë sesa me një vullnet të vërtetë për të ndalur gjakderdhjen.
Irani ka paralajmëruar tashmë përmes komandës së tij ushtarake se çdo goditje e radhës mbi objektivat civile, do të sjellë një hakmarrje shumë më shkatërruese dhe e përhapur, duke vënë në dyshim seriozitetin e negociatave që po zhvillohen paralelisht.
Në SHBA, ky përshkallëzim i dhunës në kohë bisedimesh ka nxitur reagime të ashpra dhe të pazakonta nga radhët e ligjvënësve demokratë, të cilët po dënojnë me forcë strategjinë e ndjekur.
Jim McGovern, një figurë e lartë në Komitetin e Rregullave në Kongres, deklaroi hapur se kur Shtetet e Bashkuara shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar, ato praktikisht u japin leje vendeve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë.
Ai i përshkroi kërcënimet për krime lufte si “krejtësisht të ç’ekuilibruara” dhe shtoi me tone të ashpra se një sjellje e tillë është “psikotike” dhe kërkon ndërhyrje urgjente.
Senatori Edëard Markey nga Massachusetts u tregua po aq kritik, duke theksuar se postrimet vulgare dhe kërcënimet e Trump me bombardime të reja nuk do ta rihapin Ngushticën e Hormuzit, por vetëm sa do të rëndojnë xhepat e qytetarëve amerikanë në pikat e karburantit dhe do të rrezikojnë jetët e ushtarëve në terren.
Më tej, senatori Chris Murphy i kërkoi udhëheqësve republikanë të ndalojnë këtë çmenduri, duke e quajtur bombardimin e planifikuar të infrastrukturës si një “krim të qartë lufte” që nuk shërben për asgjë tjetër veçse për vrasjen e iranianëve të pafajshëm.
Këtij qëndrimi iu bashkua edhe senatorja Elissa Slotkin, e cila vuri në dukje hipokrizinë e deklaratave zyrtare. Sipas saj, është e papërgjegjshme të shkatërrohen urat dhe termocentralet kur presidenti Trump pretendon se lufta po bëhet për të ndihmuar popullin iranian.
Së fundi, senatori Brian Schatz u bëri thirrje qytetarëve të ngrenë zërin kundër bombardimit të infrastrukturës civile, duke e cilësuar këtë moment si kritik për moralin e shtetit amerikan.
Ky rebelim i brendshëm, dëshmon se diplomacia aktuale është e ndarë plotësisht nga veprimet ushtarake, duke krijuar një imazh të rrezikshëm të një fuqi që kërkon paqe me njërën dorë, ndërsa me tjetrën mban “thikën” mbi fytin e civilëve. /tesheshi.com/