Z. Kryeministër, vdekja nuk është çështje estetike, por produkti i kalbëzimit të shtetit tuaj!

Mbi asfaltin e përgjakur të Durrësit, aty ku jeta e dy fëmijëve u shua nën rrotat e papërgjegjshmërisë, mbeti një top loje. Ky detaj, që Taulant Balla e përdori për të ushqyer retorikën e tij “prekëse” në rrjetet sociale, është në fakt dëshmia më ulëritëse e dështimit të një shteti që ka humbur çdo kontakt me sigurinë e qytetarëve të tij.

Kreu i grupit parlamentar të shumicës qeverisëse e quajti autorin “terrorist”, një term i zgjedhur me kujdes për të zhvendosur vëmendjen nga pyetja që djeg: si ka mundësi që një individ me një “skedë të zezë” shkeljesh rrugore, një përsëritës kronik, vazhdonte të mbante patentën dhe të qarkullonte i lirë si një bombë me sahat?

Përgjigjja nuk gjendet te “terrorizmi” individual, por te korrupsioni kapilar i administratës së Edi Ramës. Ky nuk ishte një aksident, por një vrasje e paralajmëruar, e toleruar nga zyrat e shtetit ku ryshfeti vlen më shumë se jeta.

Ekspertët e aksidenteve e thonë troç: Oficerët e Policisë Gjyqësore (OPGJ) janë shndërruar në sekserë që manipulojnë fajësinë dhe pastrojnë dosjet e shoferëve problematikë. Nëse Nikoll Radaçi ishte në timon atë pasdite, kjo ka ndodhur sepse dikush në uniformë ka marrë një zarf për të mbyllur sytë para shkeljeve të tij të mëparshme.

Ky është terrorizmi i vërtetë – një sistem që tregton sigurinë publike për disa qindarka më shumë në xhepat e administratës. Ndërkohë, në majën e piramidës, kryeministri Edi Rama vazhdon të luajë rolin e estetit të kombit.

Eshtë e pafalshme dhe thellësisht hipokrite që, përballë tragjedive të tilla, shqetësimi kryesor i kreut të qeverisë mbetet “nxirrja e imazhit” të Shqipërisë nga mediat apo estetika e raportimeve.

Rama duket se shqetësohet më shumë për këndin e kamerës që filmon gjakun sesa për dorën e korruptuar të zyrtarit të tij që lejoi vrasësin të dalë në rrugë. Për këtë qeveri, Shqipëria është një set fotografik për turistët, ku arkivolet e fëmijëve prishin dekorin e “Rilindjes”.

Nuk mund të ketë drejtësi vetëm duke dënuar dorën që shtypi gazin. Drejtësia fillon kur të goditet koka e sistemit që e ushqen këtë vdekje. Çdo deklaratë “e ndjerë” e ministrave apo kryeministrit është një fyerje për dhimbjen e familjarëve, për sa kohë që zyrat e tyre vazhdojnë të prodhojnë raporte të rreme dhe licenca vrasjeje.

Propaganda mund të lyejë muret e shkollave dhe qendrave shëndetësore, por nuk mund të fshehë faktin se rrugët tona janë shndërruar në thertore për shkak të një administrate që nuk njeh ligj, por vetëm pazar.

Zoti Kryeministër, vdekja nuk është çështje estetike, por produkti i kalbëzimit të shtetit tuaj. Përpara se të bëni moral për etikën e medias, jepni llogari për etikën e vdekur të zyrtarëve tuaj që sot i kanë duart me gjak! \tesheshi.com\

Leave a Comment