Drejtësia italiane ka vënë në pranga dy kushërinj shqiptarë të dënuar për një vrasje të ndodhur në vitin 1999.
Bëhet fjalë për Andon (alias Afrim) Sina, 52 vjeç, dhe Niko (alias Faslli) Sina, 49 vjeç, banues në fshatin Rreth-Kalë të Dibrës, të cilët janë ekstraduar këtë të premte drejt Italisë, pas përfundimit të procedurave nga Interpol Tirana.
Dy të dënuarit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe figuronin në listën e 100 personave më të kërkuar në Itali. Ata u arrestuan në mars të vitit 2025 gjatë operacionit policor të koduar “Difficult Conditions”, i zhvilluar në kushte të vështira terreni dhe moti.
Sipas autoriteteve, kushërinjtë Sina prej vitit 1999 fshiheshin në Shqipëri duke përdorur identitete të rreme për t’i shpëtuar drejtësisë.
Ngjarja për të cilën ata janë dënuar daton më 22 shtator 1999, në komunën Gricignano d’Aversa në Itali. Në atë kohë, ata kanë vrarë me sende të forta dhe mjete prerëse shtetasin shqiptar B.C., si dhe kanë plagosur rëndë një tjetër shtetas shqiptar, F.S.
Shkak i krimit dyshohet të ketë qenë ndarja e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Apelit e Napolit i ka dënuar në vitin 2006 me nga 14 vite e 11 muaj burg secilin, për “vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim” dhe “vrasje të mbetur në tentativë”.
Operacioni për kapjen e tyre u realizua nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë.
Pas ekstradimit, dy të dënuarit do të përballen me vuajtjen e dënimit në Itali, duke i dhënë fund një historie 26-vjeçare arratie.