Brazili po mbytet nga borxhet. Shifrat janë tronditëse: 81 milionë brazilianë janë sot zyrtarisht debitorë. Kjo do të thotë se tetëdhjetë për qind e familjeve kanë borxhe. Normat e interesit arrijnë në pesëmbedhjetë për qind.
Pasiguria në punë shtohet. Kostot e jetesës rriten çdo ditë. Dixhitalizimi ka krijuar një thikë me dy presa. Sistemi Pix i bën pagesat të menjëhershme. Por ai ka futur “kazinonë” në çdo xhep konsumatori. Bastet online po gllabërojnë pagat e familjeve.
Pabarazia është e madhe. Një studente si Deborah Desa lufton për mbijetesë. Ajo negocion me bankat për të shlyer kartën e kreditit. Nga ana tjetër, elita burokratike ankohet. Një gjyqtare me pagë tetëmbëdhjetë mijë dollarë e quan veten “skllave”.
Ky është paradoksi brazilian. Njerëzit marrin kredi për të shlyer kredi. Një e treta e pagës shkon vetëm për interest e kredive. Borxhi total ka arritur në 900 miliardë dollarë. Është një cikël vicioz. Një rreth që nuk mbyllet kurrë.
Për qeverinë e Lula-s, situata është alarmante. Zgjedhjet po afrojnë. Papunësia është e ulët, por njerëzit janë të varfër. Ata blejnë edhe atletet me 10 këste. Çdo urgjencë mjekësore shndërrohet në një katastrofë financiare.
Carlos Rocha pagoi dyfishin e huasë për një operacion. Ky nuk është thjesht borxh. Është një sistem që inkurajon impulsin. Një sistem që ushqehet me dëshpërimin e të varfërve.
Shqipëria, nën hijen e “piramidave” të reja
Në Shqipëri, historia po përsëritet. Kanë ndryshuar vetëm emrat. Institucionet financiare jobankare janë bërë makthi i ri. Ato janë agresive. Janë kudo. Në televizion, në rrjete sociale, në çdo lagje. Premtimi është joshës: “Para brenda 5 minutash!”.
Pa kolateral. Pa garanci. Vetëm me një kartë identiteti. Ky është kurthi modern. Një kurth që të kujton skemat piramidale të viteve 1990. Mijëra qytetarë kanë rënë në këtë gropë. Ata janë njerëz në nevojë. Janë pensionistë apo të papunë.
Marrin 30 mijë lekë, por përfundojnë duke paguar trefishin. Penalitetet janë zhvatëse. Komisionet janë të fshehura. Kur nuk paguajnë, nisin telefonatat kërcënuese. Aktivizohen zyrat e përmbarimit. Kjo është një vithisje që shkatërron jetë.
Ka jo pak denoncime për humbje shtëpish. Ka familje që janë ndarë nga ky stres. Ku është shteti? Kjo është pyetja që dhemb. Banka e Shqipërisë ka heshtur përballë kësaj masakre. Autoritetet kanë bërë një sy qorr.
Përse? Ka dyshimet të forta se drejtues të lartë kanë lidhje me këto biznese. Lidhje direkte ose të tërtërthorta. Ky konflikt interesi e ka lënë popullin të pambrojtur. Tregu është kthyer në një xhungël financiare.
Paraja e shpejtë është drogë. Ajo të josh kur nuk ke bukë. Por çmimi është liria jote. Shqiptarët po marrin borxh për të larë borxhin. Ashtu si në Brazil, edhe këtu po krijohet një ushtri debitorësh. Një ushtri njerëzish që nuk zotërojnë më të ardhmen e tyre.
Nëse nuk ndërhyhet, pasojat sociale do të jenë të tmerrshme. Nuk do të jenë thjesht shifra në një bilanc bankar. Do të jenë jetë të rrënuara në emër të fitimit të shpejtë. Shqipëria po qëndron mbi një minë financiare. Dhe fitili po digjet shpejt… \tesheshi.com\