Në jugun e Shqipërisë, në qytetin magjik prej guri në Gjirokastër ku qëndron një nga kalatë më të mëdha e më mbresëlënëse në të gjithë Ballkanin.
Kjo kala mban mbi supe shekuj histori, por ajo që i bën njerëzit të ndalojnë e të dëgjojnë me vëmendje është legjenda e emrit të saj. Çfarë fshihet pas mureve të Argjiros?
Sipas rrëfimeve të lashta popullore, kur qyteti u rrethua nga forcat e huaja në shekullin e 15-të, sundimtar i kalasë ishte Gjin Zenebishi. Motra e tij ishte Princesha Argjiro, një grua e njohur për bukurinë dhe guximin e saj të rrallë.
Kur muret u thyen dhe rënia e kalasë ishte e pashmangshme, Argjiroja mori djalin e saj foshnjë në krahë. Për të mos rënë në duart e të huajve dhe për të ruajtur dinjitetin, ajo u hodh nga lartësitë e mureve të kalasë.
Rrëfimi thotë se ndodhi një mrekulli: princesha ra mbi shkëmbinj, por djali i saj foshnjë mbijetoi! Dhe aty ku ajo u flijua, nga shkëmbi nisi të pikonte një lëng i bardhë si qumësht për të ushqyer foshnjën jetim.
Edhe sot e kësaj dite, në muret prej gëlqereje të kalasë mund të shihen disa vija të bardha me kalcium, për të cilat vendasit me brezash thonë se janë “qumështi i Argjiros”. Thuhet se pikërisht nga kjo princeshë e mori emrin edhe vetë qyteti: Gjirokastër (Kalaja e Argjiros).
Kjo histori ka frymëzuar pafund shkrimtarë e artistë. Shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, i lindur në këtë qytet, e ka përshkruar këtë atmosferë në librin e tij të famshëm “Kronikë në Gur”. Kalaja sot vizitohet nga mijëra turistë që kërkojnë pikërisht vendin ku nisi kjo legjendë.