Pse po dështon strategjia SHBA-Izrael kundër Iranit

Nga Sami Al-Arian, Middle East Eye

Lufta e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit ka prodhuar një paradoks strategjik të habitshëm. Edhe pse boshti amerikano-sionist mbështetet në forcën brutale teknologjike dhe dominimin ajror, ai mbetet i verbër ndaj realiteteve historike dhe sociopolitike të rajonit.

Mijëra objektiva janë goditur, por këto përfitime taktike nuk po përkthehen në sukses politik. Në përballjet asimetrike, fitorja matet me aftësinë për ta detyruar kundërshtarin të pranojë vullnetin e sulmuesit.

Sipas këtij standardi, fushata ushtarake po dështon. Irani e ka bërë të qartë se refuzon dorëzimin dhe negociatat nën sulm, duke kërkuar fillimisht ndalimin e agresionit, dëmshpërblime lufte dhe garanci ndërkombëtare kundër sulmeve të ardhshme.

Një dobësi themelore e Uashingtonit është mungesa e një përkufizimi koherent të fitores. Ndërsa Izraeli ndjek qëllime maksimaliste për neutralizimin total të Iranit, administrata Trump lëkundet mes kërkesave për dorëzim, nxitjes së trazirave të brendshme dhe thirrjeve për dialog.

Ky konfuzion, rrezikon ta shndërrojë konfliktin në një përshkallëzim të zgjatur pa zgjidhje. Në qendër të këtij dështimi qëndron asimetria e qëllimeve. Strategjia SHBA-Izrael synon shembjen e sistemit iranian ose asgjësimin e ndikimit të tij rajonal.

Në të kundërt, objektivi i Iranit është shumë më i thjeshtë: atij i duhet vetëm të mbijetojë. Nëse shteti dhe aleancat e tij mbeten të paprekura, misioni i sulmuesve ka dështuar.

Lufta ka ekspozuar edhe dy doktrina të ndryshme ushtarake. Boshti amerikano-izraelit përdor “përshkallëzimin vertikal” përmes fuqisë dërrmuese të zjarrit. Irani përgjigjet me “përshkallëzim horizontal”, duke e zgjeruar fushën e betejës gjeografikisht përmes sulmeve ndaj bazave amerikane, rrugëve detare dhe tregjeve të energjisë, duke rritur kostot globale të luftës.

Roli i “Boshtit të Rezistencës” është vendimtar në këtë përplasje. Nga Hezbollahu në Liban te Huthit në Jemen, ky rrjet ka kapacitetin të hapë fronte të shumta njëkohësisht. Kjo e detyron Izraelin të luftojë në një mjedis të pasigurt, ku popullsia e tij e përqendruar në zona të ngushta urbane mbetet vulnerabël ndaj sulmeve të zgjatura.

Për presidentin amerikan Trump, ky agresion paraqet një dilemë të fortë. Përshkallëzimi i mëtejshëm rrezikon destabilizimin e tregjeve financiare dhe ekspozimin e forcave amerikane ndaj hakmarrjes. Megjithatë, tërheqja do të shënonte dështimin e fushatës dhe do ta linte Izraelin të vetmuar përballë një Irani të fortë dhe rrjetit të tij rajonal.

Pasojat shtrihen përtej Lindjes së Mesme, pasi Kina dhe Rusia po vëzhgojnë me vëmendje zhvillimet. Një angazhim i zgjatur amerikan në këtë rajon krijon boshllëqe strategjike në Indo-Paqësor dhe Evropë.

Pra lufta kundër Iranit është shndërruar kështu në një front të luftës më të gjerë globale për shpërndarjen e fuqisë në shekullin XXI. Në fund, pyetja nuk është se kush shkakton më shumë shkatërrime, por kush mund të durojë më shumë.

Nëse Irani mbijeton, ai del triumfues. Ky rezultat do të shënonte fundin e dominimit strategjik sionist dhe do të sinjalizonte një rend të ri rajonal, ku mbijetesa dhe rezistenca përcaktojnë balancën e fuqisë. /tesheshi.com/

Leave a Comment