Parajsa e natyrës që u shndërrua në Ferr nga njerëzit!

Peleliu, në Palau, është një ishull ku e gjelbra është aq e thellë, saqë duket sikur po përpiqet të mbulojë diçka të errët. Në mëngjes, pas shiut, pyjet janë të lagështa, ndërsa koralet pranë bregut shkëlqejnë nën ujërat e pastër.

Megjithatë, sapo shkel në tokë, peizazhi ndryshon. Në mes të një fushe të hapur, një tank ushtarak amfib japonez ndryshket i qetë, ndërsa bimët ngjiten mes rrotave të tij të ngrira në kohë.

Ky është kontrasti i Peleliu: një parajsë tropikale që u shndërrua në ferr në shtatorin e vitit 1944. Kur trupat amerikane zbarkuan për të sulmuar bazën ajrore japoneze, ata prisnin një fitore të shpejtë. Por ishulli fshihte një sekret të tmerrshëm: një rrjet të gjerë shpellash nëntokësore.

Japonezët, të fortifikuar dhe të furnizuar, u zhdukën nën tokë kur nisën bombardimet. Ajo që duhej të zgjaste disa ditë, u shndërrua në një luftë shfarosëse prej disa muajsh, një ndër më mizoret e Betejës së Paqësorit.

Joe Whelan, autor i librit “Bitter Peleliu”, e përshkruan si një “shfaqje tmerri” që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Edhe admiralët amerikanë të kohës, kishin sugjeruar anashkalimin e ishullit, por makineria e luftës ishte vënë në lëvizje dhe nuk mund të ndalej më.

Në total, rreth katërmbëdhjetë mijë japonezë dhe dhjetë mijë amerikanë humbën jetën. Shumë prej tyre nuk vdiqën nga plumbat, por nga dehidratimi, sëmundjet dhe temperaturat përvëluese që shpesh tejkalonin 38 gradë Celsius.

Kur humbja u bë e pashmangshme, komandantët japonezë zgjodhën seppuku-n, vetëvrasjen rituale, duke e shndërruar ishullin në një varrezë masive. Sot, Peleliu është një destinacion për turistë nga gjithë bota që vijnë për të parë nga afër këtë histori të harruar.

Guidat i shoqërojnë vizitorët në shpellat ku gurët Shinto me mbishkrime përkujtojnë të rënët. Shpesh, mbi këto varre, gjenden lule sakure ose flamuj të vegjël, të mbuluara nga myshku i lagështisë.

Ndryshimi më i madh që solli lufta ishte tek vetë toka. Inxhinierët ushtarakë niveluan kodrat dhe ndryshuan aq shumë topografinë, saqë banorët vendas që u kthyen pas luftës nuk e njihnin më ishullin e tyre.

Shingo Iitaka, profesor i historisë, shprehet i prekur: “Është pothuajse si të jetosh me të vdekurit, ose me gjurmët e tyre!”. Përtej rrënojave, përvoja e njerëzve të Palaut shpesh anashkalohet nga tregimet e mëdha të luftës.

Ata që nuk kishin asnjë lidhje me konfliktin, u detyruan të bashkëjetonin me luftën dhe pasojat e saj. Ndërsa vitet kalojnë, natyra po e rikuperon ishullin, por dëshmitë mbeten aty: helmeta të ndryshkura, pjesë avionësh dhe emrat e plazheve si “Bloody Nose Ridge” na kujtojnë se kjo parajsë, për një kohë të gjatë, ishte skena e një tragjedie njerëzore të pakuptimtë. \tesheshi.com\

Leave a Comment