Irani dhe SHBA-ja ranë dakord për një armëpushim dyjavor të martën, vetëm një orë para skadimit të afatit të Donald Trump për sulme të përshkallëzuara në të gjithë territorin iranian. Ky zhvillim dramatik erdhi pas një diplomacie intensive në prapaskenë, ku Teherani pranoi të rihapë përkohësisht ngushticën strategjike të Hormuzit.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se edhe Izraeli është pajtuar me këtë ndërprerje, ndërsa presidenti Trump njoftoi pezullimin e planeve luftarake pasi pranoi një propozim “të realizueshëm” të ndërmjetësuar nga Pakistani dhe Kina.
Po cilat janë kërkesat në planin 10-pikësh të Iranit?
Sipas mediave shtetërore iraniane, ky plan paqeje është dorëzuar në Shtëpinë e Bardhë nëpërmjet ndërmjetësve pakistanezë. Irani ka bërë të qartë se përfundimi i plotë i luftës do të ndodhë vetëm nëse detajet finalizohen sipas këtyre 10 pikave:
Heqje e të gjitha sanksioneve parësore dhe dytësore ndaj Iranit.
Vazhdim i kontrollit iranian mbi ngushticën e Hormuzit.
Tërheqje e plotë ushtarake amerikane nga rajoni i Lindjes së Mesme.
Fund i menjëhershëm i sulmeve ndaj Iranit dhe aleatëve të tij rajonalë.
Lirimi i të gjitha aseteve të ngrira iraniane në bankat ndërkombëtare.
Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e bën marrëveshjen të detyrueshme.
Pranimi i të drejtës për pasurimin e uraniumit (pikë që u fshi nga versionet anglisht për diplomatët).
Menaxhimi ushtarak iranian i kalimit të sigurt nëpër rrugët ujore.
E drejta për të vendosur tarifa për anijet tregtare (rreth dy milionë dollarë për kalim).
Krijimi i një fondi rindërtimi për vendin, i financuar nga të ardhurat e Ngushticës.
Presioni politik dhe kontrolli i Hormuzit
Pika më e nxehtë mbetet kontrolli i Hormuzit. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, la të kuptohet se Irani nuk do ta lëshojë kontrollin ushtarak, por do të lejojë “kalimin e sigurt” të anijeve.
Me afrimin e fushatën zgjedhore të mesmandatit në SHBA, vlerësimet e miratimit për Trump kanë arritur nivelin më të ulët ndonjëherë, duke e bërë që Partia Republikane të rrezikojë të humbasë shumicën e ngushtë në Kongres.
Sondazhet tregojnë se shumica e konsiderueshme e amerikanëve janë kundër luftës dhe të frustruar nga rritja e çmimit të benzinës. Kjo gjendje e ka detyruar administratën të shqyrtojë seriozisht propozimet e Teheranit, pavarësisht natyrës së tyre sfiduese. /tesheshi.com/