Shoqata Amerikane e Zemrës u bën thirrje njerëzve të favorizojnë proteinat me bazë bimore dhe të zëvendësojnë produktet e bulmetit me yndyrë të plotë.
Udhëzimet e reja ushqimore të Shoqatës Amerikane të Zemrës, të publikuara të martën, theksojnë një regjim ushqimor të pasur me perime, fruta dhe drithëra të plota, duke i dhënë përparësi proteinave bimore ndaj mishit.
Gjithashtu, rekomandohet kufizimi i sheqerit, kripës dhe ushqimeve ultra të përpunuara, si dhe zëvendësimi i produkteve të bulmetit me yndyrë të plotë me ato pa yndyrë ose me pak yndyrë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më herët këtë vit prezantoi udhëzime të reja dietike që sugjerojnë rritjen e konsumit të proteinave si nga burimet shtazore ashtu edhe ato bimore, si dhe inkurajojnë përdorimin e produkteve të bulmetit me yndyrë të plotë.
Ndryshe nga rekomandimet e qeverisë federale për përdorimin e yndyrës së viçit dhe konsumimin e mishit të kuq, Shoqata Amerikane e Zemrës thekson rëndësinë e proteinave bimore si bishtajoret, arrat dhe farat, zgjedhjen e produkteve të bulmetit me pak ose pa yndyrë, dhe – kur konsumohet mish i kuq – zgjedhjen e pjesëve të dobëta, shmangien e produkteve të përpunuara dhe mbajtjen e porcioneve të vogla.
Nisma e administratës Trump dhe Sekretarit të Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. për “Ta bëjmë Amerikën përsëri të shëndetshme” është fokusuar në eliminimin e ngjyruesve sintetikë, përbërësve të tjerë kimikë, ushqimeve ultra të përpunuara, si dhe në uljen e konsumit të sheqerit dhe vajrave të farave.
Shoqata Amerikane e Zemrës sugjeron gjithashtu zgjedhjen e yndyrnave të pangopura, shmangien e ushqimeve ultra të përpunuara dhe minimizimin e sheqernave të shtuara në pije dhe ushqime.
Organizata rekomandon përgatitjen e ushqimit me pak ose aspak kripë dhe kufizimin e konsumit të alkoolit.
Gjithashtu, udhëzimet sugjerojnë që fëmijët mund dhe duhet të fillojnë të ndjekin një regjim ushqimor të shëndetshëm për zemrën që nga mosha 1 vjeç.
Një zëdhënës i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) tha se këto udhëzime janë në përputhje me rekomandimet e tyre për çështjet kryesore dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Shoqatën Amerikane të Zemrës.
Shoqata Amerikane e Zemrës, organizata më e vjetër dhe më e madhe vullnetare në SHBA që lufton sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, publikon udhëzime ushqimore rreth çdo pesë vjet për të promovuar shëndetin kardiovaskular.